2. Disa fjalë për jetën e Imam Husejnit a.s.

Disa fjalë për jetën e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të)

Spread the love

Hyrje

Më 03 Sha’ban sipas kalendarit hënor (ose data 10 tetor 625, katër vite pas Hixhretit) ka lindur Husejni, djali i Aliut (paqja qoftë mbi ta). Husejni është imami tretë me radhë i Ehli Bejtit (Shtëpisë së Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).

Lindja e tij

Në ditën e tretë të muajit Sha’ban të vitit të katërt pas Hixhretit (Emigrimit të Profetit nga Meka në Medine) lindi Husejni, nga nëna Hazreti Fatime dhe babai Hazreti Aliu (paqja qoftë mbi ta). Kur Profeti Muhamed (pqmtf) mori vesh për lindjen e nipit të tij, i tha Imam Aliut: “Quaje Husejn”.

Pozita e tij

Pozita e Imam Hujsenit përveç ajeteve kuranore të cilat përmendin pozitën e tij së bashku me pozitën e Ehli Bejtit (a.s.) po ashtu hadithet e Profetit Muhamed (pqmtf) janë të shumta rreth kësaj çështjeje, po ashtu për të përmenden ngjarje të ndryshme besimshtytëse. Disa nga to janë:

1. Profeti Muhamed (pqmtf) për Imam Husejnin ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin. Husejni është degë prej degëve të pemës së Ehli Bejtit”.

2. Një ditë Imam Husejni kaloi pranë disa varfanjakëve të cilët ishin mbuluar me çarçaf dhe po hanin copa buke. Ai i përshëndeti ata dhe ata e ftuan në mesin e tyre për të ngrënë. Ai u ul dhe tha: “Nëse ky ushqim nuk do të ishte lëmoshë do të haja me ju”. Pastaj i tha atyre: “Çohuni dhe ejani në shtëpinë time”. Pastaj Imam Husejni i ushqeu ata, i veshmbathi dhe urdhëroi që t’iu jepnin atyre edhe dërhemë (të holla).

3. Transmetohet nga Shuajb ibn Abdurrahmani se: Në ditën e vrasjes së Husejnit në shpinën e tij pamë njolla. Për këtë e pyetën Imam Zejnul-Abidinin, djalin e Imam Husejnit. Ai tha: “Kjo është për shkak të trastave që mbante mbi shpinën e tij dhe i shpërndante nëpër shtëpitë e të vejave, jetimëve dhe të mjerëve”.

Roli i tij në vazhdimësinë e Islamit

            Në kohën kur vëllai i tij, Imam Hasani, qeveriste muslimanët me qendër në Kufe, Imam Husejni jetoi krah për krah tij, dhe iu bind atij në çdo situatë. Pas aktit të marrëveshjes dhe “pajtimit”, që të dy së bashku me anëtarët e tjerë të Ehli Bejtit shkuan në Medinë për të shpjeguar ligjet e fesë islame dhe për të mbrojtur Kuranin nga rrymat devijuese. Pas vdekjes së vëllait të tij, roli i Imam Husejnit hyri në një fazë të re.

Ai u ballafaqua me planet devijuese të emevitëve për shoqërinë muslimane. Emevitët në krye të tyre kishin Muaviun dhe djalin e tij Jezidin, kurse muslimanët kishin Imam Hasanin, por emevitët atë e vranë përmes helmimit. Marrëveshja dhe “pajtimi” si pikë kryesore kishte: “Pas Muaviut, udhëheqjen duhet ta merrte Imam Hasani, e mbas tij Imam Husejni”. Por, Muaviu e kundërshtoi dhe e theu këtë atk të marrëveshjes dhe emëroi djalin e tij, Jezidin, në krye të muslimanëve, gjë që nënkuptonte kthimin në kohën e injorancës para se të shpallej Kurani.

Vdekja e tij

Sa ishte gjallë dhe pas vdekjes së Muaviut, filloi sistemi diktatorial dhe tiran, meqë ky e caktoi djalin e tij Jezidin në krye të shtetit. Me të marrë pushtetin Jezidi, urdhëroi në përgjithësi njerëzit t’ia jepnin besën për besnikëri dhe Imam Husejni në veçanti. Imam Husejni besën nuk ia dha askujt, sepse shumë muslimanë që gjendeshin në Kufe (të Irakut të sotshëm) pritnin që atij t’ia jepnin besën dhe për këtë i kishin shkruar me dhjetra letra mbështetëse për të dhe kundërshtuese për qeverisjen e Jezidit. Pasi Imam Husejni pranoi këto letra mbështetëse, u nis me mbi shtatëdhjetë familjarë të tij nga Meka në drejtim të Irakut. Ai u ndalua në tokën e quajtur Kerbela (Qerbela) me rreth pesëmijë ushtarë të Jezidit. Kjo tokë ishte shkretëtirë, pa ujë dhe pa gjelbërim.

Në këtë vend arriti më datë 2 Muharem të vitit 61 pas Emigrimit ose 2 tetor 680. Pas një ultimatumi 10-ditor që Imam Husejnit iu caktua që t’ia jepte besën diktatorit zullumqar Jezidit, Imam Husejni nuk pranoi, por pranoi që të shkonte dëshmor së bashku me mbi shtatëdhjetë familjarë të tij më datën 10 Muharrem të vitit 61, ose 10 tetor 680. Kjo ditë quhet “e dhjeta” apo arabisht: āshūrā (عاشوراء).

Poeti ynë kombëtar dhe rilindas, Naim Frashëri (1846-1900) ia kushtoi poemën epike-fetare me njëzetepesë këngë “Qerbelaja”, vepër kushtuar veprës dhe trimërisë së Imam Husejnit në fushën e Qerbelasë.