Kush është Hazret Abbasi (paqja qoftë mbi të)?
Hyrje
Më 04 Sha’ban sipas kalendarit hënor (ose data 15 maj 647, 26 vite pas Hixhretit) ka lindur Hazret Abbasi, djali i Imam Aliut (paqja qoftë mbi ta).
Lindja e tij
Në ditën e katërt të muajit Sha’ban të vitit 26 pas Hixhretit/Emigrimit të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) nga Meka në Medine, lindi Abbasi, nga nëna Hazreti Fatime bint Hizam dhe babai Hazreti Aliu (paqja qoftë mbi ta) në qytetin e Medines. Ai ishte djali më i madh nga tre fëmijët që i kishte Imam Aliu me Hazreti Fatime bint Hizam. Nga martesa me Hazreti Labaden, ai kishte tre djem, Fadlin, Muhamedin dhe Ubejdullahun.
Vepra e tij
Vepra e tij është shumë e pasur edhe pse jetoi shumë pak në këtë jetë (jetoi vetëm 33 vjet). Mori pjesë në disa beteja vendimtare për shpëtimin e fesë islame nga armiqtë e brendshëm. Shembull në betejën e Siffinit mori pjesë së bashku me babain e tij, dhe për t’ia ngritur personalitetin e tij, Imam Aliun i tha: “Ai është Abbasi, hëna e Hashimitëve”.
Gjithashtu mori pjesë në tragjedinë e Qerbelasë ku ishte caktuar nga Imam Husejni që t’i jepte ujë fëmijëve. Gjatë tragjedisë së Qerbelasë, me vete kishte vetëm një shtizë dhe një çantë për ujë. Në anën e lumit Eufrat kishte me qindra ushtarë të armikut që e bllokonin lumin për të pirë ujë muslimanët. Edhe pse ishte tejet i etur, ai nuk pinte ujë, por ujin që e mori iu dërgoi fëmijëve në kamp. Rrugës për në kamp ai u sulmua me shigjeta nga ushtarët e Jezidit, dhe kështu, ai u martirizua më 10 tetor 680 ose 10 muharrem të vitit 61 pas Hixhretit (Emigrimit të Profetit Muhamed [pqmtf] nga Meka në Medinë). Hazret Abbasi la pas vetes shtatë fëmijë, pesë djem: Ubejdullahun, Fadlin, Hasanin, Kasimin dhe Muhamedin, dhe dy vajza.
Përkujtimi
Ai u varros pranë lumit Eufrat dhe u quajt “Heroi i Eufratit”. Sot mauzoleu dhe xhamia e tij gjendet në qytetin Kerbela, në afërsi të mauzoleut dhe xhamisë së Imam Husejnit. Gjithashtu edhe Komuniteti Musliman Bektashian e përkujtojnë Hazret Abbasin çdo vit më 22 deri 25 gusht në malin Tomor në Berat të Shqipërisë.