13. Dita e shpalljes kuranor – Jewmul-Meb’ath

Dita e shpalljes kuranor – Jewmul-Meb’ath

Spread the love

Hyrje

Më 27 Rexhep sipas kalendarit hënor (ose data 28 qershor 610, 13 vite para Hixhretit), në këtë ditë, Muhamedi, djali i Abdullahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) u përzgjodh nga Zoti i Madhëruar si profet. Ai ishte në moshën 40-vjeçare, në shpellën “Hira”, te Mali i Dritës (arab. Xhebelun-Nūr) në afërsi të qytetit të Mekës.

Cila ishte shpallja e parë dhe e dytë?

Gjersa ishte duke medituar dhe lutur për misionin e tij si profet i Islamit, iu shpallën pesë vargjet (arab. ājet) e para të kaptinës (arab. sūreh) el-Alek (Ngjizja):

Lexo! Në emrin e Zotit tënd që krijoi,
Krijoi njeriun nga ngjizja,
Lexo! Se Zoti yt është Bujar,
I Cili e mësoi (njeriun) të shkruaj me penë,
Ia mësoi njeriut atë çka ai nuk e dinte
”.

(Kurani i Shenjtë, surja el-Alek, ajetet 1-5)

Më pas iu shpallën edhe ajetet e para të sures el-Muddethir (I mbështjelluri):

O ti i mbështjellë!
Çohu dhe paralajmëro!
Zotin tënd madhëroje,
Petkat e tua pastoji,
Dhe largohu nga ndyrësia
”.

(Kurani i Shenjtë, surja el-Muddethir, ajetet 1-5)

Me çfarë emri njihet kjo festë?

Përvjetori i fillimit të misionit të Profetit Muhamed (pqmtf) është ndër festat e mëdha të muslimanëve, dhe kjo ditë e bekuar njihet me emrin “Dita e Shpalljes” ose “Jewmul-Meb‘ath”.

Ç’është meb‘ath-i?

Meb’ath – do të thotë dërgimi i një njeriu nga Zoti për t’i ftuar njerëzit dhe për t’i udhëzuar në rrugën e drejtë. Ky term përdoret kryesisht për Muhamedin (pqmtf) kur ai u zgjodh profet.

Meb‘ath-i në Kuranin e Shenjtë

Ky term në Kuranin e Shenjtë tregon një fazë të veçantë të jetës e cila ka një lloj transformimi pra përveç kuptimit të të bërit profet, ajo gjithashtu i referohet ringjalljes në botën e përtejme. Megjithatë, kuptimi dominues është përzgjedhja dhe dërgimi i dikujt si profet. Në të gjithë Kuranin e shenjtë ky term i atribuohet gjithmonë Zotit, si: ringjallja në botën tjetër, rregulla të veçanta të universit dhe dërgimi i profetëve, pra të gjitha këto tregojnë fuqinë e Zotit dhe programin e Tij në sundimin e botës.

Një nga pikat e rëndësishme në lidhje me meb‘ath-in është se Zoti vazhdimisht e ka bekuar njerëzimin duke i dërguar profetë dhe ky bekim mund të shihet nga dy aspekte:

* Dërgimi në aspektin e udhëzimit të njerëzimit, dhe

* Profetët janë zgjedhur midis njerëzve që të jenë të njëjtit lloj.

Meb`‘ath-i sipas Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij)

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Jam dërguar profet për t’i përsosur virtytet e moralit”.

Meb‘ath-i sipas veprës “Nehxhul-Belaga” të Imam Aliut

Sipas asaj që përmendet në veprën “Nehxhul-Belaga” të Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), arabët para fillimit të misionit të Profetit Muhamed (pqmtf) përshkruen si:

Vërtet! Allahu e dërgoi Muhamedin (pqmt) si përkujtues për të gjitha botët dhe si lajmëtar të shpalljes, gjersa ju, o arabë, keni ndjekur fenë më të keqe dhe keni banuar në vendbanimin më të keq, mes shkëmbinjve dhe keni ngrënë ushqim të papastër. Keni derdhur gjakun e njëri-tjetrit dhe nuk i keni kushtuar kujdes farefisnisë. Idhujt janë përqëndruar mes jush, ndërsa mëkatet iu kanë qepur pas”.

(Imam Aliu, “Nehxhul-Belaga”, fjalimi 26)

Pozita e kësaj dite në kulturën islame

Kjo ditë ka një pozitë shumë të lartë në mesin e muslimanëve. Në fakt është pika fillestare e Islamit, sepse fillimisht kishte pak pasues dhe rrethana të vështira dhe më pas u zgjerua në të gjithë botën dhe tërhoqi shumë zemra. Sipas historianëve, kjo ngjarje ndodhi ditën e hënë, më 27 Rexhep në vitin e katërdhjetë pas vitit të Elefantit dhe trembëdhjetë vjet para Hixhretit (28 qershor 610).