6. Shpirtmadhësia dhe fisnikëria

Shpirtmadhësia dhe fisnikëria (rrëfime shpirtërore)

Spread the love

Autor: Murteza Mutahhari

Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyn në mesin e robërve të Mi! Dhe hyn në Xhennetin Tim!” (Kurani Famëlartë, surja el-Fexhr, 89: 28-30).

Nëse dikush arrin të ketë shpirt të madh, do apo nuk do, trupi i tij do të jetë në vuajtje e mundime. Vetëm ai trup që posedon shpirt të vogël, kënaqet duke jetuar në komoditet, madje edhe mund të jetojë gjatë, kënaqet duke fjetur e duke ngrënë ushqime të këndshme, po ai që ka shpirtmadhësi, ai shpirt i tij i madh i shkakton trupit vuajtje, madje, ndonjëherë edhe jetë të shkurtër. Ai trupit i shkakton sëmundje. Do të flasim diçka për madhështinë dhe fisnikërinë e shpirtit dhe do të shpjegojmë dallimin mes këtyre dy gjërave, sepse madhështia e shpirtit është diçka tjetër, ndërsa fisnikëria e shpirtit është gjëja tjetër më e përsosur. Pra, secila madhësi shpirti nuk është fisnikëri.

Çdo fisnikëri është shpirtmadhësi, e çdo shpirtmadhësi nuk është fisnikëri. Me siguri, ambiciet e mëdha janë shenjë e shpirtit të madh, ndërsa ambiciet e vogla janë shenjë e shpirtit të vogël.

Kij ambicie të mëdha sikur njerëzit e mëdhenj,
për shkak të ambicieve të mëdha kanë arritur gjer diku!

Një poet tjetër, thotë:

Bilbili në kopsht e laraska në gërmadha, secili
sipas sasisë së ambicieve të veta, shtëpi ka ndërtuar
”.

Kjo mund të aplikohet në cilindo profesion të njeriut. Për shembull, ambiciet në shkencë dallojnë. Dikush është i kënaqur me diplomën e shkollës së mesme dhe të ketë një profesion gjer në atë nivel sa që të dijë të shkruajë e të lexojë, e personi tjetër e shihni, me plot arsye, se nuk është i kënaqur me asnjë nivel shkencor, ai ka ambicie që gjer në momentin e fundit të jetës së tij të mos lëshojë mundësinë për të arritur njohuri shkencore dhe zbulime të të vërtetave shkencore.

Me siguri keni dëgjuar për tregimin e Ebu Rejhan el-Birunit. Ky është një njeri për të cilin studiuesit pohojnë se ende nuk i është gjetur rivali atij. Ka qenë shkencëtar, matematikan, sociolog, historian dhe njeri i dalluar, ndërsa dikush e konsideron si më të mirë se Ibën Sinai. Natyrisht, nëse i marrim parasysh disa segmente dhe lëmenj, me siguri se Ebu Rejhani ka qenë më i mirë se Ibën Sinai. Këta të dy kanë qenë bashkohanikë. Ai ka qenë i fascinuar me shkencën, me kërkimet dhe zbulimet e reja.

Një herë e thirri mbreti Muhammed dhe ky iu përgjigj thirrjes së tij dhe shkoi te ai, por si çdo njeri ambicioz, e shfrytëzoi rastin. Kur mbreti Muhammed e pushtoi Indinë, edhe ky shkoi me të në Indi. E kuptoi se e ka zbuluar një pasuri informacionesh shkencore, por s’e njihte sanskritishten. Këtë gjuhë shumë mirë e mësoi në pleqëri. Atje disa vite me radhë u muar me hulumtime. Shkroi një vepër të titulluar: “Hulumtimet në Indi…” Sot ky libër konsiderohet si një prej burimeve kryesore për indologët e botës.

Kur ky njeri ishte në prag të vdekjes, një fekih (jurist islam) që ishte fqinj i tij, mori vesh se Ebu Rejhani ishte në atë gjendje, shkoi ta vizitojë. Ai ende nuk e kishte humbur vetëdijen. Me të parë fekihun, i parashtroi pyetje në lidhje me ngrirjen (nga të ftohtit) ose për diçka tjetër.[1] Fekihu u habit dhe i murmuriti: “Ti po përgatitesh për të vdekur, dhe ke gjetur kohë të më parashtrosh këso pyetjesh!?” Ebu Rejhani u përgjigj: “Ty po të parashtroj një pyetje. Nëse unë vdes, (nuk e dij se a do të vdes tash shpejt) a është më mirë të dijë apo të vdes duke mos ditur?” Fekihu u përgjigj: “Paj, natyrisht, se më mirë është të dish”. Ai ia ktheu: “Mu për atë shkak të pyes”. Fekihu tregoi se posa doli nga shtëpia e tij, nuk shkoi shumë kohë, dëgjoi një piskamë dhe vaj. Vdiq Ebu Rejhani dhe u dëgjuan të qarat e fëmijëve të tij. Thanë për këtë se ka qenë një njeri i madh me ambicie të mëdha për shkencë.

Tjetri, për shembull, është i madh që vepron për fitimin e pasurisë. Po a thua vallë, ambiciet janë të njëjta edhe në aspekt të grumbullimit të pasurisë? Disa njerëz, natyrisht, nuk kanë asnjë ambicie për grumbullim të pasurisë dhe qëllimi i tyre është të jenë të ngopur, të kenë ndonjë kore buke, po edhe sikur atë ta arrinte përmes shërbimit, nënshtrimit ose lypjes. Por, dikush dëshiron të ketë, dëshiron të tubojë para. Tani, a janë të barabartë ata që dëshirojnë të tubojnë pasuri me të tjerët? Apsolutisht jo. Te disa njerëz, nga vetë natyra, ekziston dëshira për grumbullim të pasurisë dhe nuk kënaqen me pak. Po e them këtë, se ndonjëherë disa njerëz që s’kanë ambicie, nga shkaku se nuk janë njerëzorë, kur e shohin dikënd se si grumbullon pasuri, e nënçmojnë dhe e përqeshin, sikur vetë ata na qenkan të devotshëm. Ai që mundohet të tubojë pasuri me një vullnet të tillë, është më i mirë se dikush që ka ambicie të dobëta dhe karakter lypësi, dhe është personalitet se ai. Ky, në krahasim me atë njeri që ka më shumë ambicie, meriton të qortohet. Një zahid (asket) i vërtetë mund ta qortojë atëherë kur të bëhet njeri ambicioz, sikur Imam Aliu a.s. që është njeri punëtor dhe që mundohet për pasuri, por nuk është lakmues, nuk e ruan për vete, nuk është i lidhur ngushtë për ato para. Fiton, por përse? Për shpenzim dhe për të ndihmuar të tjerët. Ai ka të drejtë të qortojë dhe të thotë: “I mjeri ti, o lakmues, që ke ambicie, vendosmëri, ti që ke entuziazëm dhe fuqi, pse harxhon fuqinë tënde për grumbullim të pasurisë? Pse pasuria të është bërë qëllim? Për ty pasuria duhet të jetë mjet”. Por unë që nuk kam ambicie, ndërkaq pasurinë e marr duke lypur nga të tjerët të cilëve ua puthi duart e këmbët që të më japin një të mijëtën apo një të miliontën pjesë të pasurisë së vet, nuk kam të drejtë ta kritikoj. Tjetri person ec rrugës së ambicieve, madhësisë dhe pozitës. Po a janë gjithë njerëzit në këtë drejtim të barabartë?

Huazuar nga libri: “Rrëfime shpirtërore”, autor: Murteza Mutahhari, përktheu: prof. Mahir Hasani, botues: “Shoqata Flladi”, Tiranë 2004, fq. 114-117.

_______________________
[1] Duke u bazuar në veprat që kanë shkruar studiuesit mbi biografinë e Ebu Rejhanit, tregohet se ka qenë një besimtar shumë i fortë, musliman me besim të fortë. Në librat e tij të cilat, nuk kanë të bëjnë me shkencat fetare, siç është “El-‘Asrul-Bakij” dhe të ngjashëm, sikur edhe Ibën Sinai, kudo që të përmendej Islami, Kur’ani dhe Sheriati, ai jep ashtu mendim të devotshëm, me përulje dhe me besim, saqë njeriu nuk mund të dyshojë në qëllimet e tij të pastërta.