7. Si täi edukojmë fëmijët tanë – frika

Edukimi i fëmijëve tanë – frika

Spread the love

Frika

Frika, më pak ose më shumë, ekziston tek të gjithë njerëzit. Frika është e nevojshme për mbrojtjen e njeriut. Frika është njëra prej begative të Zotit, për arsye se njeriu e shpëton veten prej rreziqeve të shumta, por këtë begati duhet shfrytëzuar në mënyrë të saktë. Frika është dy llojesh: 1. Frikë e paarsyeshme; 2. Frikë e arsyeshme.

Frika e paarsyeshme

Frika e paarsyeshme si p.sh.: frika nga xhinët, errësira, frika nga shtazët të cilat nuk sjellin dëm, si p.sh.: macja, bretkosa, kali, deveja dhe të tjera, ose frika nga hajnat, nga i vdekuri, nga mjeku, injeksioni dhe ilaçet, nga vetëtima, nga provimet e të tjera të ngjashme. Nëse fëmijën e frikësojmë nga gjëra të tilla, ai gjithnjë do të jetë në frikë dhe mjerim, madje dhe në gjumë do të ëndërrojë gjëra të rrezikshme.

Personi frikacak kurrë s’ka kurajë që të marrë përsipër kryerjen e punëve të rënda. Gjithnjë është i dëshpëruar dhe i ndrojtur. Prindi ose edukatorja e mire nuk duhet ta frikësojnë fëmijën pa ndonjë arsye. Nëse dëshironi që fëmija juaj të mos bëhet frikacak duhet ndjekur këshillat e mëposhtme:

1. Gjatë zhurmave të forta, siç janë: vetëtima e bubullima, mos e ngrini zërin pranë fëmijës por silluni si në gjendje të zakonshme.

2. Mos i frikësoni fëmijët nga fantazmat, siç janë: divi, gogoli, vampiri.

3. Mos iu drejtoni fëmijës me zë të lartë dhe mos i frikësoni ata duke i rënë murit (tavolinës) me dorë.

4. Është e mundur që vetë prindërit të jenë frikacakë. Në këtë rast ata së pari duhet shëruar veten tyre. Largoni frikën e paarsyeshme nga vetja juaj dhe përballë gjërave të frikshme mos u tregoni frikacak, që fëmija juaj të mos e ndiejë se ju keni frikë.

5. Shikimi i filmave me policë, tregimi i ngjarjeve dhe tregimeve të frikshme ndikon në shpirtin e pastër të fëmijës, prandaj mundohuni që t’i mbani larg skenave të tilla fëmijët tuaj. Nëse fëmija është bërë frikacak për shkak të neglizhencës suaj mos rrini duarkryq, por përpiquni ta largoni frikën e tij. Asnjëherë mos e kritikoni dhe përqeshni fëmijën frikacak dhe mos e turpëroni atë në prani të tjerëve, por me durim dhe vëzhgim zbuloni faktorët e frikës dhe nxitoni me shërimin e tyre.

Fëmijës suaj bëjani me dije se gjërat si: divi, gogoli dhe vampiri janë gënjeshtra. Xhindët nuk kanë punë me njerëzit. Nëse fëmija juaj frikësohet nga shtazët e padëmshme, afrohuni afër asaj shtaze dhe prekeni atë me dorë në mënyrë që përmes këtij veprimi atij t’i bëhet e qartë që kjo shtazë nuk është aspak e rrezikshme. Nëse fëmija frikësohet nga errësira, merreni atë pranë vetes dhe pastaj për disa moment fikeni llambën duke e siguruar atë që nga errësira nuk duhet frikësuar. Duhet ditur se asnjëherë nuk bën të përdorni kërcënime dhe ndëshkime për fëmijën e frikësuar.

Nëse fëmija frikësohet nga mjeku dhe marrja e injeksioneve, me fjalë të qeta dhe me dashuri, ia bëni të qartë atij se nëse dëshiron që të shërohet duhet t’i marrë injeksionet dhe t’i pijë ilaçet. Përveç kësaj, kur është i shëndoshë, dërgojeni atë nganjëherë në spital (ambulancë) në mënyrë që të ambientohet me të.

Frika e arsyeshme

Prindërihet duhet t’ua sqarojnë fëmijëve rreziqet eventuale. T’i parandalojnë ata nga këto rreziqe, gjithashtu t’ua tregojnë atyre rrugën e shpëtimit. Kështu, p.sh., duhet t’ua mësojnë atyre mënyrën e drejtë të përdorimit të shkrepsës, gazit dhe pajisjeve të ndryshme elektrike. T’ia përmendim rreziqet tjera të mundshme, t’ia mësojë mënyrën e drejtë të kalimit të rrugës dhe ta vë në dijeni atë për rregullat e komunikacionit rrugor.

Një prej rasteve të frikës është frika nga vdekja. Fëmija, deri në një moshë, nuk është në gjendje ta perceptojë kuptimin e vdekjes dhe është e preferuar që prindërit dhe edukatoret të mos flasin lidhur me këtë temë me fëmijët e tyre. Por kur të rriten dhe kanë pare ose kanë dëgjuar për vdekjen e njerëzve përqark ose të familjarëve të tyre, mund të ndodhë të kenë frikë nga vdekja ose i vdekuri. Këtu është e nevojshme që prindërit t’ua bëjnë atyre me dije se vdekja nuk është ndonjë gjë e frikshme dhe me rëndësi.

Njeriu kur vdes kalon nga kjo botë në një botë tjetër, e cila është bota e Ahiretit, në të cilën botë do të pranojë shpërblimet për veprat e mira dhe ndëshkimin për veprat e këqija. Vdekja nuk është ndonjë gjë e frikshme, e rëndësishme është që njeriu të mos u shkaktojë dëme të tjerëve, por të kryejë vepra të mira, në mënyrë që pas vdekjes të jetë i lumtur. Prindërit nuk duhet të flasin gjithnjë për zjarrin e xhehenemit, por duhet të flasin më shumë për mëshirën dhe mirësinë e Zotit të Madhëruar dhe fëmijën ta edukojnë në mënyrë të atillë që, kur të rritet të ketë shpresë për Xhenetin, ndërsa dhe të ketë frikë nga Xhehenemi.

Huazuar nga libri për fëmijë: “Si t’i edukojmë fëmijët tanë”, libri i dytë, autor: Abdulfazl Beni Ahmedi, përktheu: Valbona Horozova, botues: “Sh. K. “Kur’ani”, Prizren 2008, fq. 15-20.