11. Ehli Bejti në hadithe

Ehli Bejti në hadithe

Spread the love

Hyrje

Sikur që Allahu i Madhëruar e ka përshkruar Ehli Bejtin në Kuran në një mënyrë të pastër ashtu edhe i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i ka lartësuar ata në mënyrë të qartë. Sigurisht, që sikur të mos ekzistonte kjo qartësi, nuk do të kishte nevojë që Islami të merrej prej tyre. I Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) na ka bërë me dije mjaft për vlerën e pazëvendësueshme të Ehli Bejtit për ummetin (bashkësinë e myslimanëve) nëpër hadithe.

Kush i zhduku hadithet e Ehli Bejtit?

Pjesa e madhe e haditheve që janë përcjellë në lidhje me Ehli Bejtin janë zhdukur gjatë periudhës së qeverisjes së Emevitëve dhe Abbasitëve. Këtë na kanë rrëfyer librat e historisë në mënyrë të mjaftueshme përmes dëshmive sahih (të vërteta). Shqiptimi i haditheve në mënyrë të haptë që tregonin për meritat e Ehli Bejtit gjatë kohës së Emevitëve dhe Abbasitëve ishin pretekst të mjaftueshëm për t’u dënuar me vdekje. Emevitët dhe Ababsitët nuk kanë lënë gjë pa bërë në mënyrë që t’i zhdukin meritat e Ehli Bejtit. Por, sikur që ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, deshën ata apo jo, Allahu do ta plotësojë dritën e Tij. Falënderimet qofshin për Allahun që përkundër shtypjeve dhe zullumeve të shumta, edhe deri në kohën tonë kanë mbërritur hadithe të mjaftueshme sahih. Autoritetet e kohës sonë nuk dallohen aq shumë prej atyre të kohës së mëhershme. Dëshira e tyre është që të vazhdojë sa më shumë me këtë avaz dhe mos t’i shqiptojmë deklaratat që i zgjojnë ata nga gjumi.

Dijetarët dhe hadithet e Ehli Bejtit

Në kohërat e vjetra dijetarët ndiqnin një rrugë të thjeshtë kundrejt Ehli Bejtit. Ata e pranonin si sahih çdo hadith të atij personi që ishte më i afërm me sahabët sesa me Imamët e Ehli Bejtit. Ndërsa, ishte i dyshimtë hadithi i çdonjërit që ishte më i afërt me Ehli Bejtin sesa me sahabët. Po, shumica e tyre ka punuar saktësisht në këtë mënyrë. Për dijetarët si: Buhariu, nuk ishte problem transmetimi i hadithit nga ndonjë person nëse nuk përmbahej nga fyerja e Hazret Aliut. Por, nëse ndonjëri i fyente sahabët, atëherë nuk kishte më mundësi që gjatë tërë jetës së tij të transmetohej ndonjë hadith nga ai! Kjo padrejtësi është siguruar nga ana e ndihmësve të qeveritarëve. Nëse e abuzon Ehli Bejtin në hadithin tënd nuk ka ndonjë dyshim, nëse i abuzon sahabët, të gjitha hadithet e tua nuk kanë asnjë vlerë. Ky është një shembull i komplikuar. Të shpjegojmë këtë pak më ndryshe me një shembull më të thjeshtë: Nëse dijetari që e transmeton hadithin është shiit, hadithi i tij është i dyshimtë por, nëse dijetari është sunnit, atëherë nuk ka dyshim në hadithin e tij. Ja, ky është shembulli më i thjeshtë. Ju mund të pyetni se çfarë problemi ka me hadithet që kanë të bëjnë me Ehli Bejtin? Është me rëndësi që të dimë se nën cilat kushte kanë arritur deri në kohën tonë këto hadithe? Lexuesit duhet të dinë se për cilat arsye nuk kanë mundur t’i lexojnë hadithet që i përkasin Ehli Bejtit? Me këtë do të japim prova të mjaftueshme për një ummet, që ka mbetur si shikues kundrejt zullumqarëve që ia kanë derdhur gjakun e Ehli Bejtit, në lidhje me rëndësinë e haditheve që flasin për Ehli Bejtin.

Martirizimi i Nesaiut (dijetar i hadithit)

Falënderimi qoftë për Allahun që ka pasur edhe të tillë që e kanë flijuar jetën e tyre vetëm e vetëm që këto hadithe t’u përcillen gjeneratave të ardhshme. Njëri prej dijetarëve të tillë ka qenë edhe Nesaiu, autori i librit ‘Sahih’. Një ditë ndodhej në Siri dhe e kishin pyetur për ndonjë hadith në lidhje me Muaviun. Nesaiu iu përgjigj xhematit në këtë mënyrë: “Në lidhje me Muaviun, unë e kam dëgjuar këtë hadith që transmetohet nga i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij): “Allahu mos e ngoptë stomakun e Muaviut”. Kur e dëgjoi këtë, xhemati filluan që ta rrahin aq shumë sa që më vonë edhe vdiq si pasojë e kësaj rrahjeje. Duke e parë armiqësinë e popullit të Sirisë, Nesaiu e ka shkruar një libër për Imam Aliun. Kjo ngjarje është shkruar në të gjitha librat e atyre që kanë shkruar për biografinë e Nesaiut. Nesaiu kishte vdekur në vitin 303 hixhri [915 miladi] si pasojë e rrahjes së tij nga ana e një xhemati nga Siria.

Pse Nesaiu nuk u bë i njohur aq sa Buhariu?

Këtu dëshirojmë që t’ua tërheqin vëmendjen lexuesve: Pse nuk është bërë i shquar Nesaiu sikur Buhariu përkundër asaj që e ka flijuar jetën e tij për hir të së vërtetës? Përgjigja është e qartë dhe e thjeshtë: çdokush që e ka lartësuar Ehli Bejtin, qoftë ai edhe sunnit, ka humbur në vlerë, dhe çdokush që ka ushqyer armiqësi ndaj Ehli Bejtit, ai llogaritej prej dijetarëve të shquar të ummetit. Nesaiu ka treguar për personalitetin e Muaviut në mënyrë të hapur e të qartë ndërsa Buhariu nuk ka bërë asgjë tjetër përveç lartësimit të tij. Buhariu ishte bërë njëri prej ndihmësve më të mëdhenj të Emevitëve. Ata që e lexojnë librin e tij me kujdes do të pranojnë se ne kemi të drejtë. Dijetarët e shumtë sunnitë kanë pranuar hadithe si të vërteta nga Imamët e Ehli Bejtit, si p.sh. nga Imam Xhafer Sadiku, por Buhariu nuk e ka pranuar atë si të vërtetë. Ose, thënë me fjalë popullore, Buhariu nuk i ka shkruar në librin e tij hadithet nga Imam Xhafer Sadiku dhe nuk e ka pranuar si të besueshëm. Kush është Buhariu që të mos pranojë hadithe nga njëri prej Imamëve që ka qenë prej pasardhësve të pastër të të Dërguarit të Zotit? Kush ia ka dhënë Buhariut këtë autorizim? Ja pra, ky ishte shërbimi më i madh që Buhariu ia kishte bërë Emevitëve.

Tani t’i kthehemi haditheve që do t’i përcjellim në lidhje me Ehli Bejtin. Një pjesë të haditheve do të përcillen nga librat më burimor ndërsa në pjesën e dytë do të thirremi në librat që janë burimor por që nuk janë aq shumë të njohur. Njëjtë, sikur shembujt e Buhariut dhe të Nesaiut. Sigurisht që besimtarët do të gëzohen ndërsa munafikët (hipokritët) do të zemërohen kur t’i lexojmë hadithet që e përmbajnë lartësimin e Ehli Bejtit. Vërtetimi i kësaj që e thamë bazohet në hadithin e të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur i është drejtuar sahabëve: “O Ali! Vetëm besimtari të do ty dhe vetëm munafiku (hipokriti) të urren ty”.

Ja pra, në këtë hadith të vërtetë na është treguar haptas se si duhet të mendojmë në lidhje me Ehli Bejtin. Së pari do t’i përmendim hadithet në lidhje me Ehli Bejtin dhe pastaj për trashëgimtarin e të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), Hazreti Aliun. Ju do të pyetni se çfarë kanë të bëjnë tefsiri (komentimi) dhe te’vili (interpretimi) me këtë? Ata që nuk e dinë vlerën e Ehli Bejtit në librat burimorë sunnit, nuk do ta dinë as vlerën e këtij libri që e kanë në duart e tyre.

Hadithi i parë

Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit në mesin tuaj është sikur shembulli i anijes së Nuhut (paqja qoftë mbi të). Çdokush që i hip anijes do të shpëtojë dhe çdokush që e kundërshton do të fundoset e shkatërrohet!

Pse e ka krahasuar i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) Ehli Bejtin e tij me anijen e Nuhut (paqja qoftë mbi të)? A është paraqitur përmbysja e Nuhut (paqja qoftë mbi të) mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit të Zotit? Përgjigja në këtë pyetje është fare e thjeshtë. Prej shumë haditheve sahih (të vërtetë) ne kuptojmë se i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka ditur se mbas tij ummeti do të bie në mosmarrëveshje dhe kundërshtime. Këto mosmarrëveshje u janë përngjarë përmbysjes. Si rezultat i mospajtimeve të brendshme të ummetit ka pasuar derdhja të gjaqeve të mijëra muslimanëve të pafajshëm. Kur t’i lexojmë librat e historisë, nuk mund t’i pranojmë si bekime (nimet) luftërat në mes muslimanëve. I Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) na ka bërë të ditur se do të vijnë fatkeqësitë mbas tij dhe na ka treguar rrugën e shpëtimit. Edhe Nuhu (paqja qoftë mbi të) ia ka bërë me dije popullit të tij se do të vijë përmbysja por edhe vetë djali i tij nuk i besoi atij. Madje, edhe gruaja e Nuhut (paqja qoftë mbi të) nuk i kishte besuar. Në fund, të gjithë jobesimtarët, pa dallim dhe pa përjashtim, u fundosën. A mund të themi të njëjtën edhe për ummetin tonë? A mund të themi se ymmeti i është përmbajtur testamentit të të Dërguarit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) kur na ka bërë me dije se Ehli Bejti është anija e shpëtimit?

Huazuar nga libri dorëshkrim: “Ehli Bejti në Kuran”, autor: Enis Emir.