10. Mësimet nga kaptina kuranore El-Huxhurat

Mësimet nga kaptina kuranore El-Huxhurat

Spread the love

Ajeti 9 dhe 10 i sures el-Huxhurat

Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi. Bëni drejtësi sepse, Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi”.

Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”.

Shkaqet e zbritjes

Rreth shkakut të zbritjes së këtyre dy ajeteve thuhet se: në mesin e dy fiseve të njohura në Medine El-Eus dhe Khazrexh ndodhi një konflikt i cili i çoi në grindje me njëri-tjetrin. Atëherë zbritën dy ajetet e lartpërmendura duke u mësuar muslimanëve mënyrat e përballjes në të tilla ngjarje apo konflikte.

Disa të tjerë thonë se: Në mes dy personave prej ensarëve ndodhi një konflikt. Njëri prej atyre dyve i tha tjetrit: “Unë do të marr të drejtën time nga ti me forcë, sepse fisi im është më i shumtë. Tjetri tha: Të shkojmë tek i Dërguari i Allahut për të na gjykuar. Ai i pari nuk pranoi. Atëherë konflikti u ashpërsua edhe më tepër derisa të dy fiset u grindën me njëri – tjetrin me shkopinj me këpucë deri dhe me shpata. Për këtë zbritën këto dy ajete duke sqaruar detyrën e muslimanëve për këto situata.

Komentimi:

“Besimtarët janë vëllezër”

Në këto ajete kuranore duket qartë një ligj që është përgjithësues dhe i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata…” e ky ligj është pajtimi.

Është e saktë se fjala “iktetelu” rrjedh nga fjala “kital”, (luftë), por siç dëshmojnë edhe faktet ajo përfshin të gjitha llojet e konflikteve edhe pse nuk arrijnë në fazën e përballjes me armë. Këtë kuptim e sqarojnë edhe transmetimet rreth shkakut të zbritjes së ajetit.

Por mund të thuhet se: Nëse gjenden shkaqe për konflikt, siç janë grindjet me fjalë, të cilat arrijnë në konflikte gjakderdhëse, atëherë, sipas ajetit në fjalë, duhet të bëhen përpjekje për pajtim mes pjesëmarrësve në konflikt, sepse në bazë të kuptimit të ajetit, përpjekjet për pajtim mund të jenë parandaluese të armiqësisë dhe urrejtjes. Prandaj është detyrë e të gjithë muslimanëve që të bëjnë pajtim në mes personave apo grupeve që janë në konflikt me njëri-tjetrin, me qëllim që të mos ndodhin gjakderdhje. Po ashtu, duhet t’i njohin përgjegjësitë e tyre në këtë drejtim dhe të mos qëndrojnë duarlidhur si spektatorë, njëlloj si disa të paditur të cilët i kalojnë këto çështje pa u kushtuar asnjë lloj rëndësie e interesimi! Kjo është detyra e parë e besimtarit përballë këtyre çështjeve.

Më poshtë Kurani sqaron detyrën e dytë ku thotë: “Por, nëse njëra palë sulmon tjetrën…” dhe nuk i dorëzohet propozimit të pajtimit “atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut”. Është e natyrshme se nëse do të vritet grupi kundërshtues, mëkatin e kanë mbi veten e tyre, ose siç thuhet gjaku i tyre është hedr (i lejuar për t’u derdhur), edhe nëse janë muslimanë, sepse konflikti ka ndodhur në mes dy grupeve besimtarësh.

Islami e ndalon padrejtësinë edhe nëse çështja arrin në luftimin e të padrejtit, sepse vlera e drejtësisë është më e shtrenjtë se gjaku, qofshin edhe muslimanë. Por, lufta nuk realizohet, vetëm kur dështojnë zgjedhjet paqësore.

Pastaj Kurani paraqet detyrën e tretë ku thuhet: “E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi”. Pra, muslimanët nuk duhet të kenë bindjen e zhdukjes me forcë të grupit kundërshtues e të padrejtë, por duhet të bëjnë pajtim, i cili është parapritë për shkuljen nga rrënjët të shkaqeve të konfliktit, sepse me kalimin e kohës i padrejti i rikthen fuqitë dhe ngrihet për së dyti në konflikt. Edhe pse ka raste që mund të ndodhin çrregullime në gjykata apo në gjykime mes grupeve në konflikt, këto çrregullime e kanë burimin tek devijimi i gjykatësve.

Kurani u paraqet muslimanëve detyrën e katërt: “Bëni drejtësi sepse, Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi”. Ajeti i mëposhtëm, duke vërtetuar shkakun dhe vërtetësinë e kësaj çështjeje thotë thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre…” Pra, ashtu siç përpiqeni të bëni pajtim në mes vëllezërve në gjenezë (prej një nëne e babai), duhet të përpiqeni sinqerisht për të bërë pajtim në mes vëllezërve në fe që kanë rënë në konflikt, e këtë ta bëni me drejtësi të plotë.

Çfarë përsosurie dhe ç’retorikë hasim në ajetin kuranor kur besimtarët i quan “vëllezër” dhe konfliktin mes tyre e konsideron konflikt mes vëllezërish! Me anë të këtij ajeti, Kurani kërkon që pajtimi dhe dashamirësia të sundojnë në jetën e besimtarëve.

Në fund Kurani thotë “…dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni”. Në këtë mënyrë sqarohet një prej përgjegjësive të rëndësishme shoqërore tek muslimanët, e cila është dominimi i drejtësisë shoqërore me të gjitha dimensionet e saj në të gjitha fushat e jetës së tyre.