
Femra në Kuran dhe hadithe
Femra në Kuran
Duhet të theksohet se në Kuran askund nuk urdhërohet se jeta e femrës duhet të kufizohet për burrin dhe fëmijët. Sigurisht, roli i nënës është detyra e saj primare, por në qoftë se një grua do të jetë e punësuar apo e angazhuar në mësimdhënie dhe shkencë, por nga ana tjetër ajo është e zonja që t’i menaxhojë punët e shtëpisë me punën e saj private, (qoftë duke e angazhuar një ndihmëse të shtëpisë), atëherë këtë rast nuk ka arsye pse të mos jetë e kyçur në jetën kolektive sociale duke qenë në shërbim të aftësive të saj profesionale për të mirën e familjes dhe shoqërisë.
Në fakt, duhet të përmendet se nuk ka asnjë ajet kuranor, as ndonjë thënie e Pejgamberit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) që gruaja është e detyruar të ziej e gatuaj, gruaja nuk është e obliguar t’i ushqej fëmijët me qumështin e saj nëse nuk ka dëshirë, pos kësaj gruaja nëse kërkon nga burri që t’ia paguaj gjidhënien, ai është i obliguar ta kryej këtë kërkesë. Të gjitha këto punë gruaja i bën nga vullneti i saj i lirë.
Çka obligon feja islame?
Feja islame gruan e obligon që burrin e saj mos ta largojë nga dysheku, pra të mos e refuzojë në marrëdhënie seksuale, për arsye që mos të përhapet zinaja apo amoraliteti në shoqëri, gjithashtu femra është e obliguar që ta ruaj pasurinë e burrit si dhe të mos pranojë në shtëpi njerëz të huaj gjersa nuk është prezent burri i saj.
Sa i përket daljes së femrës nga shtëpia, të cilën dalje disa e numërojnë si provokim për punë amorale, kjo nuk mund të jetë e këtillë, sepse burrat janë më shumë të prirë për amoralitet sesa gratë. Kur themi gratë, kjo nënkupton më shumë për gratë të cilat i respektojnë rregullat dhe parimet islame, sepse është vërtetuar se gratë janë më të kujdesshme për ta kontrolluar pasionin e tyre epshor. Përveç kësaj, në qoftë se femrat ndahen nga meshkujt deri në atë masë që marrëdhëniet e tyre sociale të ndërpriten tërësisht, mund të ketë pasoja të padëshiruara.
Një mashkull i cili nuk flet në asnjë moment me një grua tjetër, siç është në shumë vende të Arabisë Saudite, do të shohin gruan si një frut i ndaluar, që duhet një ditë gjithsesi të vjelet. Pra, aq shumë do të aludojë e ëndërrojë për ta ndier apo për ta parë qenien femër,– e në mënyrë të pashmangshme ai do ta shohë dhe dëgjojë zërin e saj, në rrugë apo në treg,– ai do të përjetojë një shok, një pasion të lartë e të pakontrolluar.
Transmetohet se një rast një dijetar i madh islam, kishte parë këmbën e zbathur të një gruaje që kishte ecur nëpër rrugë dhe si rezultat i kësaj ai nuk kishte mundur të shkruaj dhe ligjërojë një muaj të tërë.
Sipas gjithë kësaj që u tha më lart, pyes veten: “A nuk është më e natyrshme për gratë që të jenë gjithmonë të pranishme në jetën shoqërore, në mënyrë që ato të llogariten si qenie normale njerëzore, e jo sikur sprova të mundimshme dhe të rrezikshme ose si shigjeta të shejtanit për ta luhatur devotshmërinë e krijesës mashkull?”
Autore: Ikballe Berisha Huduti
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 13, janar 2015, fq. 14)