8. Fjalët fyese e shkatërrojnë personalitetin e fëmijës

Fjalët fyese e shkatërrojnë personalitetin e fëmijëve

Spread the love

Të jesh prind nuk nënkupton vetëm rritjen dhe ushqyerjen e fëmijëve. Ajo që është më e rëndësishmja ka të bëjë me edukimin dhe formimin e personalitetit të tyre. Shpeshherë, nënat dhe baballarët përdorin një qëndrim jo të avancuar të mirësjelljes komunikuese dhe bashkëvepruese me fëmijët. Jo rrallë herë atyre u drejtojnë fjalë, të cilat, fare nuk u kushtojnë rëndësi dhe nuk i vënë në llogari se çka përbëjnë ato në esencë. Kështu, ata nuk e arrijnë dot synimin e natyrshëm edukues e të shëndetshëm të fëmijëve të tyre.

Fjala është thelbësorja dhe esenca e edukatës, si rrjedhojë e kësaj, prindërit gjithmonë iu drejtohen fëmijëve me fjalë, i ulin në bankën e të pyeturit dhe komunikojnë me ta me fjalë; po ashtu i nxisin, i motivojmë ata me fjalë, apo edhe i lavdërojnë dhe i hidhërojnë, gjithashtu me fjalë. Të dhënit edukatë fëmijëve, ndodh ose nëpërmjet fjalëve, ose nëpërmjet veprimeve. Fjala është edukatëdhënie dialoguese, kurse veprimi është edukatëdhënës është jo dialogues dhe ajo që kontribuon në prapambeturi të edukimit është cilësia e ulët e dialogut dhe e trajtimit të fëmijës në aspektin e bashkëveprimit të fjalës!

Shumë nga prindërit përdorin fjalë që prishin disponimin dhe cilësinë e jetës tek fëmijët dhe shumë nga ato fjalë janë investuese për keq në devijimin e mëvonshëm të tyre. Njëra nga këto është ofendimi i fëmijës duke e përshkruar atë dhe duke i ngjitur paturpësisht karakteristikat e kafshëve, si p.sh: “Oj lopë, o kali, o gomar, o hajvan…” Ose vazhdon në ekstremin tjetër dhe e ofendon aq rëndë duke ia mallkuar edhe ditën në të cilën është lindur.

Fyerja e fëmijëve si p.sh: “Ti je gënjeshtar, i shëmtuar, i trashë, bezdisës” etj., përgjatë synimit të heqjes nga ata të cilësive negative veçse e rëndon më shumë gjendjen psikologjike të tyre. Krahasimi e shkatërron personalitetin e fëmijës, pra të krahasohet ai me një fëmijë tjetër, kjo sepse çdo fëmijë në vetën e tij ka aftësitë, avantazhet dhe talentet e tij, sigurisht, të ndryshme nga fëmija tjetër. Krahasimi, pa mëdyshje që do ta bëjë fëmijën tënd të ndjejë të meta apo ngecje në veten e tij. Veç këtyre, ai e vret edhe vetëbesimin me këtë pesimizëm që e merr dhuratë nga prindërit dhe fillon që të ndjejë urrejtje dhe inat ndaj fëmijës, me të cilën është krahasuar nga ana e prindërve.

Kushtëzimi i fëmijës me kthim të dashurisë, duke ia imponuar një vepër të caktuar, si p.sh.: “Unë nuk do të të dua për shkak se e bën këtë vepër, por në qoftë se e bën këtë do të të dua, apo nëse do të korrësh sukses!” Mësimet profetike nga psikologjia islame na mësojnë se nëse fëmijët bëjnë vepra te këqija atëherë prindërit duhet t’u drejtohen në atë mënyrë qe ta shprehë dashurinë e madhe ndaj tyre, se ata e duan shumë, mirëpo nuk ia duan veprat e tij.

Në këtë mënyrë efekti i edukimit kultivohet me dashuri ndaj të mirës dhe shmangie të sigurt ndaj veprave të këqija. Kjo është e papranueshme, ngase dashuria e kushtëzuar e bën fëmijën që të ndjejë se ai është i padashur dhe i padëshiruar, dhe kur të rritet ai do të ndjejë pakujdesje prej familjes, për shkak se gjersa ishte i vogël, ai ishte i padëshiruar për ta, ndaj dhe fëmijët dashurojnë dhe dashurojnë shumë, për shkak se dashuria e tyre është e pakushtëzuar.

Në ato raste kur i thuhet fëmijës: “Mos qaj”, “Mos bëj kështu”, “Foshnjërinë e ke lënë pas”, fëmija merr informacion të gabuar dhe kështu atij i ndrydhen emocionet dhe nuk i lihet që të çlirohen e të shfaqen ato. Prindi e zhgënjen fëmijën, duke ia mohuar të drejtën të mendojë, si p.sh.: me shprehjet si: “Mjaft ore”, “Ti s’kupton gjë”, “S’ka dobi nga ti” etj..

Le të jemi të kujdesshëm se çfarë fjalë themi e flasim në shtëpitë tona, sepse fjala ka ndikim jashtëzakonisht të madh tek ne. Të zbuluarit e fshehtësirave të fëmijëve përpara të tjerëve ka efekt shkatërrues për personalitetin e tyre, andaj të mos e nënvlerësojmë e nënçmojmë fjalën; të kujdesemi për fjalën përballë fëmijëve tanë, me të cilën ne ua ndërtojmë personalitetin dhe investojmë në zhvillimin e tyre. Me fjalë të mira dhe të matura, ne bëjmë që fëmijët tanë të jenë të plotësuar në të gjitha aspektet njerëzore.

Si përfundim kemi kuptuar që këto janë 5 pikat që e shkatërrojnë personalitetin e fëmijëve:

1. Fyerja
2. Krahasimi
3. Kushtëzimi
4. Informacioni i gabuar
5. Të zbuluarit e fshehtësive etj.

Autore: Valentina Shala