Dëmet që sjellin mendimet mëkatare
Dëmet që sjellin mendimet mëkatare
Autori: Sejjid Muxhteba Musavi LARI
Ashtu sikurse mendimet pozitive dhe sublime e çojnë njeriun drejt kryerjes së veprave të dobishme, po ashtu edhe mendimet e këqija e shtyjnë njeriun drejt pisllëkut, fëlliqësisë dhe njollosjes. Duke qenë se njeriu është një krijesë që mendon, ai së pari mendon, pastaj përkthen mendimet e tij në veprime.
Kur mendimet e papërshtatshme dhe të gabuara gjejnë rrugë në thellësi të qenies së njeriut dhe shpërndahen si farë e keqe, mendimet pozitive dhe të mira, të cilat janë si bimë të bukura, gradualisht eliminohen dhe vendi i tyre zihet nga mendimet e këqija. Si rezultat i këtyre mendimeve djallëzore, njeriu përgatitet të kryejë akte të shëmtuara që njollosin zemrën, shpirtin dhe shkatërrojnë jetën e njeriut.
Çdo pemë rritet dhe zhvillohet gradualisht dhe jep frutat e tij të ëmbla ose të hidhura. Një mendim i keq mëkatar, gjithashtu është si një farë, e cila nuk do të prodhojë frutë tjetër, përveç një vepre të keqe dhe mëkatare. Në mënyrë të pavullnetshme, njeriu pret, zbavitet dhe ndjek mendimet mëkatare, të cilat me kalimin e kohës lëshojnë gradualisht rrënjët e tyre në të gjitha cepat e shpirtit dhe rriten, duke u bërë një pemë e madhe dhe e fuqishme.
Megjithatë, arritja e fatmirësisë dhe e lumturisë kërkon një shpirt në qetësi dhe një zemër të pastër. Në qoftë se dritarja e shpirtit është e mbyllur për mendimet mëkatare, në të krijohet hapësira për zhvillimin dhe rritjen e mendimeve të vyera.
E pyetën një herë një njeri të madh: “Ku mund të gjendet lumturia?” Ai u përgjigj: “Në bukurinë e mendimit njerëzor.” Prandaj, njeriu duhet ta bllokojë burimin që në dalje të tij dhe të ndalojë mendimet e gabuara dhe të mbrapshta nga hyrja në mendjen e njeriut. Për më tepër, njeriu duhet të mësohet me të menduarit e gjërave të vlefshme dhe të dobishme.
Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“Edukojeni veten me dashurinë për të parashikuar dhe për të soditur dhe mësojeni veten me të kërkuarit falje, pasi kjo ju pastron nga mëkatet dhe papastërtitë dhe rrit shpërblimin tuaj”[1]
“Bëjeni zakon të mësuarit me pastërtinë e synimit dhe sinqeritetin e qëllimit, në mënyrë që të mund të keni sukses në përpjekjet dhe orvatjet tuaja.”[2]
Megjithëse nuk është kaq e lehtë të ndryshohen cilësitë personale që tashmë janë përvijuar, nëse njeriu bën përpjekje këmbëngulëse për të çrrënjosur karakteristikat e padëshiruara, që shpien personalitetin drejt dekadencës dhe shkatërrimit, duke dhënë aftësinë domethënëse të qenieve njerëzore për të marrë shprehi dhe zakone të mira dhe të dëshirueshme, vlerat njerëzore dhe virtytet gradualisht zënë rrënjë në mendje në mënyrë të natyrshme.
Në mënyrë që të arrijë te cilësitë madhështore fisnike, njeriu duhet të përqendrojë vëmendjen mbi tiparet e lavdërueshme, pasi me anë të vetësugjestionit të virtyteve të tilla, cilësive të merituara dhe zhvillimit të tyre, ai mund të arrijë rezultate të shkëlqyera.
Paul Clèment Jagot-i shkruan:
“Vetësugjestioni rregullon rreshtimin e trupave në betejën kundër zakoneve. Në vend që të hidhet vetë në sulm, ai paraqet ide të caktuara më të pandërgjegjshme, që janë kundërshtuese me ato që kanë nisur dhe janë krijuar nga një zakon i veçantë. Në këtë mënyrë, ai prodhon një lartësim gradual mendor tek aftësitë jetësore.
Problemi i parë që duhet të mbahet parasysh për të arritur këtë qëllim, është të tregosh vëmendje të plotë ndaj faktit, se çdo zakon mund të braktiset. ‘Unë mund ta çliroj plotësisht veten nga mëkati i tij dhe do ta arrij qëllimin’; këtë shprehje duhet t’ia përsërisë në mënyrë të vazhdueshme vetes. Në bazë të ligjit të vetësugjestionit, ky besim gradualisht merr përsipër një aspekt absolut, si rezultat i përsëritjes. Pavetëdija regjistron sugjestionin e mësipërm dhe heq ndjenjën e pakëndshme të detyrimit të pashmangshëm dhe kotësinë e rezistencës të prodhuar, si rezultat të nënshtrimit apo të skllavërimit ndaj zakonit, kotësia e të cilit mund të provohet nëpërmjet përvojës së bazuar.
Në qoftë se unë do të analizoj kënaqësinë e prodhuar tek unë, kur jepem pas një zakoni (të padëshiruar), do të jem i bindur se kjo kënaqësi mendore është e rëndësishme dhe do të jetë më mirë që, në vend që të kënaqesh, të shmangësh dëmet që shoqërojnë gjithmonë këtë lloj sjelljeje të gabuar.”[3]
[1] Al-Āmidī, Ghurar, f.192.
[2] Po aty, f. 492.
[3] Jagot, Paul Clèment, vepra e cituar, f.102.