b9077a32821fb201045eef6d5a114a9a

Hadithe mbi Imam Mehdiun (a.s)

Spread the love

   Hadithe mbi Imam Mehdiun (a.s)

  1. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Mehdiu është nga bijtë e mi. Ai do të ketë një kohë fshehjeje (ghajbet), në të cilën shumica e ummetit do të devijojë. Ai do të vijë me shenjat e profetëve e do ta mbushë botën me drejtësi e barazi, pasi të jetë mbushur më parë me zullum e padrejtësi.

 

  1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Populli ka për ta humbur Imamin e vet. Ai do të jetë i pranishëm në kohën e haxh’xhit e ka për ta parë popullin, por ata nuk do ta shohin atë.

 

  1. Esbagh bin Nebate përcjell si vijon:

 

Një ditë shkova pranë Prijësit të Besimtarëve Aliut (paqja qoftë mbi të). Vërejta se ishte thelluar në mendime dhe e trazonte dheun me gishtërinj. E pyeta: “Të pashë të rënë në mendime. Mos vallë e dëshiron sundimin e kësaj botë?” Ai u përgjigj: “Jo! Për Zotin, asnjëherë nuk e kam dashur këtë botë. Jam duke menduar për të njëmbëdhjetin nga pasardhësit e mi. Ai është Mehdiu, që do ta mbushë botën me drejtësi e barazi pasi të jetë mbushur me padrejtësi e mohim (kufr) më parë. Ai do të ketë një periudhë fshehjeje (ghajbet), në të cilën njerëzit do të mbeten të hutuar. Disa do të devijojnë në këtë kohë e disa do të udhëzohen.”

 

  1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur të dëgjoni se i zoti i kësaj pune (pra Imami i Kohës) është tërhequr në fshehtësi, mos e mohoni atë!

 

  1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Për Kaimin (Mehdiun) ka dy kohë fshehjeje (ghajbet). E para është e shkurtër, ndërsa e dyta e gjatë. Në të parën, askush përveç disa ndjekësve të zgjedhur nuk do t’ia dijë vendin. Në të dytën, vetëm miqtë e tij të veçantë kanë për të ditur ku është.

 

  1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur të shfaqet Kaimi, ai nuk do të ketë ndonjë premtim ndaj dikujt, as ndonjë marrëveshje dhe as ndonjë betim besnikërie (bej’a).

 

  1. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Mehdiu është nga soji im. Emri i tij është emri im dhe nofka e tij është nofka ime. Trajta e tij është si e imja dhe tradita e sjellja e tij është si sjellja dhe tradita ime. Ai ka për ta nxitur popullin drejt sheriatit e fesë sime dhe ka për ta ftuar drejt librit të Zotit tim. Ai që i bindet atij, më është bindur mua dhe ai që e kundërshton atë, më ka kundërshtuar mua. Kushdo që e mohon fshehtësinë e tij (ghajbet), më ka mohuar mua.

 

  1. Imam Zejnu’l-Abidini (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Ka disa ngjashmëri ndërmjet Kaimit tonë dhe profetëve të Zotit. Ai ka ngjashmëri me Nuhun, me Ibrahimin, me Isën, me Ejjubin e me Muhammedin (paqja qoftë mbi ta). Ai i ngjan Nuhut për nga jetëgjatësia, i ngjan Ibrahimit sepse të fshehtë e ka lindjen e është larg popullit, i ngjan Musës për shkak të gjendjes së tij të frikës e të fshehjes, i ngjan Isës për shkak se populli do të ketë mospajtime lidhur me të, i ngjan Ejjubit sepse do t’i vijë lehtësimi pas fatkeqësisë dhe i ngjan Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) sepse do të kryengritet me shpatë.

 

  1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Ka një kohë fshehjeje (ghajbet) për të zotin e kësaj pune (Mehdiun). (Në atë kohë) ai që e adhuron Zotin, le t’i druhet Atij dhe le të lidhet fort pas fesë së Tij!

 

  1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kjo çështje (pra shfaqja e Mehdiut) nuk ka për të ndodhur deri kur të mos mbetet asnjë grup e klasë nga populli, që nuk do ta ketë marrë sundimin njëherë, në mënyrë që asnjeri të mos mund të thotë: “Sikur të sundonim ne, do të sundonim me drejtësi.” Pas të gjithë atyre, Kaimi ka për t’u shfaqur me të vërtetën e me drejtësi.

 

  1. Përcillet se Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) tha: “Do të vijë një ditë për njerëzit, kur Imami do t’u jetë i fshehur.” Zurare e pyeti: “Ç’duhet të bëjnë atëherë?”Imami u përgjigj: “Le të vazhdojnë me punët e tyre (detyrimet fetare) derisa të shfaqet Imami.”

 

  1. Esbagh bin Nebate përcjell se lidhur me Mehdiun (paqja qoftë mbi të), Prijësi i Besimtarëve Aliu (paqja qoftë mbi të) tha: Ai ka për t’u tërhequr në një fshehje të tillë, sa njerëzit do të nisin të thonë se populli s’ka nevojë për Ehl-i Bejtin e Muhammedit.

 

  1. Ebu Saidi përcjell se kur Hasan ibn Aliu (paqja qoftë mbi të) bëri paqe me Muavije ibn Ebu Sufjanin, disa e kritikuan për këtë veprim të tij. Ai u përgjigj:

 

Turp t’ju vijë! A dini vallë ç’kam bërë? Për ndjekësit e mi, unë e bëra atë që është më e mirë se gjithçka mbi të cilën lind e perëndon dielli. A nuk e dini se unë jam Imami juaj, se duhet të më bindeni dhe se jam ai, për të cilin i Dërguari thoshte se është një prej prijësve të të rinjëve të parajsës?

 

“Po e dimë”, thanë njerëzit.

 

Ai vazhdoi: A e dini përse Musa ibn Imrani u zemërua aq shumë, kur Hizri e shpoi barkën, kur e drejtoi murin dhe kur e vrau fëmijën? Sepse nuk e dinte urtinë që fshihej pas këtyre veprimeve, të cilat pranë Zotit, ishin të drejta dhe plot urtësi. A nuk e dini se mbi secilin prej ne  pjesëtarëve të Ehl-i Bejtit, do të jetë sundimi i tiranit të kohës së tij, përveç në rastin e Kaimit (Mehdiut)? Zoti ka për ta mbajtur të fshehur lindjen e tij dhe do ka për ta fshehur atë. Andaj, kur të shfaqet, ai nuk do t’i ketë dhënë betim besnikërie asnjë sunduesi. Ai është pasardhësi i nëntë i tim vëlla Husejnit, që është djali i gruas më të mirë në mesin e grave. Gjatë fshehjes, Zoti ka për t’ia zgjatur jetën e pastaj ka për ta zbuluar para njerëzve në një moshë që është nën dyzet vjeç. Të gjitha këto janë që të dihet e të kuptohet se Zoti është i fuqishëm për çdo send.

 

  1. Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Nga mesi ynë janë dymbëdhjetë Imamët e udhëzimit. I pari prej tyre është Prijësi i Besimtarëve Ali ibn Ebu Talibi, ndërsa i mbrami është pasardhësi im i nëntë. Ai është që do të ngrihet me të vërtetën. Pasi të vdesë toka, Zoti ka për ta ringjallur atë nëpërmjet tij dhe ndonëse nuk duan idhujtarët, ka për ta bërë fitimtare fenë e tij karshi feve të tjera. Në kohën e fshehjes (ghajbet) së tij, disa fise do të dalin nga feja ndërsa disa të tjerë do të mbeten të lidhur për fenë. Këta të fundit do të vuajnë e do të pyeten: “Në e thoni të vërtetën, kur është ajo kohë (e shfaqjes së Imamit)?” Dijeni se të duruarit karshi vuajtjeve e përgënjeshtrimeve në kohën e fshehjes së tij, është njësoj si të keni bërë xhihad bashkë me të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij).

 

 

  1. Mufaddal ibn Umari përcjell se një ditë, Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) tha: “Dhjetë mijë vjet para se t’i krijonte krijesat, Zoti krijoi katërmbëdhjetë drita. Këto drita janë shpirtrat tanë.” Kur u pyet se kush ishin këta katërmbëdhjetë drita, ai tha: “Muhammedi, Aliu, Fatimeja, Hasani, Husejni dhe Imamët nga pasardhësit e Husejnit. I mbrami prej tyre është Kaimi, që do të shfaqet pas një kohe fshehtësie (ghajbet), do ta vrasë Dexh’xhallin dhe do ta pastrojë botën nga çdo lloj padrejtësie.