b67182e6b0d52a1aa6493b8268295da3

Këshilla nga Pejgamberi

Spread the love

Prifti dhe Profeti Muhamed

Tani do të përmendim disa pjesë të një hadithi të gjatë, ku përmendet një prift i krishterë që i parashtron shumë pyetje të Derguarit të Allahut s.a.a. në lidhje me fenë Islame dhe në fund bëhet Mysliman. Ky prift quhej Shem’un ibn Lavi dhe ishte pasardhës i një havariuni të Isës (a.s.) me emrin Jahuda, i cili ishte mjaft i njohur në kohën e Hz Resulullahut (s.a.a.).

Çka është mendja ?

Shem’uni e pyet Resulullahun s.a.a :

-“Më jep njohuri në lidhje me mendjen. Çka është mendja? Çfarë është ajo? Cilat janë produktet e mendjes? Më shpjegoni të gjitha detajet në lidhje me këtë?”

– Resulullahu (s.a.a.) iu përgjigj: “Mendja është pranga e paditurisë. Nefsi (egoja) i përngjan shtazës më të keqe; nëse nuk prangoset, ai do të lazdrohet. Allahu e krijoi mendjen dhe i urdhëroi atij “Afrohu”, dhe ai u afrua. Pastaj i tha: “Kthehu” dhe ai u kthye. Më pastaj, Allahu Teala urdhëroi në këtë mënyrë: “Betohem në madhërinë dhe lartësinë Time, nuk kam krijuar asgjë më të dëgjueshëm as më të mrekullueshëm se ti; me ty do ta fillojë krijimin dhe me ty do ta përtërijë atë. Shpërblimi do të jetë për ty dhe dënimi do të jetë për ty” (Sepse, ai që nuk ka mend nuk do të japë llogari para Allahut).

Pastaj, vazhdoi me ndërlidhjet në këtë mënyrë: Prej mendjes, rrjedh pjekuria, prej pjekurisë, dituria, prej diturisë, maturia, prej maturisë, ndershmëria, prej ndershmërisë, të ruajturit e vetes, prej të ruajturit të vetes, turpi, prej turpit, serioziteti, prej seriozitetit, rrjedh vazhdimësia e punëve të mbara, prej vazhdimësisë së punëve të mbara, rrjedh urrejtja për të këqijat dhe prej urrejtjes për të këqijat, u nda bindja ndaj atij që këshillon. Këto janë dhjetë produktet e së mbarës që rrjedhin nga mendja. Çdonjëra prej tyre ndahet në dhjetë nënprodukte tjera.

Produktet e pjekurisë

Produktet e pjekurisë janë: Sjellja e mirë, shoqërimi me njerëzit e mirë, largimi nga poshtërimi, largimi nga sjelljet e ulëta, dëshira e madhe për mirësi, afrimi te shkallët e larta, falja e të tjerëve, të jetuarit mirë, dhënia e dhuratave dhe mos shqiptimi i fjalëve të kota.

Produktet e diturisë

Produktet e diturisë janë: Pasuria krahas varfërisë (ta shohësh vetveten të pasur nëpërmes diturisë); bujaria (xhymert), krahas koprracisë (njeriu mund të jetë koprrac nga vetvetja, por nëpërmes diturisë bëhet bujar); të qenët madhështor, krahas thjeshtësisë; të qenët i shëndoshë, krahas sëmundjes (edhe nëse trupin e ka të sëmurë, moralin e ka në vend); të qenët afër, krahas largësisë; të qenët i turpshëm, krahas insistimit dhe inatit; lartësimi krahas përbuzjes; ndershmëria krahas përuljes; të fituarit e urtësisë, respektit dhe pozitës. Këto janë gjërat që mund të përfitohen përmes diturisë së mendjes. Atëherë, lum për atë që mund të bëhet dijetar dhe i mençur.

Produktet e maturisë

Produktet e maturisë janë: E vërteta, udhëzimi në rrugën e drejtë, bamirësia, devotshmëria, arritja e suksesit, përmbajtja e vetes, të qenët ekonomik në jetë, shpërblimi, fisnikëria dhe njohuria për fenë e Allahut. Këto janë gjërat që përvetësohen përmes pjekurisë. Atëherë, i lumtë atij që është i qëndrueshëm në këtë rrugë.

Produktet e ndershmërisë

Produktet e ndershmërisë janë: Pajtimi me fatin, modestia, përfitimi nga të mirat, qetësia e brendshme, interesimi për gjendjen e atyre që janë nën kujdesin tënd, natyra e turpshme, përmendja (të qenët i vëmendshëm), përkujtimi, dhënia e dhuratave dhe të qenët xhymert. Këto janë gjërat që i përfiton zotëruesi i mendjes përmes ndershmërisë dhe të të treguarit të kënaqësisë për furnizimin e dhënë nga ana e Allahut.

Produktet e ruajtjes së vetes

Produktet e ruajtjes së vetes janë: Qetësimi (rehatia), përulja, asketizmi, pendimi, mirëkuptimi, edukata, dhurimi, fitimi i simpatisë, kryerja e punëve të mbara dhe largimi nga të këqijat. Këto i përfiton zotëruesi i mendjes nëse ruhet prej mëkateve. Atëherë, lum për ata që ruhen.

Produktet e ruajtjes së vetes

Produktet turpit janë: Natyra e butë, ndjeshmëria, të ruajturit nga Allahu, haptas dhe fshehtas, korrektësia, ruajtja nga të këqijat, fytyra e buzëqeshur, bujaria, suksesi dhe përmendja për të mirë në mesin e popullit. Këto janë përfitimet e zotëruesit të mendjes përmes turpit. Lum ai që pranon këshillat e Allahut dhe që frikohet prej zbulimit të tij nga ana e Allahut.

Produktet e seriozitetit

Produktet e seriozitetit janë: Dashamirësia, marrja e masave paraprake, zbatimi i amanetit, largimi nga tradhtia, të folurit e drejtë, të qenët i ndershëm (ruajtja nga prostitucioni), mirëmbajtja e mallit (duke e mbrojtur dhe duke e harxhuar me vend), parapërgatitja kundrejt armikut, shmangia nga e keqja dhe largimi nga pakujdesia. Këto janë përfitimet e zotëruesit të mendjes nga serioziteti. Lum ai që është serioz dhe që nuk është xhahil dhe mendjelehtë, i cili i fal të tjerët dhe që shtiret gjoja se nuk i vëren gabimet (të metat) e të tjerëve.

Produktet e punëve të mbara

Produktet e vazhdimësisë së punëve të mbara: Braktisja e punëve të liga dhe të shëmtuara, largimi nga pamendja, shmangia nga mëkatet, arritja e bindjes së sigurt, dashuria ndaj shpëtimit, bindja ndaj të Mëshirshmit, të treguarit respekt ndaj argumentit dhe faktit, ruajtja nga shejtani, nënshtrimi ndaj drejtësisë dhe të folurit e së vërtetës. Këto janë përfundimet e zotëruesve të mendjes që u përmbahen vazhdimësisë së punëve të mbara. Lum për atë që nuk e harron të ardhmen dhe ditën e ringjalljes, dhe që merr mësim prej kalueshmërisë së kësaj bote.

Produktet e urrejtjes së të këqijave

Produktet e urrejtjes së të këqijave janë: Serioziteti, durimi, suksesi, të qenët në rrugën e drejtë dhe të qartë, vazhdimësia e rrugës së drejtë, mbështetja dhe respekti ndaj Allahut, pastërtia e brendshme, largimi nga punët e kota dhe ruajtja e punëve të dobishme. Këto janë përfitimet e atyre që nuk e donë sherrin. Lum për ata që e çojnë në vend hakun e Allahut dhe për ata që lidhen për litarët e sigurt të Allahut.

Produktet e bindjes

Produktet e bindjes ndaj atij që këshillon janë: Shtimi i diturisë, pjekuria e mendimit, fitimi i rezultateve pozitive, të qenët larg prej kritikave, pranimi i së vërtetës, miqësia, hapja e brendësisë, të qenët i mëshirshëm, tejkalimi i të tjerëve në punët e mbara dhe të qenët i fuqishëm në bindjen ndaj Allahut. Lum për atë që është i shpëtuar prej arenës së pasioneve dhe epsheve. Të gjitha këto kualitete morale, burojnë prej mendjes.

Marrë nga libri “ Dhuratë Mendjeve”