885d5457cd7d5f6afe1072fe077caa45

Kuptimi i fjalës Shejtan në Kur’an

Spread the love

Kuptimi i fjalës Shejtan në Kur’an

Shejtan është çdo krijesë mashtruese, keqbërëse, e pabindur, qoftë njeri apo jonjeri.

 

Fjala shejtan e ka burimin te lënda “shetane” dhe “shatin”, që do të thotë i keq, i ulët. Fjala shejtan i vihet një ekzistence kundërshtuese e mosbindjes, qoftë ky, njeri ose jonjeri. Po ashtu ka edhe kuptimin e shpirtit të keq, i largët nga e vërteta. Mes gjithë këtyre kuptimeve ka masë të përbashkët. Shejtan është emër i përgjithshëm, race, kurse “iblis” është emër i përveçëm. Me fjalë të tjera; shejtan është çdo krijesë mashtruese, keqbërëse, e pabindur, qoftë njeri apo jonjeri.

Iblis është emri i shejtanit që mashtroi Ademin. Gjithmonë ai thur kurthe për bijtë e Ademit.  Në vendet që kjo fjalë është përdorur në Kur’an kuptohet se fjala shejtan ka kuptimin e çdo krijese keqbërëse, dëmtuese ose devijuese që përpiqet në përhapjen e përçarjes, të shkatërrimit e të konfliktit. Siç thuhet në suren “Maide” ajeti 91: “Vërtet, djalli kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje…” Në përdorimin e foljes “juridu”, “don”, në kohën e tashme, që përmendet në ajet, ka argument për vazhdimësinë e dëshirës së shejtanit në këtë veprim.

Përdorimi i fjalës shejtan, në Kur’an, përfshin deri edhe njerëzit keqbërës e kundërshtues të mesazhit hyjnor, siç thotë Allahu në suren “En’am”, ajeti 112: “Kështu, çdo profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë prej njerëzve dhe prej xhindëve…” Po ashtu, fjala shejtan është vendosur edhe për “iblisin” për shkak të shthurjes e shkatërrimit të tij. Edhe mikrobet e dëmshme i përfshin fjala shejtan, siç thuhet në një hadith të përcjellë nga imam Aliu (paqja qoftë mbi të!): “Mos pini ujë nga e thyera e enës dhe as nga ana e dorezës së saj, sepse shejtani qëndron mbi to”

Nga imam Sadiku është përcjellë hadithi që thotë: “Nuk pihet te gryka e kupës e as nga e thyera, nëse ka në të, sepse ajo është ‘vendpirje’ e shejtanit.” Është transmetuar se Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij!), i cili ka thënë: “Askush prej jush të mos i zgjasë mustaqet sepse shejtani i merr ato ‘vendfshehje’ e mbulimi.”  Ne nuk synojmë që kuptimi i fjalës “shejtan” është për çdo mikrob kudo që ndodhet, por synimi ynë është se për atë fjalë ka disa kuptime dhe njëri prej tyre është iblisi me ushtarët e përkrahësit e tij.

Dhe një tjetër vërtetësi e kuptimit të fjalës shejtan, janë njerëzit keqbërës e të shthurur. Në disa vende përdoret edhe me kuptimin e mikrobeve dëmprurëse.

 Përse u krijua shejtani?

 Nganjëherë shtrohet pyetja rreth shkakut të krijimit të kësaj krijese humbëse e mashtruese. Për përgjigjen e kësaj pyetjeje themi: Së pari, Allahu nuk e ka krijuar shejtanin shejtan. Argument për këtë është prania e tij në mesin e melekëve të Zotit. Pra, ai ka pasur natyrshmëri të pastër. Por, pasi u çlirua, vepronte keq dhe ishte i vendosur për mosbindje e kundërshtim. Ai është krijuar i pastër dhe e ndoqi rrugën e drejtimit me zgjedhje, por ai e zgjodhi vetë atë rrugë.

Së dyti, sipas pikëpamjes së sistemit krijues, prania e shejtanit nuk u shkakton dëm personave besimtarë e as kërkuesve të së vërtetës. Përkundrazi, ai është mjet i përparimit e i përsosurisë së tyre, sepse përparimi dhe përsosuria plotësohen nëpërmjet konfliktit të të kundërtave.

Me fjalë më të qarta: Fuqitë dhe energjitë e njeriut që ka në brendi të tij, nuk ndizen e as nuk shpërthejnë kur ai është në qetësi, por ato ndizen atëherë kur njeriu përballet me armikun më të fortë. Ky armik çon në lëvizjen e fuqive të njeriut e më pas çon në përparimin e plotësimin e tij. Filozofi bashkëkohor Tuijnbi thotë: “Qytetërimi në botë është shfaqur kur një popull prej popujve është sulmuar nga një sulm i jashtëm i fortë. Ky sulm çon në shpërthimin e aftësive e të energjive, për të prodhuar qytetërim të tillë.

 

Përgatiti Revista Vlera

Komentimi i përsosur i Kuranit, Xhyzi i parë