802dadd83d5e4ea608d2d1e43353d834

PARZMORJA E MADHE

Spread the love

Kjo duà (lutje) është emërtuar “Parzmorja e Madhe”, dhe është përcjell prej imam Zejnel Abidijnit i mbiquajturi imami “Sexh’xhàd”, i cili e ka dëgjuar prej babait të tij, Imam Husejnit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), prej gjyshit të tij imam Aliut (Allahu i ndriçoftë fytyrën) dhe ky i fundit prej Profetit [a.s.].

Imam Zejnel Abidijni tregon: “Kur Profeti [a.s.] ishte në njërën nga luftrat që u detyrua të bënte, i zbriti Xhibrili [a.s.] dhe e gjeti të ndjente dhembje prej parzmores së rëndë që mbante. Xhibrijli [a.s.] i tha: O Muhammed, Zoti yt të çon selam (të përshëndet) dhe të thotë hiqe këtë parzmore dhe këndo këtë duà, e cila është siguri dhe mbrojtje për ty e për ummetin tënd.

Xhibrijli [a.s.] vazhdoi t’i shpjegojë gjerë e gjatë mirësitë  e kësaj lutjeje; ndër të tjera i shpjegoi se kjo duà është me vlerë të këndohet edhe në fillim të muajit të bekuar të Ramazanit, në mes të këtij muaji dhe Natën e Kadrit dhe shtoi duke i thënë se Allahu pranë personit që lutet me këtë duà dërgon edhe shtatëdhjetë mijë melaike (engjëj) që bëjnë tesbijhat (madhërojnë) dhe së bashku me lutësin kërkojnë mëshirën dhe mirësitë e Allahut. Zejnel Abidini tregon se babai i tij i ka kërkuar atij që këtë duà ta mësojë përmendësh, ashtu siç e kishte porositur edhe atë vetë i ati, prijësi i besimtarëve, Ali ibn Ebi Tàlibi (Allahu i ndriçoftë fytyrën).

Në këtë lutje-meditim Allahu i Madhëruar thirret vetëm me emrat e Tij të bukur, ashtu siç ka urdhëruar vetë i Larti në fjalën e Tij të nderuar: «Allahu ka emrat më të bukur, prandaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me ato (emrat e bukur) …» (Sure “El-A’ràf”, ajeti 180). Në këtë duà, çdo emër nga njëqind emrat e bukur të Allahut, është i shoqëruar edhe me dhjetë cilësi të larta të emrit të bukur përkatës me të cilat Allahu e ka përshkruar Veten e Tij të Lartësuar.

Çdo emër i bukur fillohet me “Bismillàhirr-Rrahmànirr-Rrahijm” “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëmadhit” dhe mbyllet me lutjen: “Subhàneke jà là ilàhe il-là ente, elgauthe, elgauthe, elgauthe, khal-lisnà minen’nàri jà Rabb”
(Ty nuk të mungon asgjë e nuk ke nevojë për asgjë, o Ti që nuk ka zot tjetër veç Teje, ndihmë, ndihmë, ndihmë, na shpëto ne prej Zjarrit, o Zot!).