b41427f8e75b29130d89b2f55f63215a

Letra e Imam Aliut për guvernatorin e tij Malik el-Eshter

Spread the love

 Letra e Imam Aliut për guvernatorin e tij Malik el-Eshter

Historiani Mes‘udi[1] e pranon që Imam Aliu ishte autor i jo më pak se 480 traktateve, ligjëratave dhe korrespodencave me tema të ndryshme lidhur me filozofinë, fenë, jurisprudencën dhe politikën, të mbledhura nga Zaid Ibn Wahab gjatë kohës kur ka jetuar vetë Imami. Këto kontribute çmohen shumë si për përmbajtjen e tyre ashtu edhe për vlerën e tyre të brendshme letrare, kështu që disa veprat e tij madhore janë bërë tema studimi në kolegje dhe universitete islame. Reputacioni i Imam Aliut duket të jetë bërë i njohur në Evropë në periudhën e renesansës ngase Edward Powcock (1604-91), profesor në Universitetin e Oksfordit, në vitin 1639 kishte mbajtur një seri ligjëratash për “Retorikën” e Imamit dhe ishte ai që publikoi përkthimin e parë në anglisht të “Thënieve” të Imamit.

Këtu e paraqesim letrën e njohur këshilluese të Imam Aliut, në kohën kur ai ishte halif, drejtuar guvernatorit të Egjiptit, Malik el-Eshter, e cila bazohet në përkthimin e Rasheed Turabi. Letrën, sipas Fehrist-i-Tusi (fq. 33), e ka kopjuar për herë të parë Asbagh bin Nabata në kohën sa ishte gjallë vetë Imam Aliu dhe më vonë është riprodhuar nga shkollarët e ndryshëm islam të cilët i janë referuar kësaj letre në shkrimet e tyre; kryesorët prej tyre kanë qenë Nasr ibn Mazahim (148 A.H.[2]), Jahiz Basari (255 A.H.), Syed Razi (404 A.H.), Ibn-i-Abil Hidaid dhe Allama Mustafa Bek Najib, shkollari i mirënjohur egjiptian i cili ende jeton. Ky i fundit, e konsideroi këtë letër “si udhëzues themelor për administratën islamike”.

Letra e halifit Ali drejtuar Malik el-Eshter-it

Thesari më i madh

Po të njoftoj, o Malik, se po të dërgoj si Guvernator në një vend i cili në të kaluarën ka përjetuar pushtetin e drejtë si dhe të padrejtë. Njerëzit do t’i vështrojnë me vëmendje dhe sy kritik veprimet e tua, ashtu siç i ke vështruar ti veprimet e atyre para teje, dhe do të flasin për ty sikurse ke folur ti për të tjerët. Është fakt që njerëzit flasin mirë vetë për ata që bëjnë vepra të mira. Ata janë dëshmi për veprimet e tua. Prandaj, thesari më i madh që mund ta lakmosh është thesari i veprave të mira. Mbaji dëshirat e tua nën kontroll dhe mos i lejo vetës ato gjëra që i ke të ndaluara, sepse, me anë të vetëpërmbajtjes, do të jesh në gjendje të dallosh çka është mirë për popullin e çka jo.

            Krijo në zemrën tënde ndjenjën e dashurisë për njerëzit e tu dhe le të jetë ajo burim i mirësisë dhe bekim për ata. Mos u sjell me ata si barbar dhe mos e përvetëso për veten atë që i takon popullit. Mbaje në mend që njerëzit i takojnë dy kategorive, ose se i ke vëllezër të fesë ose i ke vëllezër të sojit tënd. Ata mund të shfaqin dobësi dhe janë të prirur të bëjnë gabime. Disa prej tyre edhe do të bëjnë gabime. Por fali ata ashtu siç do të doje që Zoti të të falte ty. Mbaje në mend që ti je caktuar mbi ta, ashtu siç jam caktuar unë mbi ty. Por është Zoti ai që është mbi atë që ty ta ka dhënë pozitën e guvernatorit në mënyrë që të kujdesesh për ata që janë nën ty. Dhe do të gjykohesh për ato që bën për popullin.

Mos e kundërshto Zotin, sepse ti as nuk ke forcë të mbrohesh nga pakënaqësia e Tij, as nuk mund ta përjashtosh veten nga rrethi e Tij i mëshirës dhe faljes. Mos u pendo për ndonjë falje që e ke bërë, e as mos u gëzo për ndonjë dënim që ia ke caktuar dikujt. Mos u nis nga zemërimi se asnjë e mirë nuk të del.

            Mos thuaj: “Unë jam sundimtari dhe diktatori juaj dhe ju duhet t’i bindeni urdhërave të mi” ngase ky lloj qëndrimi do ta korruptojë zemrën tënde, do ta dobësojë besimin tënd ndaj fesë dhe do të shkaktojë rrëmujë në shtet. Nëse ngazëllehesh nga pushteti apo krijon në mendjen tënde qoftë edhe pak mendjemadhësi dhe arrogancë, atëherë mendoje fuqinë dhe madhështinë e pushtetit hyjnor të universit ndaj të cilit nuk ke absolutisht asnjë kontroll. Kjo ia kthen sensin e baraspeshës intelegjencës sate kokëforte dhe ta jep sensin e qetësisë dhe dashamirësisë. Kujdes! Kurrë mos e kundërshto madhështinë dhe fisnikërinë e Zotit dhe kurrë mos e imito plotfuqishmërinë e Tij; ngase Zoti e ka nënshtruar çdo person që është rebeluar kundër Tij dhe çdo tiran të njerëzimit.

            Respektoje Zotin dhe njerëzit përmes veprave tuaja dhe gjithashtu bindi shokët dhe të afërmit tuaj të veprojnë njëjtë. Përndryshe do t’i shkaktosh padrejtësi edhe vetës edhe njerëzimit. Sepse ashtu, edhe Zoti edhe njerëzit do të bëhen armiqët e tu. Nuk ka shpëtim askund për atë person i cili Zotin e kthen në armikun e vetë. Ai do të konsiderohet që është në luftë me Zotin derisa të pendohet dhe të kërkojë falje. Asgjë nuk e privon njeriun nga bekimi hyjnor dhe as nuk e nxit zemërimin hyjnor kundër tij më lehtë sesa vetë mizoria e tij. Zoti e dëgjon zërin e të shtypërve dhe e ndëshkon shtypësin.

Njeri i zakonshëm

            Bëhu i drejtë në udhëheqjen tënde dhe kërko pëlqimin e popullit, sepse pakënaqësia e popullit mund ta shkatërrojë kënaqësinë e disa të privilegjuarve, ndërsa pakënaqësia e disave gjithnjë humbet në kënaqësinë e shumicës. Mbaje në mend që disa të privilegjuar nuk do të jenë afër teje në momentet e tua të vështira: ata do të mundohen ta anashkalojnë drejtësinë, ata do të kërkojnë më shumë se çka meritojnë dhe nuk do të shfaqin mirënjohje për të mirat që u ke bërë. Ata nuk do t’i binden gjyqeve dhe nuk do të pendohen për gabimet e tyre. Është njeriu i zakonshëm ai që paraqet fuqinë e Shtetit dhe Fesë. Është ai që lufton kundër armikut. Prandaj, rri afër njerëzve dhe kujdesu për mirëqenien e tyre.

            Qëndro larg nga personi që kqyr me i nxerr në pah dobësitë e tjerëve. Megjithatë, njerëzit nuk janë të lirë nga dobësitë. Është detyra e udhëheqësit që t’i mbrojë nga ato. Mos u mundo me i nxerr në pah ato që janë të fshehura, por mundohu t’i largosh ato dobësi që janë shfaqur. Zoti ka njohuri për gjithçka që është e fshehur prej teje dhe Ai do të merret me ato gjëra. Mundohu t’i mbulosh dobësitë e popullit dhe Zoti i mbulon dobësitë e tua. Zgjidhe nyjen e urrejtjes së ndërsjelltë ndërmjet popullit dhe administratës dhe eliminoji krejt ato shkaqe që mund t’i nxisin raportet e tensionuara ndërmjet tyre. Mbroje veten nga çdo veprim që mund të të duket i padrejtë. Mos u ngut me konfirmu çdo thashethem, sepse ai që bën thashetheme është mashtrues i veshur në petkun e mikut.

Këshilltarët

Kurrë mos prano këshillë nga personi koprrac, sepse ai e ka për qëllim ta dëmtojë zemërgjerësinë tënde dhe të të frikësojë se do të bëhesh i varfër. As mos prano këshillë nga personi frikacak, sepse ta dobëson vendosmërinë. Mos prano këshillë as nga personi lakmitar, sepse ta nxit lakminë dhe të shndërron në tiran. Koprracia, frikacakllëku dhe lakmia e privojnë njeriun nga besimi i tij në Zot.

Më i keqi nga këshilltarët është ai person që ka shërby si këshilltar për udhëheqësit e padrejtë dhe ka qenë bashkëpjesëmarrës në krimet e tyre. Kështu që kurrë mos lejo që të bëhen këshilltarët e tu ata persona që kanë qenë shokë të tiranëve dhe kanë marrë pjesë në krimet e tyre. Mund të gjesh njerëz më të mirë se këta, mund të gjesh njerëz inteligjent dhe mendjehapur dhe të panjollosur me mëkate, njerëz që asnjëherë nuk e kanë ndihmuar tiranin në ushtrimin e tiranisë apo kriminelin në kryerjen e krimeve. Njerëzit e tillë nuk do të jenë asnjëherë barrë për ty. Në anën tjetër, ata do të jenë burim i ndihmës dhe forcës për ty në çdo moment. Ata do të jenë shokët e tu dhe të huaj për armiqët e tu. Zgjedhi vetëm njerëzit e tillë që të jenë shokët e tu në jetën private dhe publike. Bile edhe në mesin e tyre, zgjedhi ata që më së shumti e çmojnë të vërtetën dhe që nuk të inkurajojnë në shfaqjen e tendencave të cilat Zoti nuk ka dëshirë që shokët e Tij t’i krijojnë.

            Mbaji afër vetës ata që janë të drejtë dhe që i frikësohen Zotit dhe bëju me dije që nuk ke dëshirë të të bëjnë lajka e as të të japin merita për ndonjë vepër që nuk e ke bërë, sepse tolerimi i lajkave dhe lavdërimit të pamerituar e stimulon mendjemadhësinë te njeriu dhe e bën arrogant.

            Mos e trajto të mirin dhe të keqin njëjtë se ashtu i miri do të përmbahet nga të bërit mirë ndërsa i keqi do të inkurajohet të vazhdojë të bëjë keq. Shpërbleji njerëzit sipas meritave të tyre. Mbaje në mend që besimi dhe dashamirësia ndërmjet udhëheqësit dhe të udhëhequrve ushqehet vetëm përmes bujarisë, drejtësisë dhe përkushtimit. Prandaj, kultivoje dashamirësinë ndërmjet njerëzve; sepse dashamirësia e tyre të ndihmon me ju ik telasheve. Mirësia jote ndaj tyre do të shpërblehet me besimin e tyre, ndërsa keqtrajtimi me mllefin e tyre.

            Mos i shpërfill traditat bujare që i kanë kriju paraardhësit tanë, të cilat e promovojnë harmoninë dhe përparimin në mesin e njerëzve; dhe mos nis diçka që mund ta minimizojë dobinë e tyre. Njerëzit që i kanë kriju këto tradita e kanë marrë shpërblimin e tyre; por përgjegjësia do të jetë e jotja nëse prishen ato. Mundohu gjithmonë që të mësosh diçka nga përvoja e njerëzve të mençur dhe të urtë dhe konsultohu shpesh me ta për çështjet e shtetit në mënyrë që ta vazhdosh paqen dhe rendin, të cilët i kanë vendos pararendësit e tu.

Shtresat e ndryshme të njerëzve

            Mbaje në mend që njerëzit përbëhen prej shtresave të ndryshme. Progresi i njërës varet nga progresi i tjetrës dhe asnjëra nuk mund të jetë e pavarur nga tjetra. Ne e kemi ushtrinë e formuar me ushtarët e Zotit. I kemi zyrtarët civilë dhe administratat e tyre, gjyqësorin tonë, inkasantët e tatimeve dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun. Popullsia e përgjithshme përbëhet nga muslimanët dhe të tjerët dhe në mesin e tyre ka tregtarë dhe zanatlinjë, por dhe të papunësuar dhe të varfër. Zoti ka caktuar për ta të drejtat, përgjegjësitë dhe obligimet. Të gjitha janë të definuara në Kuranin e Shenjtë dhe në traditat e Profetit.

Ushtria, me madhështinë e Zotit, është si një kala për njerëzit dhe i jep dinjitet shtetit. E mban prestigjin e besimit dhe e siguron paqen ne vend. Pa të shteti nuk mund të qëndrojë. Por as ajo nuk mund të qëndrojë pa përkrahjen e shtetit. Ushtarët tanë janë dëshmuar të fortë para armikut tonë sepse Zoti u ka dhënë privilegj që të luftojnë për Atë; por ushtarët i kanë nevojat e tyre materiale që duhet t’i përmbushin dhe prandaj janë të varur nga të ardhurat që u jep shteti. Edhe ushtrisë edhe popullsisë civile, e cila paguan tatimet, i duhet bashkëpunimi me të tjerët – gjyqsorin, zyrtarët civilë dhe administratat e tyre. Gjykatësi zbaton ligjin civil dhe penal; zyrtarët civil mbledhin të hyrat dhe merren me administratën civile. Dhe pastaj vijnë tregtarët të cilët e shtojnë buxhetin e shtetit. Ata i menaxhojnë tregjet dhe janë në pozitë më të mirë se të tjerët për t’i kryer obligimet sociale. Pastaj vjen shtresa e njerëzve të varfër dhe në nevojë, të cilën shtresat tjera kanë obligim ta mbajnë. Zoti u ka dhënë të gjithëve mundësinë për të qenë të dobishëm; pastaj vijnë të drejtat e të gjitha këtyre shtresave ndaj administratës së shtetit, të cilat udhëheqësi duhet t’i plotësojë në të mirën e gjithë popullsisë – një detyrë që nuk mund ta kryejë si duhet pa e larguar interesin personal dhe pa kërkuar ndihmën e Zotit. Është e obligueshme për udhëheqësin që t’ia caktojë vetës këtë detyrë dhe të jetë i durueshëm me peripecitë dhe vështirësitë që mund t’i dalin gjatë kryerjes së detyrës së tij.

Pjesë nga Libri “ Shtegu i Elokuencës “

Përgatiti : Redaksia VLERA

 

[1] Masudi, “Murooj-uz-Zahab”, Vol. II, Egypt, p. 33.

[2] A.H. = Pas Emigrimit të Profetit Muhamed nga Meka në Medinë më 622.