
LINDJA E MUHAMEDIT s.a.a. DHE VITET E HERSHME TË JETËS SË TIJ
Abdullahu ishte djali më i dashur i Abdul-Muttalibit. Kur i mbushi të shtatëmbëdhjetat, ai u martua me Eminen, një grua fisnike nga Jethribi, qyteti në veri të Mekkes. Megjithatë, atij nuk i ishte shkruar të jetonte gjatë dhe vdiq vetëm shtatë muaj pas martesës së tij. Muhammedi, i Dërguari i Zotit, ishte një fëmijë i lindur pas vdekjes së të atit.
Shejh Muhammed el-Khidhri Buck, profesor i historisë islame në Universitetin Egjiptian në Kairo, thotë: “Ai (Muhammedi) u lind në shtëpinë e xhaxhait të tij Ebu Talibit, në “distriktin” e Hashimitëve në Mekke, në ditën e dymbëdhjetë të muajit Rebbi el-Evvel (muaji i tretë) të “vitit të elefantit”, një datë e cila sipas llogaritjeve është 8 Qershori i vitit 570 pas Krishtit. Mamia e tij ishte nëna e Abdurrahman ibn Auf-it. Nëna e tij Eminja, i dërgoi sihariqe Abdul Muttalibit, i cili erdhi menjëherë, e mori në krahë foshnjen dhe e quajti Muhammed”.
Hisja e Muhammedit në trashëgiminë e të atit ishte një robëreshë e quajtur Umm Ejmen, pesë deve dhe dhjetë dele. Ky është një vërtetim se profetët mund të trashëgonin pasuri dhe nëse mund të trashëgonin atëherë do të thoshte se edhe mund t’u linin fëmijëve të tyre si trashëgim. Të qenit profet nuk e pengon njeriun nga të trashëguarit e pasurisë së tij dhe nuk i pengon fëmijët e tij të trashëgojnë nga ai. Kjo çështje mund të duket pa ndonjë lidhje me këtë temë, mirëpo nuk është e tillë. Muhammedi, profeti i Islamit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), ia kishte falur të bijës, Fatimesë, tokat e Fedekut. Por kur vdiq profeti, Ebu Bekri (Kalifi i parë) dhe Umeri (Kalifi i dytë dhe këshilltari i të parit) e konfiskuan këtë pronë me pretendimin se profetët nuk u lënë trashëgimi fëmijëve të tyre dhe se gjithçka që ata lënë pas i takon shoqërisë islame dhe jo pasardhësve. Ky ishte një dënim i çuditshëm që duhej ta paguante djali ose vajza e një profeti. Secili njeri tjetër në shoqërinë islame kishte të drejtë të trashëgonte pasuri nga i ati përveç të bijës të të Dërguarit të Zotit, Muhammedit.
Ekzistonte një traditë në mesin e arabëve, sipas të cilës ata i dërgonin fëmijët e tyre në shkretëtirë për t’i kaluar vitet e hershme të fëmijërisë në një klimë që ishte më e shëndetshme se ajo e Mekkes. Falë kësaj, fëmijët bëheshin më të shëndetshëm dhe e thithnin ajrin e pastër të shkretëtirës, i cili ishte më i shëndetshëm se klima aspak e këndshme e qytetit.
Një tjetër arsye e dërgimit të fëmijëve në shkretëtirë ishte fakti se arabët ishin mjeshtër të gojëtarisë dhe puristë të skajshëm kur bëhej fjalë për gjuhën. Ata e adhuronin gjuhën arabe me fjalët e saja me ato nuanca të ndryshme kuptimore dhe krenoheshin mjaft me gojëtarinë e tyre. Madje shumë shpesh, klasat aristokrate të Mekkes e mbështesnin autoritetin e tyre pikërisht në fuqinë retorike. Mekka ishte vendtakimi i karvanëve dhe si e tillë, arabishtja e saj nuk kishte arritur ta ruajë pastërtinë e duhur. Aristokratët arabë nuk dëshironin që fëmijët e tyre ta flisnin atë gjuhë “të rrugës” dhe për këtë i dërgonin në shkretëtirë, për ta mësuar gjuhën e pastër të shkretëtirës. Për këtë arsye, fëmijët e tyre largoheshin nga Mekka në vitet e hershme të fëmijërisë dhe me këtë mbroheshin nga ndikimet kulturore të këtij fenomeni.
Eminja ia dha Halimes djalin e saj Muhammedin. Halimja i takonte fisit Esad që jetonte në lindje të Mekkes. Muhammedi i kaloi katër vitet e para të jetës së tij në shkretëtirë, nën kujdesin e Halimes. Sipas historisë, ajo e ktheu atë në Mekke në vitin e pestë të jetës së tij. Muhammedi ishte vetëm gjashtë vjeç kur i vdiq e ëma Eminja. Atëherë ai mbeti nën përkujdesjen e gjyshit të tij Abdul-Muttalibit. Por vetëm pas dy vjetësh, edhe ky i fundit do të vdiste.
Marrë nga libri “Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve”, autor: Sejjid Ali Asghar Razvi, përktheu: Numan Mustafa, shtëpia botuese: “Dielli”, Prishtinë, qershor 2013, fq. 64-65.