69935915_2363676603746891_3401223784689041408_n+(1)

Lufta e Qerbelasë dhe rrëfimi i pas Qerbelasë në ‘’Myhtar Name’’

Spread the love

 

Lufta e Qerbelasë dhe rrëfimi i pas Qerbelasë në “Myhtarname” Lufta e Qerbelasë konsiderohet një nga ngjarjet më të dhimbshme në të gjithë historinë e Islamit. Kujtimi i saj qëndron gjithmonë i paharruar në mendjet e gjithë besimtarëve të botës islame. Po, cila është kjo ngjarje dhe cilët janë personazhet e saj? Cilat ishin synimet e vërteta të atyre që e planifikuan atë?

Në ditët e para të Hënës Muharem të vitin 63 të Hixhretit (Kalendari Islam), Imam Hysejn ibn Aliu së bashku me familjen e tij gjatë udhëtimit për në Qofe  (Kuffe)  rrethohet në fushën e Qerbelasë nga ushtria e Jezid ibn Muavijes dhe në mes të një lufte të pabarabartë e për vetëmbrojtje, masakrohet brutalisht me fëmijët dhe rrethin e tij që e shoqëronte. Prapaskena e kësaj tragjedie padyshim ishte uzurpimi me dhunë i halifatit në dëm të së drejtës legjitime. Kjo pabesi e rëndë ndaj familjes të Resulullahut në fund të fundit do të kulmonte atë kontradiktë të thellë që ekzistonte mes fiseve Hashimij dhe Umeje, shkak i të cilës u bë fillimisht e drejta mbi shërbimin në faltoren e Qabes. Kjo armiqësi e akumuluar ndër vite nxori kokë gjatë periudhës së vahjit, ku siç dihet i Dërguari i Zotit në misionin e tij për përhapjen e islamit u përball me vështirësi të shumta dhe reagime të forta kundërshtarësh. Por gradualisht besimi islami u përqafua thuajse nga të gjithë, veç disa emrave që ngelën në histori si sinonim i së keqes, Ebu Lehebi, Ebu Sufjani që ishte i ati Muaviut dhe gjyshi i Jezidit, femohues i vendosur deri në fund të jetës së tij etj.

Me helmimin e Imam Hasanit dhe pas tij, vrasjen mizore të Imam Hysejnit, u hap rruga për ardhjen në fuqi të dinastisë një shekullore të Emevive, një prej dinastive më gjakatare dhe të shthurura në botën arabe. Jezid ibn Muaviju që pretendonte padrejtësisht Halifatin, filloi të zgjeronte influencën në të gjithë vendet arabe me anë të forcës dhe intrigës, ashtu siç bëri i ati i tij Muaviu, kur ishte gurvenator i Shamit. Në mesin e atyre të paktë personave me influencë që u përpoqën të ndalnin synimet djallëzore të tij ishte dhe Imam Hysejni. Vrasja e Imamit ishte e vetmja rrugëzgjidhje për Jezidin, për të marrë dhe siguruar fronin. Ashtu siç rrëfehet nga historia e Islamit, gjatë udhëtimit nga Qabeja në Kufe, karvani me familjarë dhe rrethin e ngushtë shoqëror të Imam Hyjsenit rrethohen në Qerbela, ku në mesin e nxehtësisë dhe etjes për ujë, vriten mizorisht 72 burra, që njihen në histori si dëshmorët e Qerbelasë.

Prej kësaj masakre mbi nipin e shenjtë të Profetit Muhamed shpëtuan mrekullisht vetëm gratë dhe një nga djemtë e Imam Hyjsenit, Imam Zejnel Abedini, që ishte vazhduesi legjitim i traditës së familjes profetike. Përmendëm disa detaje të rëndësishme nga kjo betejë, që është një ndër ngjarjet që ka ngjallur shumë debate e interpretime ndër historianë të ndryshëm, për të treguar qëllimin e vjershërimit që bëri poeti i rrymës letrare të bejtexhinjve në Shqipëri, Shahin Bej Frashëri. Kjo na sjellë një vazhdim të historisë pas Qerbelasë, “ Muhtar – name ” me në qendër njërin prej personazheve kryesorë të asaj periudhe, Myhtar bin Ubejde, prej të cilit edhe është frymëzuar për t’i vënë titullin poemës :

O Myhtar të qofsha falë, si lulëkuq shkove dhe tinë,

E ke kënaqur Xhemalë, për Imam Hysejn Alinë !

Përveç vlerave historike, edukative fetare që ka, duhet theksuar që ky vjershërim ka rëndësi edhe në aspektin gjuhësor, sepse tregon përpjekjet e autorëve të asaj kohe, për të shkruar në shqip, në mungesë të një alfabeti zyrtar. Në këtë botim vepra vjen e rivargëzuar nga Shefqet Bajo, siç sqaron dhe ai vetë në hyrje të poemës :

 

O Engjëll krahë zjarrtë, që vjen duke fluturuar,

Më trego Zoti të faltë, a Zoti madh të ka dërguar ?

 

Kam patur shumë nevojë, natë e ditë të kam pritur,

Se pa ty s’po hap dot gojë, për këtë vepër të ndritur.

 

Të filloj Myhtar – Namenë, rishtazi për t’a vjershuar,

Të trimit që tundi dhenë, Myhtar – Gaziut të lëvduar.

 

 Ndihmomë mua të varfërin për këtë vepër të lartë,

 Të Shahin Bej Frashërit, pastë ndjesë dhe lëvdatë.

 

Ashtu siç mësojmë nga vetë autori, ky është libri i katërt i vjershëruar prej tij: Librat që kam vjershuar, nga proza që kanë qenë, Ky mundim qoftë i pranuar, me këtë katër u bënë.

E para Vilajet – Nameja, e dyta Eba Myslimi, e treta Hysnijeja, e katërta Myhtar-Trimi !

Vepra nis me parathënien e Shahin bej Frashërit, ku autori kërkon ndjesë dhe për ndonjë gabim në përkthim. Poema fillimisht ka qenë në gjuhën perse, më pas është përkthyer në turqisht : Kështu vazhdoi disa kohë, sa u përkthye turqisht, Loti më kullon si llohë, duke shkruar shqipërisht.

 

Pjesë e marrë nga Libri “Myhtar Name”, Urtësia Bektashian Tiranë 2014.