1a844a0cbd8d101eacd9d25cddb4cd1a

Magjia e zezë dhe ndikimi i saj tek njerëzit

Spread the love

Magjia e zezë dhe ndikimi i saj tek njerëzit.

Surja Bekare ajeti 102-103

“E shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, prandaj ti mos u bëj mohues!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë dhe që nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë  nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata.

“Sikur ata të besonin dhe të ruheshin, shpërblimi i Allahut do të ishte më i mirë. Ah, sikur ta dinin ata!”

Komentimi

Sulejmani a.s. dhe magjistarët e Babilionisë

 

Në disa hadithe kuptohet se një grup njerëzish në kohën e Sulejmanit ushtronin magjinë. Sulejmani urdhëroi që të mblidhen të gjitha fletushkat dhe librat e tyre. Ai i ruajti ato në një vend të veçantë. (Ndoshta, ruajtja e atyre mund të përdorej në mundësinë e prishjes së magjisë së magjistarëve.) Pas vdekjes së Sulejmanit, një grup njerëzish i nxorën ato shkresa dhe filluan mësimin dhe përhapjen e magjisë. Një pjesë njerëzish e shfrytëzuan këtë kohë dhe përhapën thënien se Sulejmani nuk ka qenë Profet, por sundonte mbretërinë dhe sillte gjëra të jashtëzakonshme nëpërmjet magjisë! Një grup prej bijëve të Izraelit ndoqën këtë valë dhe u strehuan te magjia duke e lënë Teuratin. Kur erdhi profeti i fundit, Muhamedi s.a.a. i cili solli ajetet e Kuranit që e vërtetonin dhe e miratonin profetësinë e Sulejmanit, disa dijetarë jahudij thanë:

“A nuk çuditeni nga Muhammedi kur thotë se Sulejmani është profet, ndërkohë që ai ishte magjistar?! Dhe erdhi ajeti që i përgjigjet pretendimit të tyre dhe e mohon këtë akuzë të madhe për Sulejmanin.” Ajeti i parë zbulon një tjetër skandal të jahudijve që është akuzimi i profetit të Allaut se është magjistar dhe mashtrues. Rreth atij populli ajeti thotë: “E shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit.

Përemri i shumësit në frazën: “ittebeuu”, “shkuan pas, ka mundësi të jetë për bashkëkohësit e Profetit, ose për ata jahudij, bashkëkohës të Sulejmanit, ose për të dy grupet. Qëllimi te fjala “djajtë” mund të jetë për tiranët nga njerëzit ose xhindët, ose nga të dy së bashku. Pastaj, ajeti dëshmon dhe përforcon se Sulejmani nuk ka qenë jobesimtar: “E S ulejmani nuk ishte mohues”. Pra, Sulejmani nuk u strehua te magjia dhe nuk i realizoi qëllimet e tij nëpërmjet mashtrimit: “por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë”. Ata jahudij nuk shfrytëzuan vetëm atë që mësuan nga magjia e shejtanëve, por gjithashtu i keqpërdorën mësimet e Harutit dhe Marutit. “dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni – Harutit e Marutit.” Haruti dhe Maruti, janë dy melekë nga Zoti, të cilët erdhën te njerëzit në kohën e përhapjes së magjisë në mesin e tyre dhe u sprovuan me magjistarë dhe mashtrues. Qëllimi i tyre ishte që t’u mësonin njerëzve rrugët e prishjes së magjisë. Ashtu sikurse ndalimi i funksionit të bombës që ka nevojë për kuptimin e mënyrës së prodhimit të saj, po ashtu, edhe ndalimi i magjisë kërkon mësimin e bazave të magjisë nga njerëzit. Dy melekët e shoqëruan këtë mësim me paralajmërim të rënies në fitne pas mësimit të magjsë. “Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në prove…” Ata jahudinj ranë në shkatërrim dhe u zhytën më shumë në devijimin e tyre duke pretenduar se fuqia e Sulejmanit nuk ishte nga Profetësia, por nga magjia dhe nga magjistarët. Kjo është natyra e devijuesve. Gjithmonë ata përpiqen t’i shfajësojnë shthurjet e tyre me akuzimin e të famshëve për shthurje e devijim. Ai komb nuk doli me sukses nga ky sprovim hyjnor. Ata mësuan nga dy melekët dhe këtë mësim e përdorën në rrugën e shkatërrimit e jo të ndreqjes. Mirëpo, fuqia e Allahu është mbi fuqitë e tyre dhe mbi fuqinë e asaj që mësuan. “Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi.” Vërtet, ata e shitën dinjitetin e tyre me këtë plaçkë të pavlerë: “Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!”Ata u mallëngjyen në zgjedhjen e kësaj plaçke të jetës, duke e ditur se ia konfiskon atyre ahiretin. “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër.” Vërtet, ata humbën lumturinë e tyre dhe lumturinë e shoqërisë së tyre me dije e me ndërgjejgje dhe u mbytën në kënetën e qelbur të kufrit e të shthurjes. “Sikur ata të besonin dhe të ruheshin, shpërblimi i Allahut do të ishte më i mirë. Ah, sikur ta dinin ata!”

 

Historia e Harutit dhe Marutit

Fjalët janë të shumta në mesin e historianëve e të legjendarëve rreth këtyre dy melekëve. Paragjykimet u përzinë me të vërtetën, derisa është bërë e pamundur të konkludohet e vërteta në ato që u shkruajtën për këtë ndodhi historike. Por, ajo që duket më e qartë dhe më e afërt me ekuilibrin logjik dhe historik dhe me hadithet e nderuara për këtë histori, janë si më poshtë: Në tokën e Babilionisë u përhap magjia, e cila i çoi njerëzit në shqetësim dhe në mosbesim. Allahu dërgoi dy melek në formën e njerëzve dhe i urdhëroi ata që t’ua mësojnë njerëzve rrugën e prishjes së efektit të magjisë, me qëllim që t’i shpëtojnë të keqes së magjistarëve. Melekët ishin të detyruar t’ua mësonin njerëzve parimet e magjisë duke qenë se ajo është hyrje në mësimin e prishjes së saj. Një grup njerëzish përfituan nga këto parime dhe u bashkuan me radhët e magjistarëve dhe u bënë zanafilla e keqtrajtimit të njerëzve. Gjatë mësimit, dy melekët i paralajmëruan njerëzit në të rënit në fitne, por ky paralajmërim nuk ndikoi në një grup të tyre.  Kjo që përmendëm është në përputhje me logjikën dhe me arsyen, si dhe e mbështesin edhe hadithet e imamëve të Ehli Bejtit (paqja e Zotit qoftë mbi ta!).

Prej atyre haditheve është ai që përmendet te libri “Ujun Ahbaru Riza”, i cili njëherë është përmendur si trasmetim nga imam Rizai dhe një herë tjetër si transmetim nga imam Askeriu (paqja e Allahu qoftë mbi ta!). Përsa u përket thënieve të shkruara në librat e historisë rreth këtyre dy melekëve, ato janë të përziera me paragjykime e me legjenda dhe janë shumë larg me atë që përmend Kur’ani fisnik. Prej atyre thënieve, është edhe kjo “se dy melekët u dërguan në tokë që të shohin lehtësinë e rënies në mëkate, nëse do të ishin në vend të njerëzve. Ata zbritën dhe bënë lloje të ndryshme gjynahesh e mëkatesh të mëdha!!” Teksti kur’anor është shumë larg nga këto paragjykime e legjenda dhe i pastër prej tyre.

 

Fjala Harut dhe Marut ,

Disa studiues pretendojnë se “Harut dhe Marut” janë fjalë të vjetra persiane. Ata thonë: ‘Fjala “Harut” ka kuptimin e “pjellorisë” dhe fjala “Marut” ka kuptimin e “pavdekshmërisë”. Emrat “Harut dhe Marut” janë marrë nga këto dy fjalë. Ky drejtim për kuptimin e domethënies së dy emrave, nuk është i bazuar në argument. Në librin “Avista” përmenden shprehjet “Harut”, që është muaji “Hordad” dhe “Marut” me kuptimin “Emerdat” që do të thotë “i pavdekshëm”. Në fjalorin “Denehad”, përmendet komentimi i dy fjalëve njësoj siç u tha më parë. E çuditshme është se disa kanë thënë se Haruti dhe Maruti janë njerëz prej banorëve të Babilionisë!! Po ashtu, thuhet se ata janë nga shejtanët!! Ajetet e përmendura e refuzojnë këtë.

Si mund të jetë meleku mësues për njeriun?

Pyetja qëndron te lidhja mes melekut dhe njeriut. A mund të ketë lidhje mes tyre? Ajetet e lartpërmendura flasin qartë se Haruti dhe Maruti ua mësuan njerëzve magjinë. Sigurisht që kjo u realizua për të prishur magjitë e magjistarëve në atë shoqëri. A mund të jetë meleku mësues për njeriun? Hadithet e transmetuara për çështjen e këtyre dy melekëve, i përgjigjen kësaj pyetjeje. Hadithet thonë se Allahu i dërgoi ata të dy me pamjen e njeriut. Kjo e vërtetë mund të kuptohet te ajeti i nëntë i sures “En’am”, që thotë: “Edhe sikur Ne ta bënim atë engjëll, me siguri që do t’i jepnim atij pamje njeriu…”

Askush nuk mund të bëjë diçka pa lejen e Allahut

Nga thënia e Allahut në këtë ajet kuptojmë se magjistarët nuk ishin të aftë që t’i bënin keq njeriut, pa lejen e Allahut të Madhëruar. Në këtë çështje nuk ka as “detyrim” e as imponim, por ky kuptim tregon për parimin bazë të teuhidit, se të gjtha fuqitë që gjenden në gjithësi e kanë pikënisjen te fuqia e Allahut të Madhëruar. Zjarri kur djeg, djeg me lejen e Zotit dhe se magjistari nuk mund të ndërhyjë në botën e krijimit e të kundërshtojë dëshirën e Allahut. Çdo gjë që shohim prej gjurmëve dhe specifikave, ato janë vetëm gjurmë dhe specifika, që Allahu i ka caktuar për krijesat e ndryshme. Pra, ka prej tyre që i keqpërdorin ato. “Zgjedhja” që Allahu i dha njeriut, sigurisht është mjet sprove dhe përsorurie për të.

Magjia dhe historiku i saj

Biseda për magjinë dhe historiku i saj zgjasin shumë. Këtu do të mjaftohemi me thënien se rrënjët e saj janë të ngulura në thellësi të historisë, mirëpo fillimi dhe avancimi i saj historik janë të mbështjellura me paqartësinë dhe nuk mund të thuhet se kush ishte i pari që e përdori magjinë. Përsa i përket kuptimit të saj, mund të thuhet se ajo është një lloj vepre e jashtëzakonshme dhe ndikon në ekzistencën e njeriut. Nganjëherë, ajo është një lloj mjeshtërie e shpejtësie në lëvizje si dhe paqartësi për shikuesit. Po ashtu, ajo është karakter psikik, fantazues.

Në gjuhësi magjia ka dy kuptime:

  1. Mashtrim dhe lëvizje mjeshtërore. 2. Çdo gjë e këndshme dhe delikate. Ragibi në librin e “Mufredateve” për fjalën “sihr” magji, përmend tre kuptime:

I pari: Mashtrim dhe imagjinim, të cilat nuk mbajnë asgjë të vërtetë. Siç vepron mashtruesi me lëvizjen e shpejtë të duarve pa e arritur ta shohin sytë, si dhe ato që thotë thashethemexhiu kur flet fjalë të qëndisura ngatërruese për dëgjimin.

I dyti: Kërkimi i mbështetjes së shejtanit me qëllim afrimi te ai.

I treti: Ajo është emër i një vepre për të cilën pretendohet se me fuqinë e saj ndryshon pamjet dhe karakteret dhe e bën njeriun gomar.

Nga studimi i pesëdhjetë e një vendeve, në të cilët përmendet fjala “magji” në Kur’anin fisnik, nxjerrim konkluzionin se Kur’ani e ndan magjinë në dy grupe (lloje):

  1. Mashtrim dhe lëvizje e shpejtë e dorës, në të cilat nuk gjendet vështirësi, siç thuhet në ajetin 66 të sures “Ta Ha”: “…Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.” Gjithashtu, në ajetin 116 të sures “A’raf” thuhet: “Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata.” Nga këto ajete përfitohet se magjia nuk ka vërtetësi subjektive që të ndikojë tek gjërat, por ajo është lëvizje e shpejtë e dorës dhe është një lloj mashtrimi për sytë. Ajo paraqet të kundërtën e realitetit.
  2. Nga ajetet e tjera përfitohet se magjia ka ndikim real. Siç është thënia e Allahu të Madhëruar: “Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët.” Dhe: “mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi.” Siç u tha në ajetet për të cilët po flasim. Vallë, magjia ka vetëm ndikim psiqik apo ndikon edhe te trupi? Ajetet e mësipërme nuk tregojnë për këtë. Disa njerëz besojnë se ajo ka vetëm ndikim psiqik. Duhet përmendur se disa lloje të magjisë ushtroheshin me përdorimin e disa lëndëve të veçanta kimike e të fizikës për mashtrimin e njerëzve.

Historia na flet se magjistarët e Faraonit vendosën mbi litarët dhe shkopinjtë e tyre lëndë të veçantë kimike (ndoshta ka qenë zeibak), e cila lëvizte si pasojë e ndikimit të diellit apo të një temperature tjetër, dhe, shikuesve u dukej se ishte gjarpër. Kjo lloj magjie nuk është e pakët edhe në kohën që jetojmë.

Magjia në islam

Fukahatë (juristët islam) janë të një mendimi se mësimi dhe ushtrimi i magjisë është haram (i ndaluar). Transmetohet se prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që mëson pak ose shumë nga magja, ka bërë kufr…” Pra, siç e thamë edhe më parë, mësimi i magjisë lejohet për prishjen e saj. Nganjëherë lejueshmëria arrin deri te “uxhubul kifai” (quhet i tillë, sepse kur një njeri kryen një detyrim, ky detyrim bie nga të tjerët.), me qëllim që të prishen kurthet e keqbërësve dhe mashtrimet, por, pa u bërë keq njerëzve të tjerë.

Argumenti ynë për këtë është hadithi i transmetuar nga imam Ebi Abdullahi, Xhafer ibn Muhamed Sadik (paqja qoftë mbi të!), i cili, ka thënë: “Isa ibn Shakafi ishte magjistar. Te ai shkonin njerëz dhe u merrte atyre para. Një ditë i tha imamit: “U bëfsha flijim për ty, unë kisha si zanat magjinë dhe merrja para. Ajo ishte mjeti i jetesës sime. Vërtet, unë e kam braktisur  atë,  dhe Allahu më mirësoi që të takohem me ty. Unë jam penduar te Allahu i Madhëruar. A ka rrugëzgjidhje për mua?” Imam Sadiku i tha: “Prishi dhe mos i lidh!” Nga hadithi kuptohet se mësimi i magjisë dhe ushtrimi i saj për të prishur efektin e saj, nuk është problem.

Marrë nga : Komentimi i Përsosur i Kur’anit
Eruditi, Juristi dhe komentuesi Naser Mekarim Shirazi
Botuar nga Shoqata Flladi  Tiranë.