Njeriu zhvillohet drejt përsosurisë
Njeriu zhvillohet drejt përsosurisë
Çdo qenie njerëzore që ka lindur në këtë botë, pavarësisht nga rrethanat e saj individuale dhe shoqërore, aspiron për përsosuri në përputhje me natyrën dhe intelektin e saj të lindur. Ajo duron të gjitha llojet e vuajtjeve dhe mundimeve duke shpresuar për një të ardhme të ndritur. Fillimi është me mangësi dhe zhvillimi drejtohet për nga përsosuria. Ajo kultivohet e zhvillohet me çdo hap të hedhur përpara në rrugën e përsosjes. Intelekti dhe shpirti i njeriut i jep një thellësi, fuqi dhe shpejtësi të tillë lëvizjes drejt përsosurisë, saqë nuk ka kufi kohor për të, përveçse përjetësisë së vet.
Kjo dashuri e lindur është e fortë të qeniet njerëzore, por është e pranishme edhe te kafshët. Ato kapërcejnë çdo pengesë që u del përpara në rrugën e tyre, shmangin çdo gjë që e konsiderojnë të dëmshme dhe përparojnë drejt qëllimeve të tyre instinktive. Mund të thuhet se të gjitha dukuritë që ekzistojnë në natyrë, që nga thërrmijat atomike jashtëzakonisht të vogla, deri te bota madhështore e galaktikave, janë të gjitha pjesë e këtij karvani. Një dijetar shkruan:
“Bimës së grurit i është dhënë një zhvillim i tillë që i bën të mundur të japë më shumë prodhim; edhe trëndafilit të kuq i është dhënë një zhvillim i tillë që i jep bukurinë dhe aromën. Njeriu, gjithashtu, ka një zhvillim me anë të të cilit përparon në rrugën e mençurisë dhe të dashurisë. Kështu, nëse ne vërejmë sëmundje të veçanta që ndikojnë keq mbi rritjen e grurit, mbi bukurinë dhe aromën e trëndafilit apo mbi dëlirësinë e shpirtit njerëzor, ne nuk duhet t’ia atribuojmë këtë vetë zhvillimit dhe lëvizjes, por një shkaku kundërshtues (antiteze), që u s hfaq gjatë kursit të zhvillimit.
Tani mund të kuptojmë se në çfarë mase fjala ‘qëllim’ na ndihmon në të menduarit siç duhet. Kjo na bën të kuptojmë se gjithësia, ku ne gjejmë veten, si një pjesë e vogël e saj, është e moralshme dhe e ndërgjegjshme, se nuk jetojmë në një kozmos të errët dhe të çrregullt, se sigurisht që ka një shtytës pas gjithë këtij zhvillimi dhe lëvizjeje dhe se ekziston një ndërgjegje dhe një intelekt i madh pas të gjitha dukurive. Kjo është e mjaftueshme për të na bindur se është diçka madhështore dhe e shkëlqyer dhe pikërisht këtu ne duhet, së paku, ta përgatisim veten për bashkëpunim dhe ecje përkrah shpirtit të ndërgjegjshëm të botës, duke e ditur se të kundërshtosh atë është e dëmshme për jetën tonë.”
Zhvillimi fizik i njeriut qëndron përtej dëshirës së tij, ndërsa zhvillimi shpirtëror i tij është i vullnetshëm. Prandaj nuk është mirë që njeriu të devijojë nga prirja e evolucionit të përgjithshëm të gjithësisë dhe mbetet jo i plotë në sistemin kozmik të progresit. Është e qartë se zhvillimi dhe përsosja e brendshme është diçka jomateriale. Studimi dhe eksperimentimi fizik e drejtoi atë për të bërë zbulime të natyrës materiale, por ai nuk mundi ta vendosë veten në lartësinë e përsosurisë dhe të arrijë majat e ngjitjes shpirtërore me anë të metodave fizike.
Në mënyrë që të realizojë potencialin e plotë të rritjes, një pemë duhet të pastrohet nga pengesa të tilla, si barishtet e këqija dhe gurët, dhe të sigurojë përfitimet e agjentëve të tillë, si uji, dielli dhe ajri, të cilët janë të rëndësishëm për rritjen e saj. Njeriu, gjithashtu, në procesin e zhvillimit të dimensioneve të ndryshme të qenies së tij (trupit, shpirtit dhe mendjes) duhet të pajisë veten me faktorë të fuqishëm, që kontribuojnë në ngjitjen e tij drejt përjetësisë dhe pafundësisë. Kjo do të thotë se ai duhet t’i përdorë ata si mjete për të arritur qëllimet e tij dhe të luftojë faktorët që pengojnë lëvizjen e tij drejt atij qëllimi.
Njeriu duhet të rregullojë dimensionet e ekzistencës së tij në drejtime të ndryshme, në mënyrë të tillë që do t’i bënte të mundur përmbushjen e kërkesave dhe të nevojave shpirtërore e materiale, si dhe të jetojë denjësisht, duke e bazuar jetën mbi një plan të kujdesshëm dhe të përpunuar saktësisht. Ai duhet të ndërtojë një shoqëri të rregullt dhe të organizuar, të çliruar prej konfliktit, padrejtësisë, agresionit, padijes dhe mëkatit, në të cilën qeniet njerëzore mund të arrijnë dëlirësinë, dritën dhe madhështinë intelektuale, si dhe majat më të larta të humanizmit.
Qenia njerëzore është një agregat i furishëm i dëshirave të shumëllojshme. Këto dëshira të forta në gjendjen e tyre të natyrshme dhe të ekuilibruar, jo vetëm që nuk janë të padobishme dhe të dëmshme, por secila prej tyre luan një rol jetësor në natyrën shpirtërore të njeriut. Megjithatë, një përmbushje e pakontrolluar dhe e pakufizuar e këtyre dëshirave është në kundërshtim me zhvillimin. Nëse këto dëshira do të lihen të lira dhe të pakontrolluara te një person, ai do të kthehet në një skllav i dëshirave të tij primitive dhe të egra.
Duke rënë nga lartësitë e humanizmit, shkëlqimit dhe lirisë, ai do të zhytet në moçalin e dekadencës dhe të shkatërrimit. Një kafshë është e bindur dhe e nënshtruar ndaj shtytjeve të saj, por qenia njerëzore është besnike ndaj interesave të saj dhe e bindur ndaj arsyes. Ajo ka forcë të kundërshtojë prirjet e saj të padrejta e të dëmshme dhe të pranojë prirjet e dobishme e të favorshme. Në të njëjtën mënyrë me të cilën instinktet fizike lindin nga natyra e njeriut, ashtu edhe impulset pozitive të mira që kërkojnë të vërtetën, e kanë origjinën në qenien e tyre, duke lartësuar fuqitë shpirtërore titanike të shndritshme, të cilat mund të lindin pastërtinë, dinjitetin, fuqinë dhe drejtësinë.
Marrë nga libri ETIKA DHE ZHVILLIMI SHPIRTËROR