Shkurtësia e jetës dhe mbetja e veprave të mira dhe këqija të njeriut
Shkurtësia e jetës dhe mbetja e veprave të mira dhe këqija të njeriut
“O Ebu Dherr, vërtetë ju jeni në trajektoren e natës dhe ditës edhe jetës e cila vazhdimisht shkurtohet, ndërsa veprat u janë ruajtur dhe vdekja vjen befas; kushdo që ka bërë vepra të mira, do ta korr të mirën, dhe secili që bën vepra të këqija, do të korr keq. Secili do ta korr atë që ka mbjellur.”
Nga gjërat të cilat njeriun e orientojnë në punë dhe përpjekje dhe që krijojnë shtytje për punë, veprim dhe kryerje të obligimeve është vetëdija për faktin që jeta është e kalueshme. Deshëm nuk deshëm ne, për çdo ditë jeta na shkurtohet dhe nuk mund ta ndalim lëvizjen e kohës dhe as t’i kthejmë sekondat, apo sipas fjalëve të Ali ibn Ebi Talibit, paqja e Allahut qoftë mbi të:
“Çdo hap tutje i njeriut është drejtë vdekjes.”
Duhet pasur kujdes që ky kapital të mos lëshohet lehtë nga duart; kapitali gjithmonë pakësohet dhe harxhohet, derisa të mos e arrij vdekja njeriun, e nga ajo nuk ka shpëtim, siç thotë Aliu, paqja e Allahut qoftë mbi te.:
“Nga vdekja nuk do të shpëtoj ai që ka frikë, dhe as përjetshmëria nuk do t’i jepet atij që e dëshiron.”
Mënyra e vetme e parandalimit të shkatërrimit të kapitalit të jetës është tregti e leverdishme, e cila tregti është më e mirë se sa ajo në të cilën njeriu e shet jetën e tij për Xhehnnet, sepse Xhehnneti është malli i vetëm që e vlen jetën e njeriut, siç kishte thënë Aliu, paqa e Allahut qoftë mbi të:
“Vallë a nuk ka njeri të lirë i cili këto mbetje ushqimi do t’ia lë në gojë dynjallëkëve? Për shpirtrat tuaj nuk ka çmim përveç Xhehnnetit, prandaj mos i shitni përveç se për Xhehnnet.”
Pra, çfarë dëmi kanë njerëzit të cilët kapitalin e madh të jetës e ndërrojnë me dënimin e Zotit dhe zemërimin? Ndoshta ata të cilët jetën e tyre e përdorin në rrugë të lajthitjes kujtojnë se me kalimin e jetës u shkatërrohen edhe veprat. Çfarë fantazie! Megjithëse ky nivel në fakt është nivel kalimtar, ndërsa niveli i asaj Bote është nivel i ekzistencës, veprat e njeriut megjithatë jetojnë, sepse veprat janë të ndërlidhura me shpirtin e njeriut dhe Zotin e Lartëmadhërishëm. Edhe pse ne jetojmë në nivelin i cili tretet dhe kalon, jemi të lidhur me botën dhe nivelin e ekzistencës dhe veprat tona do të jetojnë atje.
Manifestimi i veprave të njeriut në Ditën e gjykimit
Një nga parimet e pranuara në lidhje me Ditën e gjykimit është edhe parimi i ruajtjes dhe manifestimi të veprave, në çka ka bërë me dije Zoti në Kur’an:
Dhe do të vendoset Libri, e ti do t’i shohësh mëkatarët të pikëlluar për shkak të asaj çka është në Libër, e do të bërtasin: “Të mjerët na! Çfarë Libri që është! Ai nuk lë anash as një mëkat të vogël as një mëkat të madh, ai i përfshin të gjitha!” Dhe do ta gjejnë të pranishme krejt atë çka kanë vepruar, ndërsa Zoti yt nuk do t’i bëjë të padrejtë askujt.
E në vend tjetër thuhet:
E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.-Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.
Ardhja e papritur e vdekjes si faktor i paralajmërimit dhe zgjuarjes
Askush nu ke di se deri kur do të jetoj dhe kur do t’i vij vdekja, siç thotë Kur’ani:
Me të vërtetë, vetëm Allahu ka njohuri lidhur me Fundin e botës, edhe Ai lëshon shi, edhe e di ç’ka në mitra! Kurse asnjë shpirt nuk e di çka do të fitojë nesër! Dhe nuk e di asnjë gjallesë në cilin vend do të vdesë! Me të vërtetë, Allahu di gjithçka dhe është i informuar për çdo gjë.
Mirësia e Allahut është ajo që njeriu nuk është i njoftuar për kohën e vdekjes së tij, sepse po sikur ta dinim kohën e vdekjes tonë, më shumë do të goditeshim nga pakujdesia dhe vetëmashtrimi.
Gjithsesi, për ata që kanë kapacitet më të madh shpirtëror është e njëjtë – e ditën apo nuk e ditën kohën e vdekjes, ata gjithmonë janë të zënë me kryerjen e obligimeve të tyre, dhe ka mundësi që Zoti t’ua bëj me dije kohën e vdekjes së tyre. Mirëpo, për ne njoftimi rreth kohës së vdekjes do të ishte vetëm arsye e shtyrjes edhe më të madhe të veprave. Është larg nga urtësia që Allahu të na njoftoj për kohën e vdekjes sonë. Urtësia Hyjnore na mëson që gjithmonë të jemi të brengosur për atë se ndoshta që në momentin tjetër mund të vdesim, e edhe në këtë çast jetën tonë mund ta shfrytëzojmë më mirë.
Në fjalinë: “Dhe ai që mbjell (bën) të mirën…”, kjo botë është paraqitur si një arë, në të cilën mund të rritet çdo farë që mbillet në të. Në lidhje me atë farë, qoftë ajo vepër e njeriut e mirë apo e shëmtuar, poeti thotë:
Mos harro në shpërblimin për vepra,
gruri mbin nga gruri, elbi nga elbi.
Çkado që mbjell në botë, nga e mira apo e keqja
frytin e tij do ta shohësh kur të korrësh…
Shkëputur nga libri Rrugët e Mirësisë