Kafe turke

POEZIA E PARË SHQIPE I KUSHTOHET KAFESË

Spread the love

A E DINI SE…?

Njëra ndër poezitë* e para të gjuhës shqipe i kushtohet kafesë, e shkruara gati para 3 shekujsh (viti 1725). Atë e shkroi autori Muçi Zade dhe titullohet në bazë të vargut të katërt të çdo strofe e cila përsëritet vazhdimisht “Imzot, mos më lerë pa kahve”.

Ndër studiuesit më të hershëm të autorit dhe poezisë është Osman Myderrizi i cili më 1955 e botoi këtë poezi në “Buletini i Shkencave Shoqërore” në shkrimin me titull “Letërsia Shqipe në Alfabetin Arab”, që ishte organ i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

IMZOT, MOS MË LERË PA KAHVE

Për sa rrëfejnë myxhizatë[1],
për shenjtërit që janë vatë,
mos më le bë iftar thatë,
Imzot, mos më lerë pa kahve!

Për hyrmet të Fatimesë[2],
për të mirët e Mejremesë[3],
mos më lerë me lëng t’armesë,
Imzot, mos më lerë pa kahve!

Imzot, mos më le dë kujdes,
bë iftar me mjaltë pa pekmes,
O imzot, pej teje shpresë… !
Imzot, mos më lerë pa kave!

Dë këtë muaj mubareq[4],
falna gjynahet[5] se jemi pleq,
për gjithë sa janë meleq[6],
Imzot, mos më lerë pa kave!

Për ismitë[7] që je Gafur[8],
për Muhamednë[9] q’është meshhur[10],
mos më lerë po me bullgur…!
Imzot, mos më lerë pa kave.

Lutiu Zotit Muçi Zade[11],
se heq bari shumë derde[12],
se s’ka as pilaf as zerde,
Imzot, mos më lerë pa kave!

* Kjo poezi gjendet në librin “Poezia e Bejtexhinjve”, autor: Hajdar Salihu, botues: “Rilindja”, Prishtinë 1987, fq. 234.

_______________

Shënime:

[1] Mu’xhize = mrekulli, gjëra të paarritshme.
[2] Fatimja ishte e bija e Profetit të Islamit, Muhamedit (paqja qoftë mbi të), gruaja e Imam Aliut dhe nëna e Imam Hasanit dhe Imam Husejnit.
[3] Merjemja ose Maria ishte nëna e Profetit Isa (Jezus Krishti), dhe njihet si gruaja më e dëlirë që ka jetuar ndonjëherë.
[4] Mubareq ose Mubarek i thonë dikujt që është i bekuar, në këtë rast është fjala për muajin e bekuar të Ramazanit në të cilën autori e shkroi këtë poezi.
[5] Gjynah, faj, mëkat, lëshim karshi Zotit.
[6] Meleq ose melek, melaike, engjëll.
[7] Ismitë, emër, në këtë rast njëri ndër 99 emrat ose cilësitë e bukura të Zotit (arabisht: esmāull-llāhil-husnā).
[8] Gafūr, njëri ndër emrat dhe cilësitë e mëdha të Zotit, Përdëllimtar, Mëkatfalës.
[9] Muhamedi (paqja qoftë mbi të), Profeti i fesë Islamit, jetoi në Arabi mes viteve 570-632. Jetoi në Mekë dhe Medinë. Deklaroi profetësinë në moshën 40-vjeçare, Kurani është mrekullia më e madhe që Zoti ia zbriti.
[10] Meshhur, i famshëm, famëmadh, zulmëmadh, njëri me famë dhe me nam.
[11] Muçi Zade, emri i autorit të poezisë.
[12] Derd ose dert, hall, brengë, problem, mallëngjim, merak, shqetësim.