Foto Mubahala

FESTA E MUBAHALA-SË

Spread the love

Hyrje

Ngjarja e Mubahala-së ishte një takim midis Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe një delegacioni të krishterë nga Nexhrani (qytet në kufi të Arabisë dhe Jemenit) në muajin Dhul-Hixhe, vitin e dhjetë të Hixhretit (Emigrimit të Profetit Muhamed nga Meka në Medinë), ose Mars 632, ku Profeti thirri një duel lutjeje në përpjekje për të zbuluar se kush gënjen për dallimet e tyre fetare.

Përpjekja fillestare ishte për të ftuar të krishterët e Nexhranit në Islam dhe njohjen e Muhamedit si profet. Gjatë diskutimeve fetare për ngjashmëri dhe dallime, u ngrit tema e hyjnisë së Isait (Jezusit). Të krishterët refuzuan të pranojnë mësimet e Muhamedit për Krishtin dhe nuk pranuan të mohojnë besimet e tyre. Muhamedi thirri një mubahala (duel lutjeje) në lidhje me refuzimin e tyre, dhe përfshiu fëmijët dhe gratë e tij në këtë duel lutleje që mallkimi të bie mbi gënjeshtarët.

 Ç’është Mubahala?

Mubahala është një fjalë arabe që do të thotë: “Mallkim, të mallkosh”. Gjithashtu nënkupton: “tërheqjen e mëshirës nga ai që gënjen ose merret me gënjeshtra”.

Në Kuranin Fisnik, El-mubahala (thirrja e mallkimit të Zotit) u përmend si një zgjidhje vendimtare për mosmarrëveshjen për Jezusin midis të krishterëve të Nexhranit dhe Muhamedit. Allahu e urdhëroi Muhamedin që të thërriste të krishterët të thërrasin mallkimin e Zotit (Kurani, surja Ali ‘Imran, ajeti 61) në mënyrë që të përcaktonte se kush po e thoshte të vërtetën.

Si ndodhi ngjarja?

Në vitin e nëntë të Hixhretit (Emigrimit), raportohet që Profeti Muhamed (pqmtf) dërgoi një letër [1] për Abdul-Haris Ibn Alkame, Peshkopi i Nexhranit, përfaqësuesi zyrtar i Kishës Romake në Gadishullin Arabik, duke i ftuar njerëzit të përqafojnë Islamin. Në përgjigje të asaj letre një delegacion iu dërgua Muhamedit.

Midis datave 21 dhe 25 të muajit Dhul-Hixhe të vitit dhjetë pas Emigrimit (ose midis datave 22 deri 26 Mars 632 pas Krishtit) erdhi delegacioni i krishterë nga Nexhrani dhe filluan diskutimet për fenë dhe teologjinë, me temën që përfundimisht iu drejtua Jezusit, Mesihut dhe pyetjes për të përcaktuar se çfarë dhe kush ishte Jezusi. Profeti Muhamed (pqmtf) u predikoi atyre dhe u kërkoi atyre që të pranonin Islamin. Megjithatë, të krishterët nuk ishin të bindur dhe u përgjigjën me shpjegimet e tyre për hyjninë e Krishtit.

Për shkak të të krishterëve që nuk pranuan kërkesën e Profetit Muhamed (pqmtf) për të pranuar mesazhin e tij për Jezusin, në kundërshtim me pikëpamjen e krishterë për hyjninë e Jezuit si Bir i Zotit, thirrja për të thirrur një mallkim u iniciua nga Profeti i Islami, Muhamedi (pqmtf).

Ajeti kuranor rreth Mubahala-së

Sipas tregimit tradicional, pasi nuk kanë mundur të zgjidhin konfliktin se kush është Jezusi, ajetet e mëposhtme i janë shpallur Profetit Muhamed (pqmtf):

Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: “Bëhu!” ai u bë. E vërtetë është (kjo) nga Zoti yt, e ti kurrsesi mos u bën nga ata që dyshojnë. E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait) pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti thuaj: “Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetët tona dhe vetët tuaja, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve”. (Surja Ali ‘Imran, ajetet: 59, 60 dhe 61)

Tregimi tradicional sipas haditheve

Sipas librit “Biografia e Muhamedit”, të historianit Ibn Hisham, Muhamedi (pqmtf) u recitoi ajetet të krishterëve dhe pas diskutimeve të gjata, nuk u arrit asnjë marrëveshje për pozicionin dhe qëndrimin e Jezusit. Në fund të diskutimeve, Muhamedi (pqmtf) kërkoi që të dy palët të përfshihen në Mubahala (lutje – mallkim).

Të krishterët u kthyen në vendin ku po qëndronin. Udhëheqësi i tyre Sejjid el-Akib i këshilloi ata duke thënë:

Nëse ai na sfidon me njerëzit e tij, ne e pranojmë sfidën sepse ai nuk është profet; por nëse ai na sfidon me familjen e tij në veçanti ne nuk e sfidojmë atë, sepse ai nuk do të paraqesë familjen e tij nëse nuk është i vërtetë”.

Mëngjesi i ditës 24 të muajit Dhul-Hixhe (25 mars 632), Muhammedi (pqmtf) doli në kohën e caktuar. Ai solli vetëm anëtarët e zgjedhur të familjes së tij, duke e çuar Husejnin në krah dhe Hasanit duke ia mbajtur dorën, e ndjekur nga Fatimeja dhe Aliu. Tradita thotë se të krishterët u befasuan kur panë familjen e Muhamedit (Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Husejnin) që shoqëronin Muhamedin (pqmtf). Profeti Muhamed i ofroi të bënte duelin e lutjes për mallkim, duke i kërkuar secilës palë që të mbulohet me një mantel, dhe që të gjitha palët i kërkojnë Zotit sinqerisht që të shkatërrojë me mallkime palën gënjeshtare dhe familjet e tyre.Pasi Profeti Muhamed (pqmtf) e lexoi ajetin kuranor dhe i futi nën mantel Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Husejnin dhe tha: “O Zoti im! Këta janë familja ime”.

Të krishterët refuzuan, kështu që Muhamedi (pqmtf) u dha atyre dy alternativa: ose të konvertohen në Islam ose të paguajnë xhizjen (një taksë për jo-muslimanët e lirë nën sundimin musliman). Të krishterët ranë dakord të paguanin haraç dhe i kërkuan Muhamedit të dërgonte me vete një njeri të besueshëm për t’i ndihmuar ata të gjykonin mosmarrëveshjet monetare midis tyre.

Pjesëtarët e Mantelit apo Ehli-Kisa

Në literaturën fetare islame të hadithit (transmetimeve të fjalëve të Muhamedit [pqmtf]) Ehli-Kisa do të thotë: Pjesëtarët e Mantelit. Kjo do të thotë: ata persona që morën pjesë gjatë duelit të lutjeve që mallkimi të bie mbi gënjeshtarët, dhe nën këtë mantel ishin: Muhamedi, Ali, Fatimja, Hasani dhe Husejni, pra anëtarët më të ngushtë të familjes (Ehli-Bejti). Ky hadith është i famshëm në literaturën e hadithit tek dijetarët shiitë (ndjekësit e Familjes së Profetit), por këtë hadith e pranojnë edhe dijetarët sunnitë (ndjekësit e shokëve të Profetit), siç janë hadithologët: Buhariu, Muslimi, Hakimi, Ahmed ibn Hanbeli, Taberaniu, Ibn Haxher el-Askalani, Xhelaludin es-Sujutiu; historianët: Ibn Hishami, Taberiu; komentatorët e Kuranit: Bejdaviu, El-Vahidiu, Fahrudin er-Razi, Zemahsheriu etj.

Kur manifestohet kjo festë e Mubahala-së?

Kjo festë është një përkujtim vjetor që muslimanët e festojnë. Ai zhvillohet më datën 24 të muajit Dhul-Hixhe të çdo viti hënor të kalendarit musliman. Ndërsa sipas kalendarit diellor, kjo festë korrespodon në këto data:

Viti 1439 = 5 shtator 2018;viti 1440 = 26 gusht 2019; viti 1441 = 16 gusht 2020.

* * *

Urime festa e Mubahala-së

[1] Teksti i letrës së përmendur është si vijon: “Me emrin Zoti i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit … Unë ju ftoj të gjithëve të adhuroni Zotin në vend që të adhuroni krijesat e Tij, në mënyrë që të dilni nga mbrojtja e krijesave të Allahut dhe të hyni nën kujdestarinë e Vetë Allahut…”.