
POZITA E GRUAS NË ISLAM
Autore: Mimoza SINANI
Pozita e gruas në Islamin e hershëm ka qenë me të vërtetë një pozitë shembullore, pozitë që duhet të studiohet dhe të njihet prej çdo gruaje, si edhe prej çdo liberacionisti në shekullin XXI. Zëri i parë që është ngritur për të vërtetuar pejgamberinë e Muhamedit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka qenë zëri i femrës, e ai zë ka qenë zëri i Hadixhes (Zoti qoftë i kënaqur me të). Po ashtu, dëshmorja e parë në Islam ka qenë femër, e ajo është Sumejja, nëna e Amarit.
Pejgamberi ka thënë: “Nga bota juaj më janë të dashura gratë dhe aroma, kurse gëzimi im më i madh është në namaz”.
Siç shihet nga fjalët e tij, gratë janë përmendur së bashku me aromën dhe namazin. Edhe fjalimin e tij të fundit lamtumirës drejtuar as’habëve e përfundoi me porosinë që të jenë të sjellshëm ndaj bashkëshorteve të tyre. Allahu i gjithëfuqishëm, ia besoi mashkullit ndërtimin, ngritjen dhe rregullim e jetës, por femrës ia dhuroi rolin më të madh, më të rëndësishëm dhe më të ndershëm: i besoi edukimin e vetë njeriut.
Duke i dhënë rëndësi të madhe nënës e cila lind dhe edukon shoqërinë, duke lavdëruar amësinë, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Xheneti është nën këmbët e nënës”.
(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 13)