FakteIslamologjiKurioziteteShkenceSociologji

Sfidat e njeriut modern

Sfidat e njeriut modern

Njerëzimi po përjeton një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe shumë të fuqishëm të paparë ndonjëherë në historinë e tij. Andaj gjithë ky zhvillim e bën njeriun të ballafaqohet me lloj-lloj probleme të cilat kërkojnë zgjidhje, qoftë me mjete dhe metoda teknike, fizike, shpirtërore apo psikologjike, të cilat e preokupojnë njeriun modern çdo ditë e më shumë.

Zbulimet e mëdha si kompjuteri, anija kozmike, roboti, aeroplani, ku në zbulimin e aeroplanit një rol të madh luajti Mulla Hasan Masurica, ku pas tij e perfeksionuan vëllezërit anglez Rajt (Wright), përshkoheshin edhe me sfida dhe probleme të shumta në shoqëri. Sfidat e njeriut të sotëm modern janë të shumta, e në këtë punim do të përmendim disa prej tyre. Disa nga sfidat që njeriu sot ballafaqohet mund të ndahen në rajone gjeografike varësisht nga vendet e zhvilluara dhe të pazhvilluara si dhe të varfëra apo të pasura.

Katërmbëdhjetë sfidat kryesore

  1. Sfida e ekstremizmit fetar,
  2. Sfida e ekstremizmit laik,
  3. Sfida e të ushqyerit,
  4. Sfida e sëmundjeve të ndryshme,
  5. Sfida teknologjike,
  6. Sfida humanitare,
  7. Sfida ekonomike,
  8. Sfidat në familje,
  9. Sfida mediatike,
  10. Sfida arsimore-edukative,
  11. Sfida klimatike,
  12. Sfida rajonale,
  13. Sfida globale,
  14. Sfida shoqërore etj.

Zoti i Madhëruar tregon se çdo gjë e ka përsosur me mjeshtri të rrallë dhe ajo gjë është e aftë të ballafaqojë edhe integrimet kohore e teknike: “Ai që përsosi krijimin e çdo sendi…”. (Surja es-Sexhde, ajeti 7)

Kurani Fisnik udhëheq zemrën e njeriut modern kah gjërat e njohura, që paraqiten para syve të tyre, për t’ua treguar atyre fuqinë e Allahut dhe për t’i njohur me mrekullitë që ndodhin para tyre, edhe pse zhvillimi i planetit Tokë ka ecur me ritme të shpejta, sërish disa prej tyre janë indiferentë si shkak i moslidhje së tyre me Kuranin dhe shkencën:

A nuk e shihni atë që e mbillni? A ju e bëni të mbijë ajo, apo Ne e bëjmë të mbijë? Sikur Ne të dëshironim, do ta bënim atë të thyer (të shkatërruar) e ju do të mbeteshit gjithmonë të habitur (duke thënë): S’ka dyshim se ne mbetëm të dëmtuar!”. (Surja el-Vakia, ajetet 63-66)

Allahu ia mësoi njeriut gjërat të cilat mund të ballafaqohet me to në çdo shekull, në çdo kohë dhe në çdo vend. “Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij”. (Surja esh-Shems, ajetet 7-8)

Pra Zoti i mësoi njeriut shumë gjëra edhe pse modernizmi dhe zhvillimi arrin kulmin, Allahu tregon se njeriun e mësoi ku është e keqja dhe ku është e mira për të, si në aspektin fizik po ashtu dhe në atë metafizik, sentimental-shpirtëror. Allahu i dha njeriut duart për të punuar, sytë për të shikuar, lexuar dhe vështruar, ndërsa mendjen për të analizuar, buzët për të provuar, treguar si dhe shumë aftësi të tjera. “A nuk i dhamë Ne atij dy sy? Edhe gjuhë e dy buzë? Dhe i sqaruam atij për të dy rrugët”. (Surja el-Beled, ajetet 8-10)

Njeriu ka nevojë të jetë i vetëdijshëm për ekzistimin e dy rrugëve, ajo e sakta dhe e pasakta, si fjala vjen largimi nga dehja e mendjes së shëndoshë nga alkooli, apo largimi nga kamata dhe shfrytëzimi i njeriut modern kohëve të fundit. Përkundër sfidave të njeriut modern me shumë probleme qofshin shoqërore apo individuale, Kurani erdhi si platform, e shpjegoi çdo detaj, dhe përkujtoi për gjitha këto të mira që Allahu i dha njeriut. Sot edhe pse ky zhvillim ka hovin e tij të pakufishëm, prapë se prapë qielli është qiell, dielli është diell edhe pse është plakur shumë, po ashtu kodra mbetet kodër, fusha mbete fushë, varet sa ne e punojmë dhe kultivojmë atë.

Rreth mirësive të shumta do të duheshin me qindra vëllime e shkrime të shkruheshin rreth asaj çka Allahu ka krijuar në qiej e në tokë dhe në gjërat që ne i shohim dhe nuk i shohim me sytë tanë. Kurani na njofton se: “Sikur të gjithë drunjtë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë ngjyrë) nuk do të mbaronin fjalët e Allahut (do të shtëroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). Allahu është Ngadhënjyes, i Urtë”. (Surja Llukman, ajeti 27).

Lusim Allahun t’ia dalim çdo sfide në këto periudha të vështira që po shtohen çdo ditë e më shumë në këtë kohë moderne për njeriun modern.

Autor: Mr. Arbër Berisha

(Revista “Vlera”, nr. 14, prill 2015, fq. 6-7)

Të ngjashme

Back to top button