1.1

Si t’i edukojmë fëmijët?

Spread the love

Përgjegjësia e prindërve

Prindërit, nga pikëpamjet islame kanë një pozitë shumë të lartë. Islami ka dhënë shumë rekomandime lidhur me ta, saqë bamirësinë ndaj prindërve e ka konsideruar si një prej adhurimeve më të mira. Në Kuranin Fisnik thuhet qartë: “Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni tjetër përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit”. (Surja el-Isra, ajeti 23)

Në një hadith thuhet: “Tri veprat më të mira janë:

  1. Falja e pesë vakteve të namazit në kohën e tyre,
  2. Bamirësia ndaj prindërve,
  3. Orvatja në rrugën e Zotit”.

Pse prindërit janë vendosur në këtë pozitë? Përse Zoti i Madhëruar dhe të Dërguarit kanë dhënë shumë rekomandime lidhur me prindërit? Kjo është për shkak se prindërit janë ata, të cilët përkujdesen më shumë për edukimin e fëmijës, andaj edhe Zoti u ka dhënë një pozitë të tillë. Atëherë, nëse prindërit tregojnë moskujdes në edukimin e fëmijëve, nuk arrijnë dot këtë pozitë.

I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Njësoj sikur babai që ka të drejtë ndaj teje, edhe fëmijët, gjithashtu, në lidhje me ty kanë të drejtë”.

Dhe gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Zoti i mallkoftë ata prindër, të cilët bëhen shkak i pakënaqësise së fëmijëve të tyre”.

Hazret Ali Bin Husejn (a.s.) ka thënë: “E drejta e fëmijës është ajo që nëse është i mirë ose i keq, nga ti ka lindur dhe në këtë botë është me ty, ti je përgjegjës për edukimin e tij. Në njohjen e Zotit duhet të jesh udhëzues i tij, në adhurimet dhe bindjet e Zotit duhet t’i ofrosh ndihmë atij, duhet të jeni të sigurt që Zoti i Madhëruar do të të shpërblejë për këto vuajtje dhe mundime, dhe nëse tregohesh i pakujdesshëm do të ndëshkohesh”.

I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij) sërish ka thënë: “Çdo kush që e rritë një vajzë, duke e edukuar mirë atë, kjo vajzë do ta shpëtojë atë nga zjarri i xhehnemit”.

Zoti i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë: “O ju që besuat, shpëtojeni veten tuaj dhe familjen tuaj nga zjarri”. (Surja et-Tahrim, ajeti 6)

Fëmija ka prirje për t’u bërë fatlum ose fatkeq. Ai mund të bëhet një njeri i përsosur, ose të jetojë si një shtazë e fëlliqur. Lumturia dhe fatkeqësia e fëmijës varet nga edukimi juaj. Shërbimi më i madh që mund të kryejnë prindërit ndaj fëmijëve është që të edukojnë persona të sjellshëm, të mëshirshëm, dashamirës, dijetarë, besimtarë dhe të arsimuar.

I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Gjëja më e mirë që babai mund t’i dhurojë fëmijës është sjellja dhe edukata e mirë”.

Duhet të dimë se roli i nënës për edukimin e fëmijës ka më shumë rëndësi. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij) gjithashtu ka thënë: “Fatlum është ai, lumturia e të cilit ka filluar që në barkun e nënës, dhe fatkeq është ai, fatkeqësia e të cilit ka filluar që në periudhën kur ishte në barkun e nënës”. Në një vend tjetër thotë: “Xheneti është poshtë këmbëve të nënave tuaja”.

Prindër të nderuar!

Fëmijët e sotëm janë baballarët dhe nënat e së nesërmes. Prandaj me edukimin e mirë të fëmijëve tuaj, ju mund të ndërtoni për ata një të ardhme të ndritur dhe një shoqëri të shëndoshë. Fëmija i mirë është shkak i krenarisë, është shkak i krenarisë së prindërve, si dhe mbështetësja e periudhës së pleqërisë dhe humbjes së fuqisë së tyre. Prindërit, rezultatin e edukimit të fëmijëve të tyre e vërejnë që në këtë botë, ndërsa nëse janë të pakujdesshëm, dëmin përsëri do ta vërejnë në këtë botë. Hazret Imam Aliu (a.s.) ka thënë: “Fëmija i keq është një prej fatkeqësive të mëdha. Fëmija i keq e njollos nderin e prindërve dhe shkatërron familjen”.

Është e nevojshme që gruaja dhe burri para se të bëhen prindër, të mësojnë si duhet ta edukojnë fëmijën, e vetëm pastaj të bëhen prindër, për arsye se edukimi i fëmijës fillon që nga lindja, madje edhe para lindjes.

Autor: Prof. Abdulfazl Beni Ahmedi

(Revista “Vlera”, nr. 1, nëntor/dhjetor 2009, fq. 6-7)




There are no comments

Add yours