3.1

Testamenti i pashkruar i të Dërguarit të Zotit (3)

Spread the love

Vazhdim

Ndoshta autori i artikullit të mësipërm Xhemilud’din Ahmed nuk e kishte të qartë se Umeri po e përdorte “mendjen e tij të pavarur dhe kritike” kundër vetë autoritetit të Kur’anit, i cili thotë: “Është caktuar që kur t’i afrohet vdekja ndonjërit nga ju, në ka pasuri për të lënë, t’u lërë prindërve e të afërmve në një masë të arsyeshme. Ky është një obligim për ata që i druhen Zotit” (Surja el-Behare, ajeti 180).

Por ekziston edhe mundësia, që Umeri t’i jetë kundërvënë të Dërguarit të Zotit, jo nga frika se ky i fundit në momentet e fundit të jetës së tij do ta shkatërronte veprën e tij jetësore (Islamin) duke thënë diçka kundër Kuranit, por nga frika se ai do ta shënonte me shkrim atë që e kishte thënë më parë në Gadir Khumm, para një numri të madh pelegrinësh, duke e prezantuar Ali ibn Ebu Talibin si pasardhësin e tij. Umeri duhej të parandalonte një gjë të tillë me çdo kusht. Një testament i nënshkruar dhe i vulosur nga i Dërguari i Zotit, i cili e shpall Aliun si udhëheqës të ardhshëm të Shtetit Islam, do të ishte një gjë që do ta largonte përgjithmonë Kalifatin nga kandidatët e tjerë.

Profeti tashmë e kishte të qartë qëndrimin e ndjekësve të tij kryesorë kur bëhej fjala për pasardhësinë e Aliut. Teksa ai vetë po dobësohej, mosbindja e tyre shtohej gjithë më tepër dhe bëhej më e qartë. Ekspedita e Usames ishte një rast akoma i freskët në mendje. Përplot zemërim, i Dërguari i kishte mallkuar ata që nuk do t’i bashkëngjiteshin Usames por kjo gjë nuk kishte pasur kurrfarë efekti. Ata ishin po kaq shpërfillës edhe kur ai u kërkoi të dilnin nga dhoma e tij.

Për një mysliman modern, mund të duket krejt e çuditshme që njëri nga shokët e të Dërguarit të thotë se ai flet përçart. Por për këtë sjellje të tyre ka një përshkrim të ngjashëm në Kuran. Me sa mund të shihet, këta shokë të Muhammedit, që thoshin se ai fliste përçart, kishin një shembull të ngjashëm tek paraardhësit e tyre, vëllezërit e Jusufit. Ata kishin thënë se babai i tyre Jakubi, i cili ishte gjithashtu profet, ishte duke bërë një gabim të madh. Ata mendonin se ata ishin më të “mençur” se ai. Kur’ani e përcjell këtë gjë, si vijon: “Ata thanë: “Vërtet babai ynë e do më tepër Jusufin dhe të vëllanë. Por ne jemi një grup i fuqishëm. Vërtet babai ynë është duke gabuar. Vriteni Jusufin ose dëbojeni në një tokë të panjohur, që bekimet e babait tuaj t’ju falen vetëm juve. Pastaj mund të jeni sërish nga të drejtët” (Surja Jusuf, ajetet 8-9).

Ata jo vetëm që i urrenin vëllezërit e tyre të pafajshëm, Jusufin dhe Bunjaminin, por edhe nuk e nderonin dhe e nënçmonin babain e tyre si një mendjelehtë injorant në moshë të thyer. Në të vërtetë, Jakubi ishte mjaft i urtë sa të shihte se djemtë e tij të rinj Jusufi dhe Bunjamini kërkonin mbrojtje dhe të shihte se Jusufi kishte një madhështi shpirtërore. Por për ta, urtësia e tij ishte një çmenduri dhe një mendjelehtësi, pikërisht ngase e prekte egon e tyre, siç  bën rëndom e vërteta. Prandaj u mbështetën në forcën e tyre: dhjetë të fuqishmit kundër Jakubit plak, djaloshit Jusuf dhe Bunjaminit të vogël (Shënim i përkthyesit të Kuranit në anglisht, Abdullah Jusuf Ali).

Duke e shpjeguar pjesën e fundit të vargut të dytë, komentuesi thotë: “Ata thanë me ironi: “Njëherë të shpëtojmë prej Jusufit. Pastaj do të kemi kohë për t’u bërë “të mirë” si ai ose të pendohemi për këtë krim tonin pasi t’i kemi gëzuar të mirat e kësaj pune”.

Në këtë pikë, një studiues i historisë do të pyeste përse Muhammedi nuk e diktoi testamentin e tij pak më vonë, pas këtij dështimi fillestar. Pa dyshim, duhet të ketë pasur edhe raste të tjera, në të cilat u mblodhën ndjekësit e tij dhe ai mund ta shfrytëzonte njërin prej tyre. Të pranojmë se Muhammedi do të mund të diktonte një testament më vonë. Por çfarë mund ta pengonte Umerin dhe përkrahësit e tij nga të thënit se ky testament ishte përpiluar në gjendje të “pavetëdijshme” ose duke folur “përçart” dhe se shih për këtë arsye, ishte i papranueshëm për shoqërinë myslimane?

Muhammedi s’kishte dëgjuar ndonjë gjë më të shëmtuar që nga koha e Ebu Xhehlit dhe nuk kishte shumë dëshirë t’i dëgjonte sërish këto fjalë, veçanërisht në një kohë kur ishte në shtratin e vdekjes. Andaj, ai u hoqi dorë nga kjo përpjekje. Plani i Umerit do të funksiononte edhe sikur Muhammedi të kishte diktuar një testament. Për ta racionalizuar sjelljen e Umerit, mbrojtësit e tij thonë se në atë kohë, feja ishte përsosur dhe kompletuar dhe se për këtë arsye, një  testament i tillë ishte i panevojshëm. Është më se e saktë se ishte kompletuar dhe përsosur Islami por kjo s’do të thoshte assesi se edhe shoqëria myslimane (ummeti) ishte e përsosur dhe se mund ta linte mënjanë udhëzimin profetik duke pretenduar se nuk i kanosej ndonjë rrezik për të devijuar nga e Vërteta.

Marrë nga libri “Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve”, autor: Sejjid Ali Asghar Razvi, përktheu: Numan Mustafa, shtëpia botuese: “Dielli”, Prishtinë, qershor 2013, fq. 378-381.




There are 23 comments

Add yours

Post a new comment