2.1

Testamenti i Pejgamberit s.a.a. kushtuar Imam Aliut a.s.

Spread the love

Testamenti i Pejgamberit s.a.a. kushtuar Imam Aliut a.s.

O Ali! Shenjat e arritjes së bindjes së sigurt (jekin) janë këto: mos e kënaq askënd me ndonjë gjë që e zemëron Allahun, mos e lëvdo askënd për ndonjë gjë që të ka dhënë Allahu dhe mos e kritiko askënd për ndonjë gjë që nuk të ka dhënë Allahu. Sepse, furnizimi nuk mund të fitohet përmes lakmisë dhe nuk mund të parandalohet përmes kërkesës.

O Ali! Tri gjëra kanë shpërblim në këtë dhe në botën e ardhshme: haxhi, që e mbulon varfërinë; lëmosha (sadaka), që i largon fatkeqësitë; dhe bamirësia ndaj të afërmve, që ta zgjatë jetën.

O Ali! Nuk ka varfëri më të keqe sesa padituria, pasuri më të madhe se mendja, vetmi më frikuese se egoizmi dhe ndihmesë më të madhe se konsultimi. Asnjë mendje nuk është më e dobishme se sa mendja e kujdesshme. Nuk ka origjinë dhe prejardhje më të mirë se sa morali (ahlak), dhe nuk ka adhurim (ibadet) më të mirë se sa falënderimi.

O Ali! Fjalën e shkatërron gënjeshtra, diturinë e shkatërron harresa, pakujdesia e shkatërron adhurimin, bujarinë e shkatërron neglizhenca, trimërinë e shkatërron zullumi, bukurinë e shkatërron egoizmi dhe prejardhjen familjare e shkatërron të lëvduarit me të.

O Ali! Gjithmonë thuaje të vërtetën; mos të dalë e pavërteta asnjëherë nga goja; kurrsesi mos tento kah tradhtia; frikësohu nga Allahu sikur je duke e parë Atë; pasurinë dhe jetën flijoje për fenë tënde; përfito sjelljen e mirë dhe largohu nga sjellja e keqe.

O Ali! Allahu e do më së shumti veprën që përmban njërën prej këtyre tri kualiteteve morale: Jetësimi i asaj çka ka urdhëruar Allahu; ai që e bën këtë, ai është prej njerëzve më fetar nga mesi i popullit. Largimi prej gjërave të ndaluara (haram) nga ana e Allahut; ai që e bën këtë, ai është prej më të ruajturve të popullit. Dhe, të jesh i kënaqur me furnizimin e dhënë nga ana e Allahut; Ai që e bën këtë, ai është nga më të pasurit e popullit.

O Ali! Tri gjëra janë prej moralit të lartë: të punosh në vazhdimësinë e lidhjes me atë që e ka ndërprerë me ty; t’i dhurosh atij që nuk të jep dhe të falësh atë që të bën zullum.

O Ali! Tri gjëra janë shpëtuese: përmbajtja e gjuhës, qarja për mëkatet dhe mosdalja nga shtëpia (duke pasur për qëllim largimin nga shoqërimi me njerëzit e pamoralshëm).

O Ali! Këto tri kualitete morale vijnë në krye të çdo vepre: sjellja me drejtësi ndaj njerëzve (edhe nëse është kundër interesave personale), mirëmbajtja e barazisë me vëllain tënd besimtar dhe të përmendurit e Allahut në çdo gjendje.

O Ali! Tre persona janë mysafirë të Allahut:

  1. Besimtari i cili e viziton vëllain e vet vetëm për hir të Allahut. Njeriu i tillë është vizitori i Allahut dhe, shërbimi dhe plotësimi i dëshirës së vizitorit është një e drejtë që i takon Allahut.
  2. Mysafiri i Allahut është edhe ai që, pasi ta falë namazin, është i zënë me lutje, përmendje të Allahut (dhikr), lexim të Kuranit, etj. deri në namazin e ardhshëm. Edhe për personin e tillë, shërbimi dhe plotësimi i dëshirës së tij është një e drejtë që i takon Allahut.
  3. Dhe, personi që është në haxh dhe umre. Këta persona janë duke e vizituar Allahun dhe mikpritja për ata i takon vetë Allahut.

O Ali! Ai i cili nuk zotëron këto tri gjëra, nuk do t’i pranohet asnjë vepër: devotshmëria, e cila e ndalon nga kryerja e mëkateve ndaj Allahut; dituria (sipas një tradite tjetër maturia), që e parandalon paditurinë e të padijshmit; dhe mendja, që siguron bashkëjetesën në shoqëri.

O Ali! Tre persona janë nën hijen e Arshit, në ditën e Kiametit: ai që dëshiron diçka për vete, të njëjtën ta dëshirojë edhe për vëllain e tij besimtar; ai që nuk do ta fillojë një punë, pa u siguruar më parë se a e pëlqen apo nuk e pëlqen atë punë Allahu; dhe, ai që nuk do ta kritikojë vëllain e tij në lidhje me ndonjë të metë, të cilën e ka edhe vetë, por të cilën nuk e ka përmirësuar ende. Nëse mundohet që së pari ta përmirësojë të metën e vet, atëherë ai do t’i vërejë edhe të metat tjera që i zotëron dhe në këtë mënyrë do të vazhdojë deri sa t’i përmirësojë të gjitha të metat. Më vonë, do të vërejë se nuk ka kohë për t’u marrë me të metat e të tjerëve.

O Ali! Tri gjëra të çojnë drejt rrugës së mirësisë: bujaria, të folurit e bukur dhe të qenët i durueshëm ndaj fatkeqësive.

O Ali! Në Tora (Tevrat) janë shënuar katër gjëra, që i bartin katër gjëra tjera: kush e lakmon botën, zemërohet në Allahun; ai që ankohet prej një fatkeqësie të qëlluar, në të vërtetë ai ankohet prej Allahut; atij, që përulet përpara të pasurit (për shkak të pasurisë së tij), do t’i zhduket dy e treta e fesë; ata që do të shkojnë në xhehenem prej kësaj bashkësie (ummet), janë ata që i kanë nënçmuar dhe që kanë luajtur me argumentet e Allahut.

O Ali! Katër gjëra sjellin katër të tjera: ai që e arrin pushtetin e luksit – bëhet diktator; ai që nuk konsultohet – do të pendohet; si sillesh ndaj të tjerëve – ashtu do të sillen ndaj teje; varfëria është vdekja më e madhe. E pyetën: “A ka të bëjë varfëria me mospasjen e parasë dhe të mallit?” – Ai u përgjigj: “Jo, ka të bëjë me mospasjen e fesë”.

O Ali! Në ditën e Kiametit do të lotojnë sytë e çdonjërit përveç tre prej tyre: syri që ishte i zgjuar gjatë natës në rrugën e Allahut; syri që nuk i ka shikuar gjërat e ndaluara dhe syri që ka qarë prej frikës nga Allahu.

O Ali! Të lumtë për atë që fytyrën ia vështron Allahu, ndërsa ky është duke qarë për shkak të mëkateve të tija, në vetmi dhe larg prej njerëzve.

O Ali! Tri gjëra e shkatërrojnë njeriun: Nënshtrimi ndaj epsheve dhe pasioneve, koprracia dhe pëlqimi i vetvetes. Ndërsa, tri gjëra e shpëtojnë njeriun: Veprimi me drejtësi edhe në gjendjen e zemërimit; mbajtja e mesit në pasuri dhe në varfëri; dhe, të kesh frikën e Allahut sikur je duke e parë Atë, si në vetmi ashtu edhe në mesin e njerëzve. Sepse, edhe nëse nuk e sheh ti Atë, Ai të sheh ty.

(Redaksia e revistë “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 24-25)

Burimi: Hasan b. Ali el-Harrani, “Tuheful-ukul (Dhuratë mendjeve)”, përktheu në shqip: Gëzim Gërgi, botues: Sh.K.E.A “Penda Islame”, Prizren, 2006, fq. 12-15.




There are no comments

Add yours