T’i kthehemi sërish librit të shkruar, Kuranit Fisnik (1)
Autor: Mahmud Xhafçe
Derisa ne lexojmë tekstet e shkruara me alfabet latin ne e kemi të pamundur të shkojmë më thellë dhe më gjerë në fushën kuptimore, meqë në germat e gjuhëve latine kemi bashkëtingëllore dhe zanore. E lexojmë vetëm atë çka është shkruar. Mënyra e tillë e shkrimit të ajeteve na detyron drejt një leximi të caktuar, andaj edhe nuk mund të dalim përtej kufizimeve të kuptimit të caktuar. Në gjuhët siç janë gjuha arabe, arameje, hebreje e siriane dominojnë bashkëtingëlloret, andaj rrjedhimisht këto gjuhë janë të vokalizuara sikur nota. Të lexuarit në këto gjuhë njëkohësisht në kokë na krijon disa të panjohura, të cilat mund t’i vërtetojnë vetëm ata njerëz që njohin traditën e transmetimeve gojore (njohësit e tevaturit – transmetimeve gojore). Tekstet e shkruara në këto gjuhë nuk na detyrojnë që t’i lexojmë ato vetëm në një mënyrë të caktuar. Këto tekste të shkruara me bashkëtingëllore në njëfarë mënyre vokalizohen sikur notat muzikore.
Ta sqarojmë këtë me një shembull:
Në origjinalin e Mus’hafit të Shenjtë i grumbulluar nga ana e Halifit të tretë Osmanit, që ruhet në Sarajin Topkapi të Stambollit, në Turqi, dominojnë bashkëtingëlloret, pra nuk ka shenja të zanoreve të shkurtra, të cilat në gjuhën arabe janë futur njëqind vjet pas Hixhretit.
Kur në tekstin e Mus’hafit (për lexim më të lehtë prej joarabëve) u fillua me shënimin e zanoreve me këtë e kanë ngrirë edhe kuptimin e tij. Po mirë, ç’kuptim ka kjo? Do të tentojmë që këtë ta sqarojmë me një shembull, atë të shprehjes nga sureja Fatiha: “Ihdinās-sirātal-mustekīm (Na udhëzo në rrugë të drejtë)”. Fjalia në të cilën bashkëtingëlloret janë shenjuar me shenja thuhet: “rrugë të drejtë”. Ndërkohë që në origjinal fjalët “në rrugë të drejtë” janë shënuar me tri bashkëtingëllore S-R-T. Kjo fjalë mund të lexohet në mënyra e kuptime të ndryshme në kombinim me zanore të cilat ne ia ngjesim bashkëtingëlloreve S, R dhe T. Fjala “Sirat” kryesisht shkruhet dhe lexohet si “rrugë”, me çka mund të vijmë te përfundimi se kjo pjesë e ajetit thotë: “Na udhëzo në rrugë të vërtetë”. A është gabim? Jo. Shikuar përgjithësisht kjo është më e përshtatshme dhe e dobishme për njerëzit e nivelit standard.
(Revista “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 34-35)