2256a255009dcced31fb0389e07277c9

Testamenti i Profetit të nderuar Muhamed (pqmtf)

Spread the love

TESTAMENTI I PROFETIT

O Ali, mos vendos unazë në gishtin tregues dhe të mesëm, sepse kështu vepronte populli i Lutit. Gishtin e vogël mos e lë pa unazë.

Ja Ali, Allahu e pëlqen robin i cili i lutet në këtë mënyrë: “O Allah, m’i fal mëkatet, sepse askush tjetër përveç Teje nuk mund t’i falë ato”. Atëherë, Allahu u thotë engjëjve: “O engjëjt e mi! – Ky rob po pranon se askush përveç Meje nuk mund t’i falë mëkatet e tija. Bëhuni dëshmitarë se unë ia fala mëkatet”.

O Ali, ruaju nga të folurit e gënjeshtrës, sepse, gënjeshtra ia nxin fytyrën e njeriut dhe ai person regjistrohet tek Allahu si kezzab (ai që flet shumë gënjeshtra). Të folurit e së vërtetës ia zbardh fytyrën njeriut dhe personi i tillë tek Allahu regjistrohet si sadik (ai që flet drejt). E drejta është burimi i bereqetit, ndërsa gënjeshtra është burimi i fatkeqësive.

O Ali, ruaju nga gijbeti (të folurit mbrapa shpine) dhe nga bartja e fjalëve, sepse, gijbeti e shkatërron sevapin e agjërimit, ndërsa bartja e fjalëve bëhet shkaktare e dënimit në varr.

O Ali, mos u beto në Allahun pa qenë i detyruar për këtë, qoftë e vërtetë apo gënjeshtër. Mos e vendos Allahun si shkak të betimit tënd, sepse, Allahut nuk i dhimbset dhe nuk kujdeset fare për atë që betohet rrejshëm.

O Ali, mos u mërzit për furnizimin e ditës së nesërme, sepse, furnizimi ditor vjen vetvetiu.

O Ali, mos e mbaj inatin, sepse, inatit i paraprin padituria dhe fundi i tij është pendimi.
O Ali, mos u nervozo! Nëse nervozohesh, ulu dhe mendo për butësinë dhe fuqinë e Allahut ndaj robërve të tij. Dhe, kur të të thuhet ty: “Frikohu nga Allahu”, largoje zemërimin tënd dhe kthehu kah butësia dhe durimi yt.

O Ali, kur të harxhon diçka nga malli yt për të tjerët, harxhoje atë me qëllim të përfitimit të kënaqësisë së Allahut. Në këtë mënyrë do ta gjesh atë të grumbulluar tek Allahu.

O Ali, sillu mirë me familjen, fqinjin dhe të afërmit e tu, në mënyrë që ta arrish shkallën e lartë tek Allahu.

O Ali, diçka që nuk dëshiron për vete, mos e dëshiro as për tjetrin. Atë çka e pëlqen ti, kërkoje edhe për vëllanë tënd. Nëse vepron në këtë mënyrë, do të bëhesh i drejtë në gjykimet e tua dhe do të jesh në anën e drejtësisë. Do të jesh i pëlqyer prej banorëve të sipërfaqes së Tokës dhe të qiejve. Mundohu që gjithmonë ta kesh ndërmend këtë testament, inshallah!

-Njeriu i drejtë i ka këto katër shenja: Flet drejt; pranon sihariqin dhe frikësuesin e Allahut; mbetet besnik fjalës së dhënë; dhe largohet prej tradhtisë.

-Shenjat e besimtarit janë: Mirëkuptimi dhe keqardhja ndaj të tjerëve dhe të qenët i turpshëm.
-Shenjat e atij që duron janë katër: Duron ndaj vështirësive; është i vendosur në punët e mira; zotëron modestinë dhe pjekurinë.

-Shenjat e atij që pendohet janë katër: Vepron vetëm me qëllim të fitimit të kënaqësisë së Allahut; nuk paragjykon; e përqafon të vërtetën dhe tregon interesim të madh për punët e mbara.

-Shenjat e atij që turpërohet janë katër: Është i vetëdijshëm për Allahun në çdo vend të hapur dhe të fshehtë; kryen punë të mbara; mendon për kiametin dhe i bën lutje Allahut.

-Shenjat e robit të sinqertë janë katër: Pastron zemrën e tij; korrigjon veprën e vet; drejton dhe rregullon fitimin dhe të gjitha punët tjera sipas rregullave Islame.

-Shenjat e atij që ia do të mirën tjetrit janë katër: Gjykon në bazë të drejtësisë; flet të vërtetën edhe nëse nuk është në favor të tij; atë çka kërkon për vete, kërkon edhe për të tjerët dhe, askujt nuk i bën të padrejtë.

-Shenjat e njeriut të çiltër janë katër: Zemrën e mban të pastër (prej të shoqëruarit ortak Allahut, pabesimit, urrejtja, etj); organet i mban të sigurta (prej të bërit mëkat, torturimit, etj); u bën mirë të tjerëve dhe largohet prej veprave të këqija.

-Shenjat e njeriut të mirë janë dhjetë: Dashuron për hir të Allahut; urren për hir të Allahut; bëhet shok me ndokënd për hir të Allahut; largohet nga ndonjëri për hir të Allahut; nervozohet për hir të Allahut; gëzohet për hir të Allahut; punon për Allahun; dëshiron Allahun; të gjitha veprat i përcjell me modesti, me pastërti të brendshme, me turp dhe me frikë nga Allahu dhe dhuron në emër të Allahut.

-Shenjat e të devotshmit janë gjashtë: Frikohet prej Allahut; druhet nga llogaria e Allahut; tërë natën deri në mëngjes shtiret sikur është duke e parë Allahun; nuk i jep rëndësi kësaj bote dhe, për shkak të moralit të bukur që zotëron nuk e vlerëson asgjë si të madhe në këtë botë.
-Shenjat mutekel-lifit janë katër: Debaton për gjërat e padobishme; garon me njerëzit që janë më të lartë se ai; zgjat dorën tek ato gjëra që nuk mund t’i arrijë dhe, harxhon veten në ato gjëra që nuk do ta shpëtojnë atë.

-Shenjat e mizorit janë katër: I bën të padrejtë atij që është në nivelin më të lartë se ai duke i shfaqur mosbindje; i robëron me dhunë ata që janë nën nivelin e tij; bëhet armik i së vërtetës dhe, bën padrejtësi haptas.

-Shenjat e atij që tregohet janë katër: Kur është dikush afër tij, mundohet të tregohet kinse është i interesuar për rrugën e Allahut; kur të mbetet vetëm, bëhet përtac; ka dëshirë që të lëvdohet për çdo punë që kryen dhe, mundohet që ta afirmojë emrin e vet.

-Shenjat e dyfytyrëshit janë katër: Të brendshmen e ka të prishtë; janë në kundërshtim gjuha dhe zemra e tij, fjala me veprën e tij dhe, e brendshmja dhe e jashtmja e tij. Mjerë për hallin i dyfytyrëshit që do të digjet në zjarrin e xhehenemit.

-Shenjat e atij që harxhon pa masë janë katër: Mburrja me të gabuarën (paragjykimet); dhënia veresie e mallit që nuk është pronar i tij; mosinteresimi për punët e mbara dhe të kritikuarit e njerëzve që nuk ka ndonjë dobi për vete prej tyre.

-Shenjat e të pavëmendshmit janë katër: Syrin e zemrës e ka të verbër; gjithmonë është në mes të gabimit; zbavitja dhe harresa.

-Shenjat e dembelit janë katër: Tregohet i plogësht deri te kufiri i të gabuarit; bën gabime deri tek arritja e shkallës së dështimit të punëve; i dëmton punët deri në atë masë sa që bëhet i padurueshëm dhe tregohet i painteresuar deri sa të zvarritet në mëkate.

-Shenjat e gënjeshtarit janë katër: Kur flet, nuk e flet të vërtetën; kur e pyet për ndonjë gjë që ka thënë vetë, nuk e pranon si të vetën atë fjalë; luan me fjalët dhe bën shpifje.

-Shenjat e ngatërrestarit janë katër: Është i dhënë pas zbavitjes së ndaluar; merret me gjëra të kota; ushqen armiqësi dhe bën shpifje.

-Shenjat e tradhtarit janë katër: Revoltohet ndaj Allahut; i mundon fqinjët; i merr në inat të afërmit dhe, shoqërohet me të lazdruarit.”

Marrë nga libri “ Dhuratë mendjeve”