Untitled design

S’ke pse frikësohesh nga diçka që fshihet

Spread the love

S’KE PSE FRIKËSOHESH NGA DIÇKA QË SHIHET

 

Sigurt, dhe pa asnjë dyshim katragjyshërit e mi ishin të krishterë!

E paraardhësit e tyre, mund të kenë qenë edhe pagan!

Sigurt ishin!

Natyrisht, sepse ne nga qielli nuk kemi rënë.

 

Besimi im, deklarimi i besimit tim, shpirtërores sime, në asnjë mënyrë nuk mund ta degradoj rëndësinë e origjinës sime të lashtë.

 

Madje më bënë të ndihem edhe më mirë. Më bën të ndihem më e qëndrueshme në vendin tim. Paskam paraardhës që kanë shkruar histori, kanë lënë gjurmë të lashtësisë, kanë lënë gjësende të qytetërimit të dikurshëm në vendin tonë, në trojet tona.

 

Po, qenkam me prejardhje ilire. Kjo më jep forcë edhe më shumë. Kjo më bënë të ndihem jashtëzakonisht mirë. Kjo s’ka pse të acaron ty, e as ti s’ke pse ndihesh më shqiptar se unë. Sepse nuk je!

 

Edhe simbolet e paraardhësve të mi, edhe veshjet e tyre, edhe gjësendet e tyre, i studioj, i analizoj, i çmoj shumë. Më pëlqejnë artefaktet, më pëlqejnë stolitë e tyre, çfarëdo që ishin, më ngjallin kureshtjen ti njoh akoma më shumë, të njoftohem sa më shumë me gjurmët e mia brez pas brezi.

 

Tani që besimin tim, në dukjen time, mund ta dallosh edhe ti, çfarë të keqe ka?

Pse duhet të të pengoj ty kjo gjë? Madje madje, ti duhet të jesh kënaqur se besimin tim e manifestoj me veshjen time. Dhe po të duash, mund të informohesh për burimin e besimit tim, qendrën e besimit tim, mënyrën e besimit tim, sepse vet ta lejova në momentin që e vesha mbulesën në kokë.

 

Ske pse frikësohesh nga diçka që shihet, nga diçka që mund ta njohësh më mirë.

 

Besimi im nuk ma ndalon të njoh rrënjët e mia. Besimi im nuk ma ndaloi asnjëherë ta dua vendin tim. Madje më inkurajoi që të mësoj më shumë, ta dua më denjësisht. Dhe për këtë, unë e kam shpirtin rehat.

 

Matja e dashurisë për vendin, nuk bëhet as me jetë. Kjo dashuri ska njësi matëse që e ka zbuluar njeriu, sepse ajo është hyjnore. Lutje të pranuara paçit, o njerëz të mirë.

 

Fitesa Asllani