35. Tolerant

Toleranca nga historia islame

Spread the love

Aspekte të ndryshme të tolerancës ndërfetare kishte edhe në historinë e muslimanëve gjatë gjithë shekujve. Një ngjarje interesante tregohet edhe për sjelljen tolerante të Imam Aliut (a.s.) kur ishte kryetar i shtetit të atëhershëm. Në atë kohë, qyteti i Kufes ishte qendra e pushtetit islamik. Në të gjithë hapësirën e gjerë të shtetit islamik, e veçanërisht në pjesën e Sirisë, ato ditë njerëzit pritnin vendimet dhe urdhrat e reja që do të jepeshin nga ky qytet. Jashtë rrethinave të qytetit, dy veta, njëri musliman dhe tjetri i një feje tjetër (hebre, i krishterë apo zoroastrian) ishin takuar gjatë rrugës. Pyetën njëri-tjetrin se për ku ishin nisur dhe doli që muslimani ishte nisur për në Kufe, ndërsa ai tjetri diku aty pranë këtij qyteti. Atëherë, meqë e panë që rrugën e kishin deri diku të njëjtë, vendosën që ta bënin bashkë, kështu që të kishin mundësi që të shkëmbenin edhe nja dy fjalë së bashku. Rruga e përbashkët kaloi më së miri në saje të bisedës së sinqertë dhe shkëmbimit të mendimeve. Kur mbërritën pranë qytetit të Kufes, ai që nuk ishte musliman, vuri re me plot habi që muslimani nuk u kthye nga ishte rruga e qytetit por hyri rrugës së bashkudhëtarit. I habitur nga muslimani, e pyeti atë:

Po ti a nuk më the që ishe nisur për në Kufe?

Po”, iu përgjigj muslimani”.

Po, atëherë përse iu fute kësaj rruge. Rruga për në qytetin e Kufes është ajo tjetra”.

E di”, iu përgjigj muslimani, “por dua të të përcjell pakëz. Profeti ynë ka thënë: “Sa herë që dy veta marrin një rrugë bashkë dhe bëjnë muhabet, kanë një të drejtë mbi njëri-tjetrin”. Kështu dhe ti e ke një të drejtë mbi mua dhe unë për hatër të saj dua që të të përcjell disa hapa dhe pastaj do t’i kthehem rrugës sime”.

Burri tjetër, i mahnitur iu përgjigj: “Oh, Profeti juaj që ka gjetur kaq mbështetje dhe përkrahje në mesin e njerëzve dhe me atë shpejtësi që është përhapur feja e tij në botë, patjetër te kjo sjellje e te ky moral duhet ta ketë forcën e vet”.

Por habia dhe mahnitja e besimtarit arriti kulmin kur ai mësoi se bashkudhëtari i tij musliman ishte Kalifi (kryetar) i muslimanëve, Ali ibn Ebu Talibi (a.s). Nuk zgjati shumë dhe vetë ai u kthye më pas në musliman duke u bërë pjesë e besimtarëve dhe shokëve të devotshëm të Aliut (a.s).[1]

Autor: Besmir Yvejsi

(Revista “Vlera”, nr. 27, tetor-nëntor 2018, fq. 14-15)

Vazhdon
________________________________

[1] Murteda Mutahhari, “Tregime për njerëzit e vërtetë”, përktheu në shqip: Skerdi Mahmutaj, boton: “Shoqata Flladi”, Tiranë 2007, fq. 29-30.