Vetëdija kombëtare
Dija që përvetësohet e zbatohet në frymën e vënies së interesave kombëtare përpara e mbi interesat individuale, familjare, grupore, fisnore, krahinore, fetare, ideologjike a partiake, është vetëdija kombëtare.
Kjo nënkupton marrjen përsipër dhe kryerjen sipas aftësisë, të çdo detyre që është në funksion të ruajtjes, mbrojtjes e forcimit të kombit. Kombi ruhet më së miri duke frenuar dhe pamundësuar lakmitë e ambiciet e padrejta të kombeve tjera ndaj nesh, por njëkohësisht edhe duke frenuar e pamundësuar ambiciet e lakmitë tona të padrejta ndaj kombeve tjera.
Kombi mbrohet duke mbrojtur të gjitha të drejtat e çdo bashkëkombësi, por, pa dëmtuar të drejtat epjesëtarëve të kombeve tjera. Kombi mbrohet duke qenë të hapur për bashkëpunim me të gjitha kombet liridashëse në botë. Kombi mbrohet duke mbrojtur lirinë e kombeve të kërcënuara e duke ndihmuar aktivisht lirimin e kombeve të robëruara. Kombi forcohet duke rritur e zgjeruar dijen e duke ngritur vetëdijen shkencore, artistike e politike si forca të domosdoshme organizuese. Kombi forcohet duke garantuar me këmbëngulje lirinë e mendimit dinamik, lirinë e krijimit përparimtar dhe të veprimit produktiv. Kombi forcohet duke identifikuar dhe neutralizuar mashtruesit, hilexhinjtë, manipulatorët dhe kriminelët e të gjitha llojeve. Kombi forcohet duke e përsosur identitetin e veçoritë e veta pozitive që, duke ngritur cilësinë e vet, të pasurojë larushinë e të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërkombëtar.
Autor: Adem Demaçi
Marrë nga librushka “Filozofia e jetës”
(Revista “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 5-6)