3.1

VETITË E ROBËRIMIT DHE RRUGA E SHPËTIMIT

Spread the love

Transmetimi të cilin do ta shqyrtojmë është përmbledhje e këshillave të sublimuara dhe shumë të dobishme të Pejgamberit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhënë njërit prej sahabëve të tij të ndershëm, Ebu Dherrit.

Ebu Dherri tha: “Një mëngjes, hyra te Pejgamberi i Allahut dhe hyra në mesxhidin e tij. Në mesxhid nuk pashë asnjë nga njerëzit e tjerë përveç Pejgamberit dhe Aliut, i cili ishte ulur pranë tij. Shfrytëzova rastin që në mesxhid nuk ishte askush dhe i thashë: “O Pejgamber i Allahut, për ty do ta flijoja edhe nënën dhe babain, më këshillo diç për çka Allahu do të më shpërblej”.

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) u përgjigj: “Po, Ebu Dherr, ti je njeri fisnik! Vërtetë je nga mesi ynë, nga Ehli Bejti!

Siç e vërteton hadithi i cituar, Ebu Dherrin Pejgamberi e llogaritë në Ehli Bejtin e tij. Dhe në lidhje me Selman Farisin, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Selmani është yni, nga Ehli Bejti”.

Në vazhdim të hadithit Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) fillon ta këshillojë Ebu Dherrin: “Ta jap një këshillë dhe pres që ta ruash dhe të veprosh sipas saj, sepse ajo përfshinë të gjitha rrugët dhe shtigjet e së mirës. Nëse vepron sipas kësaj këshille, do të të dhurohet mirësia e kësaj dhe botës tjetër”.  Pastaj citoi ajetin:

O besimtarë, kini frikë nga Allahu dhe u besoni pejgamberëve të Tij, Ai nga mëshira e Vet do t’u japë dy shpërblime…” (Surja el-Hadid, ajeti 28).

Prandaj, kuptimi i fjalimit të Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) do të duhej të ishte: Po veprove sipas këshillës sime, do të kesh mëshirë të dyfishtë.

O Ebu Dherr, adhuroje Allahun sikur po ta shihje, sepse nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty”. Në lidhje me këtë kuptimësi në një hadith tjetër thuhet: “Mirësi është që ta adhurosh Zotin sikur po ta shihje”.

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 14, prill 2015, fq. 32)