Çfarë efekti ka lutja?
Efekti i lutjeve
Zoti e bëri lutjen një nga shkaqet kryesore që ndikon me shumë efektivitet në punët e njeriut. Kjo do të thotë që njeriu duhet të jetë i vëmendshëm, zemërhapur ndaj Zotit dhe të kërkojë ndihmën e Tij nëpërmjet lutjeve vërtet serioze. Është një gjë fare e sigurt se Allahu i Lartësuar di gjithçka. Ai e di se çfarë dëshiron njëri e tjetri dhe i di sekretet e brendshme të gjithkujt. Nëse ndodheni në ndonjë vështirësi, apo ju ka pllakosur ndonjë fatkeqësi, mos e humbni shpresën dhe kurajën, mos u dorëzoni në përpjekjet tuaja për ta larguar këtë gjendje. Luteni Zotin sinqerisht, sepse ju nuk mund të parashikoni nëse keni apo nuk keni rrugë shpëtimi nga situata e vështirë në të cilën ndodheni. Allahu i Lartësuar thotë se: “Çdo çast Ai bie në ekzistencë një shfaqje të re, me pushtetin e Vet…”.
Nga ky ajet ne përfitojmë besimin dhe bindjen e fortë se Ai – Atij i qofshim falë – nuk e ka aspak të vështirë që brenda një sekonde ta bëjë fytyrën tonë të gëzuar dhe hidhërimin të na i zëvendësojë me gëzimin.
Allahu i Lartësuar nuk dëshiron ta ndëshkojë njeriun menjëherë për ndonjë mëkat të bërë. Ai i jep afat që ai të pendohet e të pastrohet. Ai është i Mëshirshëm dhe Falës. Ai na do neve më shumë se nëna fëmijët e saj. Ai na ka lënë neve të lirë dhe punët tona na sjellin neve fat, lumturi, dhimbje apo hidhërim. Për besimtarin nuk ka hidhërim. Kur atij i ndodh një gjë e keqe ai e shqyrton çështjen në veten e tij dhe përpiqet të gjejë shkakun pse ka ardhur ky problem. Ai e analizon personalitetin e tij në mënyrë që të gjejë zgjidhjen. Për besimtarin edhe gjëja më e hidhur, që mund ta vërejnë njerëzit me sytë e tyre fizikë, është e mirëseardhur dhe e kalon me durim, sepse ai e di se pas durimit vjen shpëtimi.
Vetëm i Gjithëmëshirshmi i di hallet dhe nevojat e njerëzve, prandaj ne i drejtohemi vetëm Atij, mu siç na urdhëron Ai në Librin e tij Famëlartë ku thotë:
Arabisht:
وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ
Transliterimi:
Ve kāle rabbukum ud‘ūnī estexhib lekum
Përkthimi:
“Dhe Zoti juaj tha: Më thirrni mua, Unë ju përgjigjem juve”. (Surja el-Gafir, ajeti 60)
Allahu i Lartësuar, përmes sures el-Fatiha, i udhëzon krijesat e Tij, se në fillim të çdo pune, së pari, duhet filluar me emrin e tij: bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīm, e pastaj duhet falënderuar Ai – el-hamdu lil-lāhi rabbil-‘ālemīn, duke kërkuar udhëzim dhe më në fund bëhet një pohim solemn dhe solidarizues me lutjen: ijjāke na’budu ve ijjāke neste’īn” që do të thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. Dhe në fund shprehet dëshira që ata të jenë në shoqërinë e të mirëve e jo në shoqërinë e të ligjëve me të cilët Allahu është i hidhëruar.
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 21-22)