Çfarë të bëjmë kur na ofendojnë?
Hadith
“Më të mirët nga populli im janë ata, që durojnë kur ofendohen, durojnë kur iu bëhet padrejtësi dhe që përmbahen kur dikush i provokon” – Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), (Tanbihul-havater, 2/123)
Hyrje
Gjithmonë ka njerëz që kënaqen duke ofenduar, apo provokuar të tjerët, prandaj edhe Kurani Fisnik na këshillon se si duhet të jemi të durueshëm, të përmbajtur në mënyrë që të jemi prej më të mirëve, më të dalluarve. Ndërkaq, ata që ofendojnë dhe ngacmojnë, ata e ndiejnë veten më të gëzuar, sepse ata vetë nuk janë të sigurt në personalitetin e tyre dhe dëshirojnë që përmes ofendimit ju të ndiheni më të ftohtë në relacion me të tjerët dhe më të përkushtuar ndaj tij duke u bërë si ai.
Shpeshherë ndodh që disa njerëz ofendojnë e numërojnë lloj-lloj kritikash. Duke u bazuar në hadithin e Profetit Muhamed s.a.a. se “Ai person që të do ai të bën të qash”, kjo i bie se ai që të do, të kritikon dhe nga kritika e ofendimi i tij ti bëhesh i pikëlluar saqë edhe qan. Mirëpo nëse bazohemi në thënien e Imam Aliut a.s. lidhur me këshillën, atëherë do ta kemi më të qartë fenomenin e kritikës dhe ofendimit, të cilat dallojnë shumë njëra nga tjetra, e ajo këshillë është: “Ai që fshehurazi e këshillon vëllain e tij, e ka nderuar atë. Ai që këtë e bën hapur, e ka nënçmuar” (El-Bihar, 74/166/29), apo edhe këshilla tjetër e radhës: “Kur t’i kritikosh miqtë, bëje atë me mirësi, ndërsa në rast se të bëjnë keq, përgjigju me të mira” (El-Bihar, 71/327/76).
Çdo njeri që nuk i respekton të tjerët, ai e humbet vlerën e tij. Ai që i ofendon të tjerët, qoftë përmes fjalës apo veprës, e humb vlerën personale. Shejtani ka bërë shumë adhurim, ibadet, në kohën e tij askush s’ka bërë ibadet më shumë se shejtani, si dhe ka qenë më i mësuar dhe më i mençur sesa melekët. Mirëpo me veprën dhe fjalën e tij ka ulur një person, një të dërguar nga Allahu dhe kështu u shkatërrua dhe më pas ai nuk vlente më aspak te Zoti. Shejtani e ofendoi Ademin a.s. duke mos i treguar respekt, tërë gjithësia i dha nder Ademit a.s. përveç shejtanit i cili e nënçmoi dhe kështu që nga ajo kohë, ai u shkatërrua dhe nuk i mbetën më vlera si një krijesë e mençur dhe e ditur.
Kush e ofendon një person, qoftë edhe me shikimin e tij, me duart, apo me fjalët e tij, ai është në nivel të njëjtë si të shejtanit dhe kështu i humb vlerat e tij si njeri. Kjo pra është një gjë shumë me rëndësi që ne si krijesa humanë duhet të dimë dhe të mbrojmë veten tonë nga këto vese të shëmtuara. Nuk është e mjaftueshme që ne vetëm t’i njohm këto virtyte, por këto gjëra duhet edhe t’i praktikojmë duke mos shqetësuar askënd dhe duke mos ofenduar dhe dëmtuar me gojën tonë, vetëm atëherë ne jemi muslimanë, robër të Zotit që kemi vlera dhe vetëm atëherë do të jemi të dashur pranë presencës së Zotit e kurrsesi të jemi shërbëtorë të së keqes dhe të bëhemi mizorë.
“O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse nuk të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëra-tjetrën) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë”. (Surja el-Huxhurat, ajeti 11)
Çfarë janë personat që ofendojnë?
Personat që fyejnë, ofendojnë e provokojnë, ata kërkojnë që ne të reagojmë, siç thotë populli, kërkojnë bela dhe ata e presin atë, kështu që ju mos rrini neglizhues në këtë situatë, sepse do të dëmtoheni vet, por duhet të jeni të durueshëm, por edhe vigjilentë që mos të kalohet kufiri i së keqes.
Megjithatë, në këtë gjendje fyese nuk do të thotë që ju të rrini duarkryq, apo të hakmerreni me të njëjtën mënyrë duke ofenduar e fyer, por ju do të mundoheni të merrni këto hapa, pra të formoni strategji me veten tuaj për të luftuar personin që fyen, ofendon, ngacmon e nënçmon. Provoni këtë strategji dhe ju do të jeni krenar e fisnik.
Mendoni, analizoni se çfarë dëshiron personi tjetër, pra ai që ofendon. Njerëzit nuk duan të fillojnë luftën pa asnjë arsye. Mendoni se çfarë janë duke shpresuar ata që të marrin nga ju:
- A janë duke u përpjekur që t’ju frikësojnë?
- A janë duke u përpjekur që t’ju bëjnë budalla dhe të paaftë para të tjerëve?
- A pret ai person që ju të qani dhe të jeni të thyer shpirtërisht?
- A janë duke u përpjekur të nxjerrin nga ju ndonjë argument për të pasur pretekst në diçka?
Mendoni mirë para se të reagoni, kurrë mos i jepni kënaqësi që ju të jeni të mërzitur e të pazotë.
Analizoni situatën
Mendoni në lidhje me kontekstin e fyerjes. Analizoni vendndodhjen e incidentit (vendin dhe momentin kur tjetri ofendon), sepse ju duhet për planifikimin e marrjes së masave. Personi që ju fyen në publik qoftë edhe përmes rrjetit social, ka për qëllim që të ulë statusin tuaj social dhe të rrit të vetin. Si dhe personi që ju ofendon, kur ju jeni në pronën tuaj, ofenduesi shpreson që të nxjerrë ndonjë informatë, apo interes pas atyre fyerjeve.
- Nëse jeni në publik, i rrethuar me miq përreth. Nëse ju i përgjigjeni me një shaka, shakaja duhet t’i bëjë miqtë tuaj që të qeshin. Nëse miqtë tuaj janë përreth dhe ju qëndroni pranë tyre, në këtë mënyrë do të dukeni më të fortë.
- Nëse ju jeni në pronën tuaj mos u ndjeni të dobët. Nga këndi i kësaj prone, qëndrimi juaj ka sinjalizuar se veprimet e tyre nuk janë të pranueshme, nuk janë normale. Dhe kjo do të thotë se ata mund të turpërohen.
- Nëse ju dëshironi që këto veprime të mos i merrni si më lartë, pra si shaka, por të keni qasje serioze ndaj këtij problemi (pra ofendimi), duhet të mos ju kapin emocionet (nervozizmi), por përqendrojeni mendjen në këto fjalë: “Çfarë ke, çfarë po të mungon, fol?”
- Fjalë të rëndësishme që mund të përfshihen në dialog:
- “Pse je kaq i vrazhdë, çfarë të detyron të jesh i këtillë?”
- “Pse nuk shikoni punën tuaj (pse merresh me mua)?”
- “Nëse unë nuk po merrem me ty, pse nuk i lë njerëzit të lirë të jetojnë jetët e tyre?”
- “Pse je kaq paragjykues? Pse nuk mund të jesh i mirë me njerëzit?”
- “Ti je për t’u dhimbsur, për t’u mëshiruar”.
Kjo mënyrë e dialogut me personat që ofendojnë, shpeshherë i ngacmon në ndjenja dhe këto fjalë ndikojnë tek ai dhe te mënyra se si ai reagon ndaj të vërtetës.
Neglizhoni situatën
Ikni larg nga situata, nëse mundeni neglizhoni, sepse nëse nuk ikni, ofenduesi do ta merr këtë situatë si inkurajim për të ofenduar edhe më shumë. Mënyra më e lehtë për të ikur nga këto situata është që të mos i lejosh asnjë shans të të ofendojë. Shoqërohuni me miq të tjerë, ndërsa ofenduesit jepni pak buzëqeshje dhe sikur dëshironi të këshilloni një fëmijë të vogël, ndërsa vëmendjen tuaj kthejeni diku tjetër dhe këto sjelljet tuaja do ta detyrojnë atë të tërhiqet.
Një përgjigje për ofenduesin
Kërkoni nga ofenduesi, çfarë dëshiron nga ju. Pyeteni thjesht: “A jeni duke u përpjekur për të më lënduar mua?” Kjo mund të jetë e mjaftueshme që ai të tërhiqet. Ju mund të thoni: “Hej djali, vajza, burri im, gruaja ime, a jeni në rregull?” Pastaj drejtohuni duke ju ofruar me kujdes fytyrës së tij, por me butësi si mësues. Ofenduesin do ta ktheni nga ana juaj si i bllokuar, pa tekst. Kjo është një gjë e guximshme që ju mund të bëni.
Ndryshoni temë
Për shembull, në qoftë se personi fyen veshjen tuaj, ju ofendon me fjalë fyese, ju mund t’i përgjigjeni me mospërfillje: “Po, vërtet! Ndoshta ju mund të më tregoni dyqanin tuaj ku ju i blini rrobat tuaja?” Kjo do t’ia prish vrullin e mendimit personit ofendues.
Kërkoni ndihmë
- Përzgjidhni disa miq tuaj që mund t’ju ndihmojnë. Nëse fyerja, ofendimi e ngacmimi po bëhet një dukuri apo adet i rregullt, formoni një rreth me miq të tjerë, ecni me ta, shoqërohuni me ta, sepse ofenduesit në njëfarë mënyrë duhen izoluar dhe ata zakonisht tërhiqen, kur të shohin se ti ke një grup shokësh e miqsh që të rrinë pranë.
- Nëse mendoni se ofenduesi nuk ka përmirësim, atëherë kërkoni ndihmën e një personi me autoritet. Mos u merrni me atë se çfarë mund të flasin të tjerët për ju, apo për ndonjë problem tjetër që mund të lind. Ju do të çmoheni për përpjekjen tuaj. Mundohuni ta ndaloni nga e liga një person torturues në shoqëri. Mos e merrni të ligun si shokun tuaj dhe të jeni të heshtur, kjo do të ishte mëkat, hipokrizi.
Autore: Ikballe Berisha Huduti
(Revista “Vlera”, nr. 17, janar/shkurt 2016, fq. 42-43)