1.1

Paraja nuk hahet

Spread the love

Hyrje

Kur kafsha e fundit do të vdes, kur centrali i fundit do të thahet, ndoshta atëherë njeriu do të kuptojë se paraja nuk hahet”.

Me të vërtet dhemb kur sheh imazhe të tilla, kur e di se pushtetarët për të bërë një jetë të qetë, komode, luksoze nuk arrijnë të bëjnë një marrëveshje, e nuk i kushtojnë vëmendje se ata po shkaktojnë dëm, e tëra kjo për para, e për pushtet, që për ta ka rëndësi vetëm qëllimi. Zoti nuk pajtohet me këto veprime mizore të disave me ambicie të sëmura kundër të pafajshmëve, ku pasojat po i vuajnë vetëm ata që s’kanë faj fare, të njerëzishmit, të dobëtit dhe të pastrehët si: fëmijët, gratë dhe pleqtë, pikërisht këta po e vuajnë luftën, çdo gjë për para, naftë, armë dhe për koprracinë e të pasurve. E gjithë kjo mizori veç për fuqi pushtuese.

Është shumë e trishtueshme kur sheh se si përfundojnë luftrat me ëndrrat e personave të pafajshëm, është tmerr i vërtetë për fëmijët dhe njerëzit, të cilët po vdesin nëpër botë, në duart e terroristëve të mallkuar, ata nuk kanë zemër, kanë në vete e më vete djallin. Sa keq të mendosh se paraja është çdo gjë në jetë, është pjesë e saj, natyrisht, por jo jeta. S’blihet çdo gjë me para, në kohën që po jetojmë një pjesë e njerëzve bëjnë gjithçka për to. Gjëja më e rëndësishme është shëndeti, dashuria, paqja.

Jemi duke u udhëhequr nga më të fuqishmit dhe ata marrin vendime të këqija, kurse, ne jemi ata që i paguajmë konsekuencat. Zoti na mbroftë nga kjo e keqe dhe i ndryshoftë mendjet e tyre, dashtë Zoti të reflektojnë e të arrihet një marrëveshje dhe të ketë paqe aty ku ekziston lufta.

Në vendin tonë s’ka luftë, por varfëri dhe abuzime. Pushtetarët tanë mediokër nuk shërbejnë për asgjë të hajrit, të dobishme. Të rinjtë ikin në vende të tjera duke kërkuar siguri, për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të sigurit. Qeveritarëve nuk u intereson kjo, po t’u interesonte, nuk do të ndodhte asgjë nga kjo, vetëm u interesojnë paratë, por, kjo është për fajin tonë që nuk i themi fund.

Të gjithë duam, kemi nevojë për dashuri, paqe dhe respekt, e këtë mund ta arrijmë kur të gjithë do të jemi të bashkuar si vëllezër e motra, pa dallim race, ngjyre, lëkure, religjioni, fundja të gjithë kemi gjakun e njëjtë, është i kuq në të gjitha qeniet njerëzore. Jetojmë në një botë të qelbur, ku i padrejti është mbret, botë e mbushur me plot vrasje dhe padrejtësi. Realitet i trishtuar. Njerëzit është duke humbur dashurinë. Njerëzit po i japin fund njerëzimit. T’i lutemi Zotit për paqe, rehatinë e gjithë njerëzimit…

Autore: Adelinë Rama

(Revista “Vlera”, nr. 17, janar/shkurt 2016, fq. 23)




There are 34 comments

Add yours

Post a new comment