Cili është regjimi ushqimor në syfyr?
Profeti i nderuar (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Zoti i Madhërishëm dhe engjëjt dërgojnë përshëndetje dhe selam, për ata që banë syfyr, prandaj secili prej jush duhet të hajë syfyr, qoftë edhe nëse është sa një pikë uji. Syfyri më i mirë është savigh[1] dhe hurma“.
Meqenëse syfyri është vakti më i rëndësishëm ushqimor i agjëruesve, duhen respektuar disa principe bazë disa nga cilat po i përmendim më poshtë.
1. Fjetjen programoni në mënyrë të atillë që të zgjoheni pak më herët që adhurimin ndaj Zotit ta kryeni me qetësi dhe syfyrin ta hani pa nxitim.
2. Gjatë syfyrit përdorni patjetër ushqime të ngrohta e të freskëta.
3. Përdorni ushqime me pak yndyrë, pak kripë dhe pak sheqer.
4. Gjatë syfyrit përdorni ushqime të larmishme dhe jo çdo syfyr të keni të njëjtën meny.
5. Karbohidratet që përdorni gjatë syfyrit duhet të jenë të larmishme dhe jo karbohidrate të thjeshta të cilat durojnë vetëm 3-4 orë në trupin e njeriut. Karbohidratet e larmishme qëndrojnë deri 8 orë në sistemin e tretjes dhe agjëruesi ndjen uri shumë vonë. Në karbohidratet e larmishme bëjnë pjesë buka dhe drithërat e tjera (orizi, elbi) patatja, thjerrëza, fasulja si dhe frutat dhe perimet.
6. Duhet të përdorni sa më pak ushqime të skuqura sepse bëhen shkak për djegie në stomak dhe për shtimin e etjes gjatë agjërimit.
7. Gjatë syfyrit evitoni ngrënien e ëmbëlsirave, ushqimeve të kripura, me yndyrë sepse këto lëndë ushqimore bëhen shkak për shtimin e etjes gjatë ditës.
8. Evitoni pirjen e dhallës (për shkak të kripës dhe yndyrës që ka), të pijeve me gaz dhe të pijeve me ëmbëltues.
9. Konsumoni kos dhe sallata të ndryshme si dhe supë elbi gjatë syfyrit.
10. Evitoni pirjen e çajit dhe kafesë në kohën e syfyrit, sepse ato shtojnë urinimin duke bërë shkak për shtimin e etjes gjatë ditës.
11. Gjatë syfyrit mos hani ushqime të thata si qoftë dhe qebapë të ndryshëm me mish të kuq. Këto ushqime sidomos kur shoqërohen me erëza, shtojnë etjen dhe bëhen shkak për ulcerën në stomak.
12. Mos konsumoni ëmbëlsira me sherbet, hallvë me yndyrë, majonezë, sallam, salçiqe dhe ushqime të përgatitura jashtë (fast-food).
13. Për të ulur etjen, mund të konsumoni limon, kos dhe jeshillëqe të freskëta.
14. Mos u shtrini menjëherë pas syfyrit sepse ky veprim shkakton çrregullim në aparatin e tretjes.
Konsumimi i ushqimeve me karbohidrate të larmishme dhe i ujit të bollshëm në periudhën nga iftari në syfyr janë principet themelore gjatë muajit të agjërimit.
Autorë:
Ali Jazdinezhad dhe
Sejed Ramazan Mohsenpur
Huazuar nga libërthi: “Udhëzues shëndetësor për muajin e bekuar të Ramazanit”, përktheu: Almir Shakollari, botues: “Fondacioni Kulturor Saadi Shirazi”, Tiranë 2002, fq. 10-12.
________________
[1] Ushqim i fortë i përbërë nga mielli dhe drithëra të tjera, i përdorur më së shumti ndër arabët.