Gruaja në Kuran (Ajeti i dytë) A ishte fajtore Hava për përjashtim nga Xheneti
Gruaja në Kuran – Ajeti i dytë
A ishte fajtore Hava për përjashtim nga Xheneti.
“Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhennet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë” – Surja Bekare ajeti 35
Ajeti Kuranor të njëjtin urdhër ia jep Ademit dhe Havës, prandaj çështjen e të jetuarit në Xhennet dhe arsyen e daljes nga Xheneti nuk e sheh si problem i Havës dhe nuk përmendet emri saj se ajo e shtyri të gabojë në krahasim me atë se çfarë thotë Bibla apo Tevrati për këtë rast.
Nga ajetet e Kuranit përfitohet kuptimi se Ademi u krijua që të jetojë në këtë Tokë. Por, Allahu deshi që më parë të jetonte në Xhenet, i cili është lulishte e gjelbër, me mirësitë të siguruara dhe është e zbrazët prej çdo gjëje shqetësuese për Ademin.
Ndoshta, qëndrimi i Ademit në Xhenet ka qenë fazë përgatitore për disa shkaqe:
- Mos ushtrimit i jetës në tokë;
- Vështirësia e ballafaqimit me problemet e dynjasë, pa parapërgatitje, parapërgatitja e Ademit për t’u përballur me përgjegjësitë e së ardhmes, për t’i kuptuar atij rëndësinë e mbajtjes së përgjegjësisë dhe të zbatimit të detyrave të Allahut për të arritur lumturinë;
- T’i paraqesë pamjen fatkeqe të atyre që neglizhojnë dhe nuk i zbatojnë detyrat e Allahut;
- Sinjalizimi i Tij për të ndaluarat me të cilat do të përballet mbi sipërfaqen e tokës.
Po ashtu ishte e domosdoshme që Ademi ta dinte mundësinë e kthimit te Allahu, pas mëkatit, sepse mëkati ndaj Allahut nuk i mbyll përgjithmonë dyert e lumturisë para tij, por ka mundësi të kthehet e t’i zotohet Zotit, se nuk do të kthehet në atë mëkat, e në atë kohë kthehet te mirësitë hyjnore. T’i njohë miqtë dhe armiqtë e tij, të mësojë se si të jetojë në tokë. Sigurisht, këto ishin disa mësime të domosdoshme, të cilat i parapërgatitin atij jetesën në Tokë.
Për të gjitha këto parapërgatitje për jetën e re, kishte nevojë Ademi dhe bijtë e tij. Ndoshta, periudha që kaloi Ademi në Xhenet ishte periudhë stërvitjeje e parapërgatitjeje për të kryer përgjegjësinë e mëkëmbësisë në Tokë. Këtu Ademi e pa veten e tij përballë urdhrit hyjnor për të mos iu afruar pemës. Por, shejtani refuzoi çdo gjë përveç ekzekutimit të betimit të tij për mashtrimin e Ademit e të gjeneratës së tij.
Ai filloi të sillet me Ademin dhe me gruan e tij në atë formë që i joshte ato, duke u përmendur përjetësinë dhe se do të marrin formën e melekëve, siç duket në disa ajete të Kur’anit. Ai iu betua atyre se u do të mirën, siç thuhet në sure “A’raf” ajetet 20 dhe 21: “Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” Dhe iu betua atyre: “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Më poshtë ajeti thotë: “Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin.”
Po, ata u nxorën prej Xhenetit, në të cilin gjendet qetësia, rehatia dhe që nuk kanë në të as lodhje e as dhembje. Ata u nxorën si pasojë e pëshpëritjeve të shejtanit. Atyre u erdhi urdhëri hyjnor që të zbresin: Ne u thamë: “Zbritni – u thamë Ne – do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar”
Këtu Ademi e kuptoi se i kishte bërë padrejtësi vetes së vet dhe u nxor nga ambienti i qetë e i mbushur me mirësi hyjnore, për shkak se iu dorëzua vesvesit të shejtanit dhe zbriti në ambientin e mbushur me lodhje, vështirësi e vuajtje.
Krahasim mes njohurive të Kuranit dhe Teuratit
Krenaria më e lartë dhe pika më e fortë për Ademin (paqja qoftë mbi të!), që e bënë atë të jetë ajka e universit dhe melekët të bëjnë sexhde për atë, siç duket edhe nga ajetet e Kuranit, ishte të mësuarit e emrave që mësoi dhe njohja e tij për të vërtetat dhe misteret (të fshehtat) e gjithësisë .
Është e qartë se Ademi u krijua për këto dije, ndërsa për bijtë e tij, nëse dëshirojnë përsosuri, duhet që të përvetësojnë sa më shumë nga këto dije. Përsosuria e tyre është në përshtatje dhe bashkëshoqëruese me dijet e njohuritë e tyre për të fshehtat e mëkëmbësisë.
Po, Kurani flet qartë se madhështia e Ademit qëndron në këtë pike. Por, Teurati thotë se shkaku i daljes së Ademit nga Xhenneti dhe gabimi i tij i madh ishin drejtimi i tij kah dija dhe njohja, e mirë dhe e keqe
Në kapitullin e dytë të “Sefer Tekuin” prej Teuratit thuhet: “Zoti e mori Ademin dhe e vendosi në Xhenetin Adn që ta njohë e ta ruajë atë. Zoti e porositi Ademin duke i thënë që të hajë prej të gjitha pemëve të Xhenetit. Ndërsa, prej pemës së njohjes së të mirës e të keqes mos hajë, sepse atë ditë që ti do të hash prej saj, do të vdesësh.”
Në kapitullin e tretë thuhet:“Një ditë kur po frynte erë, ata të dy dëgjuan zërin e Zotit, i cili po ecte në Xhenet. Ademi dhe gruaja e tij u fshehën në mesin e pemëve të Xhenetit që të mos i shihte Zoti.” Zoti i thirri: “Ku je?” Ademi i tha: “Dëgjova zërin Tënd në Xhenet dhe u frikësova, sepse isha lakuriq dhe u fsheha.” Zoti i tha: “Kush ta mësoi ty se je lakuriq?” A hëngre prej pemës, që unë të porosita të mos hash prej saj?” Ademi i tha: “Gruaja që më dhe, ajo më dha nga pema dhe unë hëngra.” Zoti tha: “Ai njeri u bë një prej nesh, njohës i të mirës dhe i të keqes. Ndoshta, tani ai zgjat dorën që të marrë prej pemës së jetës e të hajë që të jetojë përjetë. Pastaj, Zoti e nxorri prej Xhenetit Adn, që të punojë në tokë nga e cila erdhi. Ai e përzuri njeriun dhe vendosi në lindje të Xhenetit dhe kumbimin zjarrin dhe shpatën për ruajtjen e rrugës që të çonte te pema e jetës!!”
Prej kësaj legjende të pavlerë dhe qesharake të cilën e shfaq Teurati i sotëm duke e konsideruar ndodhi historike, na sqaron mendimin e tij për shkakun e nxjerrjes së Ademit prej Xhennetit. Sipas pikëpamjes së kësaj legjende, shkaku është njohja e të mirës dhe e të keqes nga Ademin ndërsa mëkati më i madh ishte drejtimi i tij kah njohja dhe dija!!
Sikur të mos e zgjaste dorën “tek pema e hajrit” dhe e “sherrit” ai do të rrinte i paditur, deri edhe për të keqen e lakuriqësisë dhe nuk do të nxirrej prej Xhennetit, por aty do të rrinte përgjithmonë.
Oh, sa çudi! Përse u zemërua Ademi nga dalja e tij prej Xhennetit, nëse dalja ishte e shoqëruar me fitimin e dijes e të njohjes dhe me dallimin e të mirës nga e keqja? Ajo që arriti Ademi ishte fituese, atëherë përse të pendohet për atë?!
Nga kjo kuptohet se legjenda e Teuratit bie ndesh, në kundërshtim me pikëpamjen e Kur’anit, i cili thotë se pozita e njeriut dhe sekreti i krijimit të tij qëndron në të mësuarit e emrave.
Në shtesë të atyre që përmendëm, themi se kjo legjendë përmban kuptime injoruese, ofenduese e të turpshme ndaj Zotit të Madhëruar e ndaj Krijesave të Tij. Çdo kuptim prej atyre kuptimeve që përmban, kjo legjendë të habit më shumë se çdo gjë tjetër. Kuptimet e asaj legjende janë:
- Veshja e gënjeshtrës për Allahun (që është i pastër e i lartë nga këto cilësi), siç thuhet në fjalinë 17 në librin “Sihahu Thanij”: “Përsa i përket pemës së njohjes së të mirës e të keqes mos ha prej saj, sepse atë ditë që do të hash, do të vdesësh!”
- Veshja e koprracisë për Allahun, siç thuhet në fjalinë 22 prej “Sihahut të Tretë”: Zoti tha: “Ky njeri u bë si një prej nesh, njohësi i të mirës e i të keqes. Ndoshta, ai tani do të zgjasë dorën e tij dhe do të marrë prej pemës së jetës, do të hajë dhe do të jetojë përjetë!”
- Mundësia e të vënit shok Allahut të Madhëruar, siç thuhet në frazën e mëparshme: “U bë një prej nesh.”
- Veshja e smirës (zilisë) për Allahun, siç thuhet në frazën e mësipërme.
- Trupëzimi i Zotit të Madhëruar. “Një ditë kur po frynte erë, ata të dy dëgjuan zërin e Zotit, i cili po ecte në Xhennet.
- Veshja e Allahut me padituri për ndodhitë që ndodhin pranë Tij, siç thotë ky Teurat: “Ademi dhe gruaja e tij u fshehën në mesin e pemëve të Xhennetii, që të mos i shihte Zoti.” Pastaj, Zoti i thirri Ademit: “Ku je?!” Këtu duhet dëshmuar se kjo legjendë nuk ka qenë në Teuratin e zbritur, por është shtesë ndër ato shtesa që i janë bërë Teuratit.
E punoi : Msc. Ikballe Berisha Huduti
- Literatura e përdorur nga:
- Kurani dhe Hija e tij – Fetih Mehdiu
- Prijevod Kurana – Besim Korkut ( në gjuhën Boshnjake)
- Komentimi i Përsosur i Kuranit- Dr. Naser Mekarem Shirazi