1.1

Hazreti Hatixhja – princesha e tregtarëve

Spread the love

Pasha Allahun! Zoti nuk ma ka zëvendësuar me një tjetër grua më të mirë se Hatixhja. Ajo më besoi Mua kur njerëzit nuk besuan, dhe dëshmoi për Mua kur njerëzit më gënjyen, dhe më ndihmoi me pasurinë e saj kur njerëzit nuk më ndihmonin…” – Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij)

Hatixhja, e bija e Huvejlidit, ishte banore e Mekës dhe i takonte fisit Kurejsh. Ajo respektohej nga mekasit për karakterin e saj shembullor dhe për aftësinë organizative. Njësoj siç njihej Muhammedi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) me titujt “i besueshmi” dhe “i sinqerti”, edhe Hatixhja u bë e njohur si “Tahira” (e pastra). Ndër arabët ajo njihej si “princesha e tregtarëve”. Kurdo që karvanët largoheshin nga Meka ose ktheheshin në Mekë, devetë e saja ishin përherë më të ngarkuara se devetë e të gjithë mekasve bashkë.

Kur Muhamedi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ishte 25 vjeç, kujdestari dhe xhaxhai i tij Ebu Talibi i sugjeroi Hatixhes që ta punësonte Muhamedin si udhëheqës të njërit nga karvanët e saj, i cili ishte gati për t’u nisur drejt Sirisë. Edhe Hatixhja ishte në kërkim të një personi të tillë dhe u pajtua menjëherë që Muhamedit t’i jepej kjo detyrë. Muhamedi e mori përgjegjësinë dhe karvani u nis për në Siri. Shërbëtori i saj, i quajtur Mejsere, i bëri shoqëri Muhamedit dhe shërbeu si ndihmësi i tij. Kjo ekspeditë për në Siri solli shumë fitime për Hatixhen dhe ajo u ndikua aq shumë nga aftësitë e Muhamedit, sa e vendosi atë në krye të të gjitha tregtive të saja. Ky rast u bë edhe prelud i martesës së tyre.

Historian i madh britanez Edward Gibbon (1737-1794) në lidhje me hazreti Hatixhen, në librin e tij “The History of the Decline and Fall of the Roman Empire (Historia e rënies dhe e shkatërrimit të Perandorisë Romake)” thotë: “Në vendlindje dhe jashtë, në luftë e në paqe, Ebu Talibi ishte xhaxhai më i respektuar i Muhamedit dhe udhëzuesi e mbrojtësi i tij në rini. Me njëzet e pesë vjet, Muhamedi u punësua pranë Hatixhes, një vejushë e pasur dhe fisnike, e cila së shpejti e shpërbleu besnikërinë e tij duke ia falur dorën për martesë. Marrëveshja e martesës, në stilin e thjeshtë të antikitetit, flet për dashurinë e dyanshme të Muhamedit dhe Hatixhes, e përshkruan Muhammedin si më të mirin e fisit Kurejsh dhe parashikon një dhuratë martese prej dymbëdhjetë florinjsh dhe dymbëdhjetë devesh, të cilat i siguroi Ebu Talibi”.

Ebu Talibi e mbajti fjalimin e rastit gjatë martesës së Muhamedit me Hatixhen dhe fjalimi i tij nuk lë dyshim për faktin se ai ishte monoteist. Ai e filloi fjalimin në stilin “misliman”, duke e lëvduar Zotin për mëshirën e Tij dhe për dhuratat e Tija të pafundme dhe e përfundoi duke u lutur që t’i mëshironte e t’i bekonte të sapomartuarit.

Martesa e Muhamedit me Hatixhen ishte një martesë e suksesshme dhe e bekuar me lumturi për të dyja palët. Hatixhja ia dedikoi jetën Islamit. Ajo e harxhoi gjithë pasurinë e saj për ta forcuar Islamin dhe për t’i shërbyer mirëqenies së muslimanëve. Hatixhja e kishte po atë aftësi sakrifikimi si Muhamedi dhe kishte shumë dëshirë ta shihte triumfin e Islamit mbi paganizmin. Kësaj dëshire të flaktë ajo ia shtoi edhe përkushtimin dhe fuqinë. Ajo e çliroi Muhamedin nga barra e të fituarit për ta ushqyer familjen dhe i mundësoi atij t’ia kushtonte gjithë kohën të menduarit dhe thurjes së planeve për punën e madhe që e priste. Ky është kontributi më i madh që ajo ia bëri të shoqit. Ajo ishte përkrahja kryesore e Muhamedit në ato vite përgatitjeje për profetësinë. Martesa e Muhamedit dhe e Hatixhes u bekua edhe me lindjen e vajzës së tyre Fatimes, të njohur si “Zehra” (e Shkëlqyeshmja). Ndonëse dhuratat e Zotit për ta ishin të shumta, asgjë nuk ishte më e çmueshme se Fatimja. Ajo ishte “drita e syve” të të atit, që në të ardhmen do të quhej “zonja e parajsës”. I ati dhe e ëma i falën dashuri prindërore dhe ajo solli në folenë e tyre shpresë, lumturi dhe bekim nga Zoti.

Mund të shihen edhe shënimet që historia i përcjell për Hatixhen, gruan e të Dërguarit, për vajzën e tyre Fatimen dhe për Zejneben, vajzën e Aliut. Këta shembuj flasin për pozitën e lartë të këtyre grave, të cilën e fituan falë besimit të tyre, thellësisë shpirtërore dhe të kuptuarit të fesë e të kushteve që i rrethonin. Ata u përballën me të gjitha sfidat që i ndeshën në jetët e tyre. Të gjitha këto gjëra tregojnë se nuk kishte asnjë dallim mes tyre dhe meshkujve bashkëkohës.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Mbi Araf do të qëndrojnë Imamët e Ehli Bejtit”. Në një rrëfim tjetër thotë: “Arafi është një vend në mes Xhenetit dhe Xhehenemit. Në atë vend do të qëndrojnë Resulullahu (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), Aliu Hasani, Husejni, Fatimja dhe Hatixhja dhe do të bëjnë këtë thirrje: Ku janë ata që na keni dashur neve, ku jeni pasuesit tanë? Atëherë, të dashurit e tyre dhe pasuesit e tyre do të shkojnë drejt tyre. Ata do t’i njohin përmes emrave të tyre dhe emrave të baballarëve të tyre. Pastaj, do t’i marrin ata për dore dhe do të shkojnë në Xhenet duke kaluar mbi urën e Siratit”.

Gjatë gjithë jetës së tij, Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e lavdëronte Hatixhen (paqa qoftë mbi të) dhe kujtonte mirësitë e saj para bashkëshorteve të Tij. Në një hadith nga Ajshja thuhet se: “Profeti nuk dilte prej shtëpisë pa kujtuar Hatixhen dhe e lavdëronte atë. Një ditë ai e përmendi Hatixhen dhe unë u bëra xheloze dhe i thashë: Ajo nuk ka qenë veçse një plakë e moshuar, dhe Allahu ta zëvendësoi me më të mirë se ajo?” Profeti (paqja qoftë  mbi të  dhe familjen e tij) tha: “Jo, pasha Allahun! Zoti nuk ma ka zëvendësuar me një tjetër më të mirë se ajo. Ajo më besoi Mua kur njerëzit nuk besuan, dhe dëshmoi për Mua kur njerëzit më gënjyen, dhe më ndihmoi me pasurinë e saj kur njerëzit nuk më ndihmonin”.

Kjo shtëpi shembullore, e nderuar, e famshme, ishte e vetmja që gjendej në shkretëtirën e injorancës, ishte më e begatshmja në botën e fatkeqësive të asaj kohe. Kjo ishte e ndërtuar mbi bazat e dashurisë dhe sinqeritetit. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e donte shumë Hatixhen, po ashtu ajo e donte atë dhe jetonin në bujari dhe sinqeritet. Hatixhja çdo gjë që zotëronte e shpenzoi në rrugën e përhapjes së mesazhit.

Nuk gjendej femër e barabartë me hazreti Hatixhen. Ajo ishte e para femër e cila e besoi Kuranin dhe dëshmoi profetizmin e Muhamedit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Po ashtu ajo duroi poshtërimet dhe bllokadat e kurejshitëve së bashku me Profetin. Ajo shpenzoi pasurinë e saj në rrugën e Allahut. Vdekja e saj ndodhi tre vjet para Hixhretit në muajin Ramazan. Profeti u hidhërua shumë për vdekjen e saj. Tre ditë mbas vdekjes së Hatixhes, vdiq mbrojtësi i Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe i mesazhit, Ebu Talibi (Zoti qoftë i kënaqur me të).

Kur Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dëgjoi për vdekjen e xhaxhait të tij u hidhërua shumë. Ai qëndroi pranë tij dhe i fërkoi ballin e Ebu Talibit r.a. duke i thënë: “O xhaxha! Ti rrite të voglin, more përsipër jetimin, dhe më ndihmove kur u rrita (pra në përhapjen e Islamit), Zoti të shpërbleftë për mua më së miri”.

Për pasojë të këtyre dy ndodhive të hidhërueshme në rrugën e lëvizjes historike islame, Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e quajti këtë vit “viti i hidhërimit”.

Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Gratë më të përsosura të banorëve të Xhenetit janë: Hatixhe bint Huvejlid, Fatime bint Muhamed, Merjem bint Imran, Asia bint Mezahim dhe gruaja e Faraonit

Kjo pra është Hatixhja, nëna e Fatimes (a.s.) që i solli pejgamberit një ambient të bukur dhe të shëndoshë familjar. Është e natyrshme që ky ambient i kulluar të ndikoi në jetën e Fatimes (a.s.) dhe në personalitetin e saj që më vonë Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) na tregoi se ajo do të jetë zonja e parë e Xhenetit, ndërsa Hazreti Hatixhja është gruaja më e përsosur dhe nëna e dy zotërive të banorëve të Xhenetit, Imam Hasanit a.s. dhe Imam Husejnit a.s..

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 12, tetor 2014, fq. 20-21)