1.1

JA SE SI MË BRAKTISI E IMJA NËNË…

Spread the love

Autore: Sh. B. Sh.

Isha vetëm dymuajshe, në atë moshë të njomë, posa erdha në këtë botë, u bëra viktimë për shkakun e prindërve të mi. Ajo shkoi, ajo shkoi sikur ta përbinte qielli, ndërsa të tjerët përreth mendonin se unë nuk e kuptoja mungesën e nënës sime.

– “Foshnje e vogël – thoshin, do të mësohet më lehtë tani, se sa po të ishte e rritur.

Ata më mashtronin, më jepnin në gojë një cucëll llastiku, ndërsa unë, unë luftoja me ndjenjat e mia, luftoja me të nuhaturit tim, unë kërkoja aromën e nënës sime, ajo ishte pjesë e imja, unë isha pjesë e trupit të saj. Vajtoja me ditë të tëra, ishte vajtim foshnjeje, por nuk ishte vajtim si i të gjitha foshnjeve të tjera. Në krah i kisha vetëm dy engjuj të mrekullueshëm, vetëm ata ma dinin hallin tim, ata qanin së bashku me mua, ata me preknin në buzën time të ma shihnin një pikë buzëqeshje. Të tjerët kur më shikonin si të mjerë, trazoheshin, iknin nga unë, sepse melekët nuk mund t’i duronin fjalët e mjerueshme që thurnin për mua.

E tëra ishte e kotë, s’mundte askush të më mashtronte. Unë kërkoja aromën e nënës sime, unë kërkoja gjirin dhe frymëmarrjen e saj. Prej asaj kohe lumturia ime fëmijërore mori fund, isha si një pëllumb pa krah dhe nuk dija ku të gjej folenë, mungesën e së cilës e ndiej edhe sot. Për një çast, ajo shkoi, për mua mbeti vetëm emri nënë, por ky emër i mbeti vetëm të kaluarës.

U bënë shumë vite që nuk e shoh Atë, të shenjtën time, mungesa e saj shpirtin ma shtrëngon, nuk jemi aq larg, unë e di ku ajo jeton, por atë diçka e brengos dhe e trishton në zemër e shpirt. Diçka ka, i them vetes me vite të tëra, që nga momenti kur e kam kuptuar se Ajo nuk është e vdekur. Ajo është gjallë, por nuk më njeh mua, apo nuk dëshiron, apo nuk guxon të më njohë. Uh, uh bre, më dogji malli në zemrën time!

Me vite të tëra mendoj për atë, e shikoni ende nënë nuk mund t’i them, së paku ta shkruaj, por nuk mundem. Duke u lutur dhe menduar për të, me vite të tëra e pyes veten:

– Kur do të ma hapë derën, mjafton të ma hapë derën e zemrës, se shpirtin e kam të njëjtë me të sajin, unë e ndjej shpirtin e saj në brendinë time, unë jam shkëndijë e ardhur në këtë botë nga shpirti i saj.

– Kur do të ma hapësh derën që ma mbylle? Mos vallë po mendon se e kam lehtë t’i shkruaj këto fjalë për ty, aspak nuk e kam të lehtë, ato ma helmojnë shpirtin tim në brendi. Vite të tëra kaluan pa ty, aq mall ka zemra ime, më duket se shpeshherë nga malli i tepërt që kam për ty, zemrën ma ka zaptuar lakmia, jo për diç tjetër, por për TY, e lakmoj çdo nënë kur e ledhaton bijën e saj, e lakmoj çdo shikim të fëmijës kur e shikon nënën në bebëzat e syrit, e lakmoj ledhatimin e nënave që mua më mungon, e dëshiroj praninë e saj në praninë time, qoftë edhe një çast, le të jetë ai, qoftë edhe një çast para dyshekut të vdekjes sime.

O Zot pse është kështu jeta, për dikë e hidhur, për dikë e mbarë, çka kam faj unë, faji nuk është i imi, faji është i të tjerëve, ndërsa unë e vuaj. Çfarë mallkimi është ky për mua, të mos kem familje si të gjithë të tjerët, me baba, me nënë, me vëlla e motër, e të isha çmallur me ta.

Sot vendosa të të them Nënë, për herë të parë në jetën time, por nuk kam guxim të ta them me tingull, por me shkronja të përgjysmuara, mu sikur zëri im i shpirtit. Nënë, jam e mbushur në mendime, në brendinë time kam një zbrazëti të madhe, atë zbrazëti askush s’mund të ma mbush, pos pranisë tënde. Kur do ta arrij përqafimin tënd, të të puth fort, të të shtrëngoj me aq forcë e dashuri që kam? Shumë vite u tretën pa ty, të lutem, kjo dhimbje është në duart e tua, të lutem shuaje, shëroje, qetësoje, vetëm ti je ilaçi im.

Me vite të prita, askund në botë nuk mund të gjej prehje e qetësi, si në kraharorin tënd, e di, asnjë dorë në botë nuk mund të mi përkëdhelë flokët më me butësi. Më le një dhimbje në shpirt, më le të vuaj përjetë, por ti ende po vazhdon të luash me ndjenjat e mia, vazhdon akoma të luash, por mos, mos se ti je nëna ime, unë jam pjesa e trupit tënd, unë të dua pa marrë parasysh se çfarë je ti, edhe pse të tjerët nuk flasin keq për ty, andaj të dua se ndjenjat e mia mi ke lënë të paplotësuara.

Të pyes, edhe sa ditë, edhe sa muaj, edhe sa vite më duhet ta pres atë ditë të lumtur, atë ditë, apo mos ndoshta më duhet të mbytem nga trishtimi, zhgënjimi i shpresave të mia. Nëse ti nuk mi kthen ndjenjat e vjedhura nga unë, unë do të vdes ashtu si më ke lënë sikur kur isha foshnjë dymuajshe, me melekë mbi kokën time, por kësaj here engjëjt nuk do të më mashtrojnë, sepse thonë se para vdekjes së çdo njeriu, vijnë shpirti i babait, i nënës dhe i thonë evladit të tij: “hajde ngadalë evladi jonë, jepja shpirtin tënd Allahut, ashtu siç ja kemi dhënë ne”.

Nënë! Nënë, të lutem për hir të Zotit mos më le të më vdes shpresa ime në fund, dua të vdes para shpresës, dua ta shuaj shpresën, e shpresa ime shuhet vetëm me praninë tënde. Më beso nënë, e di që do ta lexosh këtë letër time, nuk do t’ia jap këtë revistë “VLERA” që të bie në duart e babit tim, sepse ai ndoshta ka gabuar me ty apo ti me të, por kurrë nuk më ka ndaluar të të shohë ty, të të dua, të ngopem me dashurinë amnore, pos kësaj ai ka vuajtur për mallin tim.

Ti do të vdesësh, unë do të vdes, babai im do të vdesë, edhe ai (burri yt) do të vdesë, por vdekja ime do të jetë më e trishtuara, vdekja ime do të më gjejë pa pasur mundësinë të kënaqësha me ty ndonjëherë, do të pendohemi shumë, sepse çelësat i ke pasur ti në duart e tua, ndoshta duart i ke të pranguara, që nuk e besoj, por ndoshta edhe ai që t’i ka pranguar, kur ta lexojë këtë letër time, me siguri do ta vrasë ndërgjegjja, nëse ai ka dorë, çelësat e derës sime të mbyllur dhe nuk t’i jep ty për të ma hapur derën e dashurisë së pashuar.

Jeta po më ik, çdo sekondë e jetës sime nuk më kthehet më, kur e marr emrin tënd në gojë, buza më dridhet e s’mund të flas dot, dhimbja zemrën ma lëndon, malli çdo ditë më rritet, e mendimit tim për ty çdo herë i bashkëngjiten lotët e syve të mi. Vetëm një gjë më freskon, e ajo është shumë e thjeshtë, e ëmbël dhe optimizmi i jetës sime, e ajo është fjala NËNË, por jo fjala e shquar Nëna H……, por fjala e vërtet NËNË, sepse edhe unë tani jam nënë e tre fëmijëve, por nuk jamë fëmijë i Nënës H…..

Dashurinë time të munguar për ty, kam filluar ta plotësoj, duke ia falë fëmijëve të mi, duke dëshiruar të mos jem nënë si ti, por e di se ti prapë je NËNA ime, ti do të më kthehesh mua, ti do të ma hapësh derën e pranguar dhe në fund të them se: DASHURINË QË KAM PËR TY, NUK MUND TA GJEJ TEK ASNJË NJERI.




There is 1 comment

Add yours

Post a new comment