5.1 Jeta dhe vepra e Dalip Frashërit

Jeta dhe vepra e Dalip Frashërit

Spread the love

Dalip Frashëri (Frashër, shekulli XIX). Poet i shquar. Ka shkruar “Hadikanë” me 732 faqe dhe që i kalon 65.000 vargjet. Autor i origjinalit është persiani Husejn Vaizi. Dalip Frashëri e përktheu në prozë e poezi nga turqishtja e përshtatur nga shkrimtari turk Fuzuliu. Titulli i veprës është “Hadikatus-Suada” që do të thotë “Pemishtja e të mirëve”.

Ne e njohim këtë vepër të përkthyer nga Dalip Frashëri me emrin e shkurtuar “Hadika”, ashtu siç e njohu më vonë edhe populli. Dalip Frashëri, i cili u ndodh në vështirësi të shkrimit me alfabet arab, që nuk i përgjigjej fonemave shqipe, gjatë kompozimit të veprës së atij ankohej duke thënë:

Gjer që shqipja është zahmet
edhe nuke këndonetë,
se harfet janë gallet
nuke qëronetë
…”

Dalip Frashëri na thotë se e shkroi këtë vepër më 1842. Përmbajtja e “Hadikasë” ka për subjekt kryesisht tragjedinë e Qerbelasë. Kjo këndohet veçanërisht në periudhën e matemit (zisë), që i përgjigjet dhjetëditësisht të parë të muajit hënor të Muharremit, që për bektashinjtë është periudha e agjërimit.* Sipas “Historisë së Letërsisë Shqipe”, vepra s’ka vlera artistike, por ka rëndësi vetëm historiko-gjuhësore.

Mahmud Hysa në një punim të tij thekson:

“… Vepra më voluminoze e mbarë letërsisë sonë, “Hadikaja” e Dalip Frashërit, me mbi 60.000 vargje, është lënë jashtë interesimeve më elementare me motivacionin se s’ka tematikë kombëtare. Besoj se kjo vepër meriton studime më serioze në mos për gjë tjetër, atëherë së paku se ajo ka qenë “abetare” poetike e Naim Frashërit”.

Kurse historian Kristo Frashëri thotë:

Naimi e ka njohur “Hadikanë” që kur jetonte në vendlindje, aq më tepër që ajo vlerësohej si libri i bektashinjve të asaj kohe. Megjithatë, sado që e çmoi poemën e Hyxhretiut, Naimi u bë edhe kritiku i saj… sepse e kishte mbushur poemën me fjalë turqishte…”.

* Teqeja në foto ndodhet në fshatin Frashër të Përmetit të Shqipërisë, aty ku shërbeu Dalip Frashëri.

Huazur nga libri: “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë”, autor: Shefik Osmani, botues: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë 1998, fq. 43-44.