4.1 Lutja e Imam Husejnit në Ditën e Arafatit

Lutja e Imam Husejnit në Ditën e Arafatit

Spread the love

Nga lutjet më në zë të kësaj dite është edhe lutja e zotërisë së dëshmorëve, Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të). Transmetohet që Imam Husejni së bashku me familjen, djemtë dhe shërbyesit e tij, derisa qëndronte përballë malit në drejtim të Kibles, ngriti duart para fytyrës, duke marrë trajtën e të uriturit që kërkon ushqim dhe tha:

Falënderimi e lavdërimi i takojnë vetëm Allahut. Nuk ka sprapës për vendimin e Tij, nuk ka ndalues për dhënien e Tij e nuk ka shpikës të shpikë si Ai. Për Atë asgjë nuk mbetet e panjohur e tek Ai nuk humbin gjërat e lëna në mirëbesim. Ai është Shpërblyesi i çdo mjeshtri, Veshësi me rrobën e krenarisë i çdo të kënaquri me mirësinë e Allahut, Mëshiruesi i çdo të përuluri, Zbritësi i dobive e i Librit gjithëpërfshirës me dritën vezulluese. Ai është Dëgjuesi i lutjeve, Sprapës i pësimeve, Lartësues në grada, Shtypës i tiranëve.

Nuk ka zot tjetër përveç Tij; nuk ka asnjë send të jetë i barabartë me Atë; asnjë send nuk i ngjan Atij. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi, i Buti, i Gjithinformuari dhe mbi çdo send Ai është Fuqiplotë. O Zoti im! Unë kam dëshirë të madhe të arrij pranë Teje; unë dëshmoj se vetëm Ti je Zoti; unë pohoj se me të vërtetë Ti je Zoti im dhe se vetëm te Ti është kthimi im. Ti më fillove mua me mirësinë Tënde para se unë të isha send që përmendet; Ti më krijove mua prej dheut, pastaj më dhe formën materiale në mitër qysh në rrjedhën e ditëve të kaluara dhe të shekujve që nuk mbahen mend. Me mëshirën Tënde e me mirësinë Tënde për mua, Ti nuk më nxorre mua në shtetin e prijësve mohues, të cilën kanë shkelur e kanë thyer besën Tënde dhe kanë përgënjeshtruar të dërguarit e Tu; porse Ti më nxorre mua në vendin që ishte përpara meje, ishte në udhëzimin e rrugës së drejtë, udhëzim në të cilën Ti më krijove mua dhe atë rrugë Ti e bëre të lehtë për mua. Edhe më parë Ti ishe i mëshirshëm ndaj meje me shpikjen Tënde të përsosur e të pajisur me të gjitha mirësitë. Pasi e fillove krijimin tim nga një pikë lëngu që hidhet, Ti më vendose në tre errësirat në mes mishit, gjakut e lëkurës. Ti nuk bëre që unë të jem dëshmues i krijimit tim, Ti nuk le në dorën time asgjë nga çështjet e mia. Pastaj Ti më nxorre mua, ashtu siç kishe nxjerrë edhe ata që kishin dalë para meje në udhëzimin e rrugës së drejtë; më nxorre në këtë botë të plotë e të përsosur.

Ti më ruajte mua në djep kur isha foshnje e fëmijë, Ti më ushqeve me qumësht të përshtatshëm, Ti më bëre mua të dashur në zemrat e gjidhënëseve dhe Ti më vure nën kujdestarinë e nënave të mëshirshme. Ti më ruajte prej goditjeve të xhinëve e Ti më shpëtove nga teprimi e pakësimi. I Lartë je Ti, o Mëshirëmadh, o i Gjithëmëshirshëm, derisa unë fillova të flas, Ti plotësove për mua llojet e mirësive të mëdha. Ti më rrethove me përkujdesje të shtuar për çdo vit, deri më bëre të plotësuar dhe e përsose fuqinë time. Ti e bëre detyrë për mua argumentin Tënd kur më inspirove njohjen Tënde dhe më tërhoqe vëmendjen me urtësinë e krijimit Tënd. Ti më ndërgjegjësove me mrekullitë e mëdha të krijimit Tënd që Ti i ke shpërndarë në qiellin e në tokën Tënde. Ti më tërhoqe vërejtjen për të të falënderuar Ty dhe për të të përmendur Ty. Ti më vure detyrë bindjen ndaj Teje e adhurimin për Ty. Ti më bëre të kuptoj atë me të cilën erdhën të dërguarit e Tu dhe bëre të lehtë për mua të pranoj kënaqësinë Tënde; bëre për mua të mira në të gjitha gjërat dhe kjo në saje të ndihmën Tënde e të butësisë Tënde. Qysh kur Ti më krijove mua prej baltës më të mirë dhe kurrë s’reshte, o Zoti im, duke më dhënë mirësitë njërën pas tjetrës, Ti më furnizove me të gjitha llojet e ushqimeve e të veshjeve të bukura, me mirësinë e dhënies Tënde të madhe e gjithnjë më të madhe për mua me bamirësinë Tënde të përhershme, derisa i plotësove për mua të gjitha mirësitë…

Lutje e shpëputur pjesërisht nga libri me lutje “Çelësat e Xheneteve”, autor: Shejh Abbas El-Kummi, përkthyes: Haxhi Selim Stafa, botues “Shoqata Flladi”, Tiranë 2014, fq. 530-534.