3.1 Festa e Ghadir Khumm-it

FESTA E MADHE E GADIRIT

Spread the love

Kurorëzimi i Imam Aliut si sundues i ardhshëm i muslimanëve dhe si prijës i Shtetit Islam

Haxhi i lamtumirës kishte mbaruar tashmë dhe Muhammedi, i Dërguari i Zotit, bashkë me turmën e madhe të ndjekësve të tij, ishte gati për t’u kthyer në shtëpi. Ai dha shenjë dhe karvani i pelegrinëve u nis nga Meka. Në një distancë të shkurtër në veri të Mekes është një luginë e quajtur Khumm, në të cilën gjendej një pellg uji (Gadir në arabisht). Khummi ishte një udhëkryq, nëpër të cilin kalonin shumë rrugë. Kur i Dërguari arriti në afërsi të Gadirit, atij iu shpallën vargjet në vijim:

O i Dërguar! Shpalle porosinë që t’u zbrit nga Zoti yt! Po të mos e shpallësh, s’do ta kesh plotësuar detyrën tënde. Dhe Zoti ka për të të mbrojtur nga njerëzit sepse Ai s’i udhëzon ata që e mohojnë të vërtetën” (Kurani, surja el-Maide, ajeti 67).

Urdhrat hyjnorë mbase kurrë më parë s’kishin qenë kaq të mprehtë si në këtë varg, i cili me sa shihet, kishte të bënte me një çështje jetike që i Dërguari duhej ta shpallte herët a vonë. Andaj, ai urdhëroi që karvani të ndalej dhe të thirreshin prapa ata që ishin nisur në drejtime të ndryshme. Pastaj priti derisa edhe karvani i fundit i nisur nga Meka arriti tek pellgu në Khumm. Pelegrinët do të ndaheshin nga njëri-tjetri në Khumm dhe do të vazhdonin me karvanë të ndryshëm duke shkuar secili drejt destinacionit të vet. Por i Dërguari kishte një shpallje të rëndësishme për të bërë para se të shpërndaheshin pelegrinët dhe ishte i kujdesshëm që këtë shpallje ta dëgjonin sa më tepër muslimanë që të ishte e mundur.

Një “foltore” u improvizua nga lëkurat e deveve të vendosura mbi njëra-tjetrën dhe i Dërguari u ngjit mbi të, në mënyrë që gjithkush të mund ta shihte me sytë e vet. Kushëriri i tij Aliu qëndronte pranë tij. Tani Muhammedi ishte i gatshëm për ta mbajtur fjalimin historik, duke iu bindur urdhrit të dhënë në vargun e mësipërm. Ai iu falënderua Zotit që i kishte bekuar me Islamin dhe pastaj u parashtroi një pyetje muslimanëve:

A kam unë më shumë të drejtë mbi shpirtrat tuaj sesa ju vetë?

Muslimanët u përgjigjën njëzëri: “I Dërguari i Zotit ka më shumë të drejta mbi shpirtrat tanë sesa ne vetë”. “Në qoftë se është ashtu, atëherë kam një porosi shumë të rëndësishme për ju”, tha i Dërguari dhe vazhdoi:

O muslimanë! Unë s’jam veçse një i vdekshëm si të gjithë ju dhe shumë shpejt, mbase do të shkoj në prani të Zotit tim. Trashëgimia ime më e vlefshme për ju janë Libri i Zotit dhe pjesëtarët e familjes sime. Tani dëgjoni me kujdes dhe dijeni se unë jam Udhëheqësi i të gjithë besimtarëve. Të gjithë ata burra dhe ato gra që më njohin mua si Udhëheqës të tyre, le ta njohin edhe Aliun si të tillë! Aliu është Udhëheqës i gjithë atyre burrave dhe grave, udhëheqës i të cilëve jam unë”.

Pas kësaj shpalljeje, i Dërguari i ngriti duart drejt qiellit dhe tha:

O Zot! Ji mik i atij që është mik me Aliun dhe ji armik i çdokujt që është armik i tij!”.

Ajo që përcollëm më sipër është një përmbledhje e asaj që tha i Dërguari i Zotit në Khumm. Teksti i plotë dhe konteksti i këtij fjalimi është ruajtur në veprën e famshme “Teuhid ed-Dalail” të dijetarit të famshëm sunnit Allame Shahab’ud-din Ahmed. Më poshtë po e japim një version të shkurtuar të fjalimit, ashtu siç është përcjellë në këtë vepër:

I falënderohem Zotit për të gjitha të mirat e Tija. Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut dhe se Ai është Zoti i vetëm, i Gjithëfuqishëm dhe i Përsosur. Ne të gjithë jemi të varur prej tij. Ai s’ka bashkëshorte, s’ka fëmijë dhe s’ka të barabartë. Unë jam njëri nga robërit e Tij por Ai më zgjodhi si të Dërguar të udhëzimit për gjithë njerëzimin. O njerëz! Kini drojë Zotin gjithmonë dhe kurrë mos tregoni mosbindje ndaj Tij! Mos luftoni veçse për Islamin dhe mbani mend se dituria e Zotit përfshin gjithçka.

O muslimanë! Kini kujdes sepse kur të shkoj unë, do të dalin ca njerëz që do të më veshin fjalë që s’i kam thënë dhe do të ketë një grup njerëzish që do t’u besojnë atyre. Por unë strehohem te Zoti sepse s’ju kam thënë tjetër përveç të Vërtetës dhe s’ju kam ftuar drejt asgjëje, përveç asaj që Ai ma ka shpallur. Ata që i kalojnë kufijtë në këtë punë, do të dënohen”.

Atë çast, Ibade ibn Samiti, një ndjekës i Muhamedit, u ngrit dhe tha:

O i Dërguari i Zotit! Kur të vijë ajo kohë, kujt t’i drejtohemi për udhëzim?” I Dërguari u përgjigj: “Duhet t’u bindeni njerëzve të Shtëpisë sime (Ehl-i Bejtit) dhe ata t’i ndiqni. Ata janë trashëguesit e diturisë sime prej Profetit. Ata do t’ju mbrojnë nga devijimi dhe do t’ju udhëzojnë drejt shpëtimit. Ata kanë për t’ju ftuar drejt Librit dhe drejt Traditës sime (Sunnetit). Ndiqni ata sepse ata nuk bien kurrë në dyshim. Besimi i tyre në Zotin është i palëkundur. Ata janë të udhëzuarit, ata janë Imamët dhe vetëm ata mund t’ju shpëtojnë nga mosbesimi, nga devijimi dhe nga risitë në fe.

Zoti ju ka urdhëruar ta doni Ehli Bejtin tim. Devotshmëria ndaj tyre është një obligim për ju (Kurani, surja Esh-Shura, ajeti 23) sepse ata janë të pastrit (Kurani, surja el-Ahzab, ajeti 33). Ata janë të pajisur me virtyte që s’i ka askush tjetër. Ata janë të zgjedhurit e vetë Zotit dhe tani, Zoti më ka urdhëruar t’jua shpall këtë: “Dijeni se Meula (Udhëheqës; Mbrojtës) i kujt të jem unë, Meula i tij është edhe Aliu. O Zot! Ti bëhu Mik i atij që është mik i Aliut dhe bëhu Armik i gjithkujt që është armik i tij. O Zot! Ndihmoje atë që e ndihmon Aliun dhe largohu prej atij që largohet prej Aliut!

Fjalimi kishte mbaruar. I Dërguari i Zotit zyrtarisht e kishte shpallur Ali ibn Ebu Talibin sundues të ardhshëm të muslimanëve dhe e kishte emëruar si prijës të Shtetit Islam. Sapo u bë kjo shpallje, u shpall edhe vargu i fundit i Kuranit (Surja el-Maide, ajeti 3):

Sot e përsosa fenë tuaj, i plotësova të mirat e Mia mbi ju dhe jua zgjodha Islamin si fe”.

Ishte dita e tetëmbëdhjetë e muajit Dhul-hixhxhe të vitit të 10-të pas Hixhrit (21 Mars 632) kur u shpall vargu i fundit i Kuranit. Shpallja kishte filluar në vitin 610 në shpellën Hira në Meke dhe përfundoi në vitin 632 në luginën e Khummit, me emërimin e Ali ibn Ebu Talibit si Prijës pas Muhamedit dhe si Udhëheqës të qeverisë së Medines dhe të Shtetit Islam.

Ibn Haxher el-Askalani, në veprën e tij “el-Isaba fi temjiz es-Sahabe” thotë se pasi e bëri këtë shpallje, i Dërguari i Zotit vendosi një turban në kokën e Ali ibn Ebu Talibit, me çfarë edhe e përfundoi “kurorëzimin” e tij. Të gjithë shokët e Profetit e përgëzuan Aliun pas kësaj ndodhie. Në mesin e atyre që e përgëzuan ishte edhe Umer ibn el-Khattabi dhe të gjitha gratë e Profetit.

* * * URIME FESTA E MADHE E GADIRIT * * *