f2fbfe8b92e7d1e99e19dfbb8c34c314

Kuriozitete të rrëfyera para 1400 viteve nga profeti Muhamed s.a.a

Spread the love

KRIJIMI I KARKALECIT

Prej një fjalimi (hytbeje) të Profetit Muhamed ( paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij) , në të cilën përshkruan krijimin e karkalecit fillon kështu:
Hytbja – Fjalimi “Kam dëshirë të flas për karkalecin.”
Kur Allahu i krijoi atij dy sy të kuq, në bebet e zeza të syve të tij Ai bëri të rrezatojnë dy hëna. Ai i bëri atij dëgjim të fshehtë, hapi për të një gojë të shtrirë, i bëri karkalecit shqisa të fuqishme dhe dy dhëmbë me të cilët ai shqyen, si dhe dy drapërinj me të cilët ai kap. Fermerët tmerrohen prej karkalecit për të mbjellat e tyre dhe nuk kanë mundësi ta largojnë atë edhe sikur të mblidhen të gjithë së bashku pasi ai së bashku me “shokët”, për të kryer dëshirat e tyre, i kthejnë të mbjellat në tokë të lëruar. Krijimi i karkalecit si tërësi nuk është një gjë e vogël e pa rëndësi, që tregohet me gisht për t’u tallur.”
KARKALECI: Karkalecat janë grup i madh i insekteve (mbi 10.000 lloje) të përhapura në vendet e ndryshme te botës. Në kokë kanë dy antena të gjata, ndërsa aparati i gojës është i përshtatur për grimcim. Kanë dy palë krahë. Këmbët e prapme i kanë shumë të zhvilluara dhe iu shërbejnë edhe për kërcime të gjata. Karkalecat ushqehen me bimë dhe në vendet ku kalojnë tufat e tyre, dëmtojnë shumë kulturat bujqësore

KRIJIMI I MILINGONËS

Prej hytbes së mësipërme, përshkruan gjithashtu milingonën:
“Shikojeni milingonën me hijeshinë e pamjes, me trupin e saj të vogël. Ajo është aq e përkryer, sa nuk arrin ta perceptosh me një shikim të vetëm, me një mendim të thjeshtë. Shiko si ecën mbi tokë e si hidhet mbi ushqimin e saj. Ajo e mbart farëzën për në strehën e vet dhe e përgatit në vendbanimin e saj. Milingona e mbledh ushqimin e vet në të nxehtë e në të ftohtë, pasi ka shëtitur shumë në kërkim të tij. Milingonën Ushqyesi (Zoti) nuk ia mbyll ushqimin, Llogari marrësi nuk e kufizon milingonën nga mbledhja e ushqimit, as në tokën e thatë dhe as në gurin e fortë. Sikur të mendoheshe rreth gypave të ushqimit të saj, ose për ato që ajo ka nga sipër e nga poshtë, ose për brinjët që ajo ka në bark, si dhe për sytë e veshët që ajo ka në kokë, patjetër do të gjykoje i mahnitur për krijimin e milingonës dhe do to lodheshe shumë nëse do të mundoheshe për ta përshkruar atë. Sikur të udhëtosh nëpër rrugët e mendimit tënd, që të arrish të kuptosh qëllimin e Tij, faktet do të tregojnë për ty se Krijuesi i milingonës është edhe Krijuesi i hurmës. Faktet do të tregojnë imtësitë e çdo sendi dhe të fshehtën e ndryshueshmërisë së çdo gjallese.”

· Hyrja e folesë së milingonës drejtohet përherë nga Veriu.
· Milingonat e ndjejnë tërmetin që më parë dhe dalin menjëherë nga foletë.

KRIJIMI I LAKURIQIT TË NATËS

Prej një fjalimi (hytbeje) tjetër, ku ai përmend krijimin e mahnitshëm të lakuriqit të natës:
“Prej hollësive të shpikjes së Tij dhe çudive të urtësisë së Tij, janë ato që Ai na tregon prej të fshehtave të urtësisë që ka në krijimin e lakuriqit të natës të cilin në ndryshim nga të gjitha gjallesat, e mbledh drita dhe e shpërndan errësira. Si jetojnë sytë e tij pa marrë dritë prej diellit të ndritshëm me të cilën të drejtohet në rrugën që ndjek dhe me anë të kësaj drite të arrijë te të njohuritë e tij?

Duket sikur lakuriqi i natës ka hequr dorë nga drita e diellit dhe të gjitha shkallët e ndriçimit nuk e lënë atë të lëvizë. Lakuriqi i natës gjatë ditës qëndron i varur nëpër vende të errëta, natën e ka llambë, të cilën ai e ngre për të kapur ushqimin. Atij nuk ia kthen sytë as errësira më e fortë e natës, as nuk ia ndalon shikimin e tij errësimi i qiellit prej reve e prej përflakjes së perëndimit të diellit; kur dielli e heq mbulesën e vet dhe dita bëhet e qartë, atëherë kur kafshët e natës hyjnë nëpër zgavrat e veta, lakuriqi i natës lëshon qerpikët poshtë, duke u mjaftuar me ushqimin që ka fituar në errësirën e natës. I Plotpushtetshëm është vetëm Ai që për lakuriqin e natës, natën e ka bërë ditë në të cilën ai siguron jetesën, kurse ditën për lakuriqin e natës Ai e ka bërë pushim e qetësi. Ai ka bërë për lakuriqin e natës dy krahë prej mishit të tij, me të cilat ai lëshohet në fluturim sipas nevojës. Dy krahët e tij janë të buta si pjesa e poshtme e veshit të njeriut, pa pupla e pa pendë, por në ato ti shikon qartë enët e gjakut. Dy krahët e tij janë të butë dhe nuk rëndojnë kur ai i mbyll për të qëndruar i varur. I vogli i lakuriqit të natës qëndron me nënën e vet dhe ajo është strehë për të voglin e saj, i cili ulet kur ajo qëndron dhe ngrihet së bashku me të, kur nëna e tij fluturon i vogli nuk ndahet nga nëna derisa të fitojë fortësinë e trupit e të jetë në gjendje të ngrihet e të hapë vetë krahët e tij, të njohë rrugët që e çojnë drejt ushqimit dhe aty ku është e mira e tij. I plotpushtetshëm është vetëm Filluesi i çdo krijese, pa pasur një model para krijimit të tij.”

*** nga studimet e viteve te fundit WIKIPEDIA
Lakuriqet fluturojnë vazhdimisht në errësirë, duke lëshuar disa tinguj të veçante. Kur tingulli bie mbi ndonjë objekt, p.sh., degë, shkakton një jehonë dhe lakuriqi menjëherë e kupton se ka përpara një objekt dhe e anashkalon atë. Mund të themi se lakuriqi ka një radar që u largohet pengesave të cilët ne nuk e kemi një radar të tillë.
Edhe pse sytë e lakuriqeve të natës janë të vegjël dhe pak të zhvilluar, duke çuar në një mprehtësi të varfër vizuale, asnjëri prej tyre nuk është i verbër. Vizioni është përdorur për të drejtuar lakuriqet e natës veçanërisht për distanca të gjata. Gjithashtu është zbuluar se disa lloje janë në gjendje të zbulojnë dritën ultravjollcë. Ata gjithashtu kanë një cilësi të lartë në ndjesinë e nuhatjes dhe dëgjimit. Lakuriqet gjuajnë gjatë natës për të shmangur konkurrencën me zogjtë, dhe udhëtojnë në distanca më të mëdha së 800 km, në kërkimin e tyre për ushqim.

Përgatiti e përktheu Zehra Huduti




There are no comments

Add yours