IMG_0991

Hutbeja Mutekin (Hammam)

Spread the love

Autor Imam Aliu a.s.
Është transmetuar se një shok i Prijësit të Besimtarëve (a.s) me emrin Hammam, i cili kishte qenë i devotshëm ndaj Zotit, e kishte pyetur atë: “O prijësi i besimtarëve, m`i përshkruaj njerëzit të cilët vërtet janë të devotshëm ndaj Zotit, ashtu që të kam përshtypjen se jam duke i shikuar ata”. Prijësi i Besimtarëve (a.s.) hezitoi për të dhënë përgjigje, por pastaj tha: “O Hammam, bëhu i vetëdijshëm ndaj Zotit dhe kryeji vepra të mira, nga se vërtet Ai është me ata të cilët janë të vetëdijshëm për Te dhe krahas kësaj janë edhe mirëbërës” (Kur`an, 16:128). Hammami nuk ishte i kënaqur me këtë përgjigje, andaj e nxiti që të vazhdonte të fliste. Pas kësaj, Prijësi i Besimtarëve (a.s.) e madhëroi dhe e lëvdoi Allahun, dërgoi salavate mbi Pejgamberin e Nderuar (Selami i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe vazhdoi:
Dhe, dije se Allahu i Madhëruar dhe Lavdiplotë i krijoi krijesat atëherë kur i krijoi, tërësisht i pavarur nga nënshtrimi i tyre dhe i sigurt nga mosbindja e tyre, pasi që Atë nuk e dëmton mosbindja e atij që nuk i bindet, as nuk ka dobi nga bindja e atij që i bindet. Në mesin e tyre Ai ka shpërndarë begatitë për jetën e tyre dhe ua ka caktuar pozitat e tyre në këtë botë.
Kështu, ata të cilët janë të vetëdijshëm për Allahun në këtë botë janë bartës të denjë të vlerave;-
Të folurit e tyre është i drejtë;
veshja e tyre modeste, ndërsa ecja e tyre e qetë;
Ata i ulin shikimet para asaj që Allahu ua ka ndaluar;
Veshët e tyre i përmbajnë nga ajo dituri e cila është e dobishme për ta;
Në sprova qëndrojnë njëjtë ashtu si kanë qenë në rahatitë jetësore.
Po të mos ishte afati që u është caktuar, shpirtrat nuk do të qëndronin në trupat e tyre as për një çast të vetëm, për shkak të dëshirës së tyre të zjarrtë për shpërblimin dhe frikës së tyre nga ndëshkimi;
në zemrat e tyre Krijuesi është i madh, ashtu që çdo gjë tjetër përveç Tij është i parëndësishëm në sytë e tyre;
Xheneti për ta është sikur janë duke e shikuar atë dhe ata kënaqen me begatitë e tyre. Për ata, edhe Xhehenemi është sikur janë duke e shikuar atë dhe duke i përjetuar vuajtjet në të;
zemrat e tyre janë të pikëlluara;
ata nuk bëjnë vepra të këqija;
trupat e tyre janë të dobëta;
kërkesat e tyre janë të vogla;
ndërsa shpirtrat e tyre janë të pastra;
janë të durueshëm në kohën e cila është e shkurtër;
kurse në fund fitojnë kënaqësinë e cila zgjatë shumë;
kjo është një tregti e leverdishme të cilën e ka bërë të mundshme Zoti i tyre;
kjo botë është drejtuar drejt tyre, por ata nuk janë drejtuar drejt saj;
Ajo i kishte bërë peng, por ata i kanë blerë shpirtrat e tyre nga ajo;.
Gjatë natës ata qëndrojnë në këmbë duke lexuar pjesë nga Kur`ani dhe duke e recituar me maturi dhe në mënyrë harmonike;
me këtë i mallëngjejnë shpirtrat e tyre dhe kërkojnë ilaç për ligështinë e tyre.
Kur hasin në ndonjë ajet i cili nxitë dëshirën e madhe (për Xhennet), jepen mbas tij pasion dhe shpirtrat e tyre orientohen drejt tij me ngazëllim, kështu që e ndiejnë se Xheneti ndodhet para syve të tyre;
ndërsa, kur hasin në ndonjë ajet i cili i frikëson, i tendosin veshët dhe zemrat e tyre drejt tij dhe u bëhet se oshtima e Xhehenemit dhe britmat e tij arrijnë gjer te veshët e tyre;
kërrusin shpinat e tyre, shkojnë në sexhde me ballin e tyre, me shuplakat e tyre, me gjunjët e tyre dhe me gishtat e këmbëve të tyre dhe vazhdimisht i luten Zotit të Madhëruar për shpëtimin e qafave të tyre;
gjatë ditës janë bujar, të ditur, të devotshëm dhe të vetëdijshëm ndaj Allahut;
frika ata i bën të hollë si shigjeta; ai që i shikon mendon se janë të sëmurë, mirëpo ata nuk janë të sëmurë, dhe thotë se janë bërë të çmendur, e në realitet, ata i ka përfshirë ajo që është madhështore;
Ata nuk janë të kënaqur me numrin e vogël të veprave të mira të tyre, as nuk e konsiderojnë të madhe shumësinë e veprave të tyre të mira;
githnjë e qortojnë veten dhe kanë frikë për veprat e veta;.
kur e lavdërojnë ndonjërin prej tyre, ai frikohet nga ajo që thuhet për te dhe thotë: “E njoh veten time më mirë se të tjerët, kurse Zoti im njeh më mirë se unë. Zoti im, mos vepro me mua në bazë të asaj çka flasin ata dhe më bën më të mirë se që mendojnë për mua dhe, më fal për atë që ata nuk kanë dijeni.”
Veçoria e çdonjërit prej tyre në këtë qëndron në atë se ti i sheh te ai forcën e besimit, vendosmërinë me shpirtëmirësi, besimin me bindje, pasionin për dituri, diturinë në durim, maturinë në begati, përulësinë në devocion, mirësjelljen në varfëri, durimin në vuajtje, kërkimin e asaj që është e lejuar, zellin në udhëzim dhe përmbajtjen nga lakmia;
Ai ndërmerr vepra të mira dhe shqetësohet;
Mbrëmjeve është i pushtuar nga falënderime, mëngjeseve nga të përmendurit.
Bie në gjumë plot vigjilencë dhe zgjohet në mëngjes plot hare.
Është vigjilent që natën të mos e kalojë në harresë, ndërsa është i gëzuar për mirësinë dhe mëshirën që e ka fituar.
Nëse pasioni i tij refuzon ta pranojë atë që nuk e do, ai nuk e pranon kërkesën e tij për të plotësuar atë që do ai.
Kënaqësia e tij qëndron në atë që nuk është e përkohshme, ndërsa përmbajtja e tij është nga ajo që nuk zgjat përgjithmonë.
Ai mirësjelljen e përshkon me dituri, ndërsa fjalën me vepër
Ti e shikon se shpresa e tij është afër, pengesa e tij është e rrallë, zemrën e ka të përvuajtur, shpirtin e ka të kënaqur, ushqimin e ka të thjeshtë, besimin e sigurt, pasionin të ngulfatur dhe zemërimin të mposhtur.
Nga ai pritet vetëm mirësi dhe nuk duhet të ketë frikë nga e keqja e tij. Madje edhe po të gjendet në mesin e harrestarëve, do të llogaritej ndër ata që përkujtojnë. Nëse gjendet në mesin e atyre që përkujtojnë, nuk do të llogaritet prej atyre që janë harrestarë.
E falë atë që ka qenë i padrejtë ndaj tij. I jep atij i cili nuk i ka dhënë. E viziton atë që nuk e ka vizituar.
Fjala e shëmtuar qëndron larg prej tij, fjala e tij është e ëmbël, ligësia e tij nuk ekziston, virtytshmëria e tij është evidente, e mira e tij arrin, ligësia e tij largohet.
Është dinjitoz në fatkeqësi, i durueshëm në vuajtje, mirënjohës për begatitë e jetës. Nuk bën padrejtësi ndaj atyre që nuk i do dhe nuk bën mëkat për shkak të asaj që e do. E pranon të vërtetën para se t`i paraqitet argumenti. Nuk e dëmton atë që i është dhënë në ruajtje dhe nuk harron atë me çka paralajmërohet. Të tjerët nuk i quan me emra përbuzës. Nuk i shkakton dëm fqinjit. Nuk e gëzon fatkeqësia e tjetrit. Nuk merr pjesë në padrejtësi dhe nuk e braktisë të drejtën.
Nëse është i heshtur, heshtja atë nuk e pikëllon.
Nëse qeshet, nuk e ngrit zërin.
Nëse i bëhet padrejtësi, përmbahet gjersa Allahu nuk hakmerret për te.
Njerëzit janë të qetë nga ai.
Ai e hedh veten në vështirësitë e jetës së ardhshme dhe bën ashtu që njerëzit të ndjehen të sigurt nga ai.
Largimi i tij nga ajo që largohet paraqet ngurrim dhe pastërti, gjersa të afruarit e tij asaj që i afrohet paraqet shpirtmirësi dhe mëshirë.
Largimi i tij nuk bëhet nga mendjemadhësia dhe krenaria, as të afruarit e tij nuk bëhet me qëllim të mashtrimit dhe gënjeshtrës.




There are no comments

Add yours