
Mirësitë e leximit të sures el-Huxhurat (4)
Mosngritja e zërit në prani të Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij)
Pikërisht, për këtë udhëzim flet edhe ajeti i dytë i sures el-Huxhurat, në të cilin thuhet: “O ju që keni besuar, mos i ngrini zërat tuaj mbi zërin e Profetit, e as mos i flisni atij me zë të lartë siç i flisni njëri-tjetrit, me qëllim që veprat tuaja mos të bëhen të pavlefshme dhe ju nuk e dini!”
Fjalia e parë: “Mos i ngrini zërat tuaj mbi zërin e Profetit”, tregon se nuk duhet të ngrihet zëri mbi zërin e Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), sepse ky lloj veprimi në vetvete është jashtë etike gjatë ndodhjes para Profetit, për shkak se Profeti ka pozitën e tij të veçantë. Po kështu, kjo gjë nuk duhet të ndodhë as para prindërve dhe mësuesve, sepse është në kundërshtim me respektin dhe mirësjelljen.
Ndërsa fjalia: “Mos i flisni atij me zë të lartë”, mund të jetë përforcim i kuptimit të fjalisë së parë, ose tregon për diçka tjetër, që është ndalimi i të thirrurit të Profetit “O Muhamed!” dhe zëvendësimi i tij me “O i Dërguar i Allahut!”. Është e natyrshme se të njëjtat me këto veprime, nëse kanë si qëllim ofendimin e personalitetit të Profetit si dhe të pozitës së tij të lartë, ato janë kufër dhe mëkat, (heretizëm, dalje nga feja).
Nëse dikush kryen një vepër që konsiderohet kufër (heretizëm, mosbesim, dalje nga feja), atëherë sqarohet edhe shkaku i pavlefshmërisë së punëve, kufri, i cili është shkak i zhdukjes së shpërblimit të arritur nga kryerja e veprave të mira. Dihet se shpërblimi ndaj disa punëve të mira, mund të zhduket (fshihet) për shkak të kryerjes së disa mëkateve të veçanta, po kështu, disa mëkate bien (zhduken, fshihen) përshkak të kryerjes së disa veprave të mira. Për këtë flasin mjaft ajete të Kuranit si dhe hadithe të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).
Ajo që bie në sy është, se në ajetin e parë është përdorur fjala “Nebijj” ndërsa në këtë ajet është përdorur fjala “Resulullah”. Të dy ajetet tregojnë se te Profeti nuk ka asgjë nga vetja e tij por, ai është “Resulull-llah (I Dërguari i Allahut)” dhe “Nebij-juhu (profeti i Tij)”. Pra, nëse ofendohet ai, është ofenduar Allahu dhe mirësjellja ndaj tij është mirësjellje ndaj Allahut. Në këto ajete Allahu duket sikur thotë që: “Unë jam Allahu, Jam i ditur për çdo gjë, kur flas i ruaj rregullat e sjelljes. Përse ju nuk i ruani ato rregulla kur flisni!”
Në plotësim të kuptimit të ajetit në fundin e tij thuhet: “Sikur ata të duronin derisa të dalësh tek ata, do të ishte më mirë për ata”. Vërtet, nxitimi e shtyn njeriun që të arrijë qëlllimin e tij me shpejtësi, por durimi dhe marja shtruar në një pozitë si kjo, janë ftues në mëshirën e plotë dhe shpërblimin e madh. Përderisa disa persona e kryen këtë gabim me padituri, por më vonë e kuptuan dhe u kthyen tek vetet e tyre pas zbritjes së ajetit, Kurani thotë se ata i përfshin falja (amnistia hyjnore) pas pendimit (Allahu është Mëshirues).
FUND
(Revista “Vlera”, nr. 16, shtator/tetor 2015, fq. 24-25)