Referenca për ikje nga injoranca
Autor: Fehmi Maliqi
Meqë kurrsesi t’i ngrohim zemrat me dashuri të sinqert e sublime që buron nga hyjnorja, po na ndezen kokat nga i nxehti tropikal ku dielli gjithandej ka marrë pushtetin në qiellin e pastër, pa asnjë re. Shumica ankohen: asnjë hije nuk na bënë derman, asnjë pije nuk na freskon, duke u burgosur kështu në dhomat me kondicioner të cilat simulojnë një parajsë të shpifur me kosto të lartë për xhepin dhe ambientin tonë. Gjithëçka na pengon, madje më së shumti na pengojnë ato që na duhen më së shumti, siç janë dielli e drita dhe për t’u mbrojtur prej tyre, pos kondicionerëve blejmë edhe syze të shtrenjta.
Para pak ditësh po ecja rrugëve të qytetit në pikun e ditës, kur temperatura kishte shkuar në 45 gradë celsius, mirëpo, meqë kisha për obligim t’i kryeja një shërbim një njeriu të dashur, më dukej se, derisa dielli për të tjerët ngrohte dhe përcëllonte, unë e ndjeja si një kondicioner që më ndihmonte ta kryeja shërbimin me dashuri të përzemërt. Prandaj varësisht nga qasja që kemi ndaj një realiteti dhe ndjesia me të cilin e perceptojmë atë, do ta bëjë atë të përballueshëm, madje edhe të ndjehemi këndshëm kur shumica duken se vuajnë.
Mos e harroni qëndrimin në zjarr të profetit të shenjtë, Ibrahimit (paqja qoftë mbi të). Përtej kësaj strukjeje dhe frike, atëherë kur mbrëmja mbulon këtë nënqiell, fillojnë të shfaqen dritat e shumta të varganeve të pafund të veturave luksoze të të ftuarëve nëpër dasma prej kur edhe fillojnë bubullimat e tallavasë nga të gjitha anët ku ndodhen restaurantet e dasmave tona pa asnjë shije artistike, as tradicionale e as bashkëkohore.
Nuk dua të merrem me mërgimtarët, meqë ata i kemi bletat e vetme që sjellin mjaltë në këtë vend të mbizotëruar nga pelimi i varfërisë dhe mjerimit, por dua të merrem me atë se si mjaltën e tyre e shpenzojmë pa kujdesin e duhur dhe në mënyrë zhgënjyese për ta. Nuk është faji i mërgimtarëve pse dasmat e tona kanë një skemë e skenarë organizativ të tillë, ata kanë shumë pak kohë të mendojnë për të ndërhyrë në injorancën tonë. Ata nuk na kanë faj pse ne shkojmë në dasmat e tyre për ta mbushur barkun, e jo shpirtin. Ne nuk iu dhamë atyre asnjë rast e shembull që t’i bindim ata që dasma është dashuri e art, poetikë e frymëzim jete e dy të rinjëve, zemrat e të cilëve do të rrahin të njëjtën melodi përgjatë gjithë jetës, sa ata edhe do të rrojnë, madje edhe përtej se kaq.
Për pak harrova pa përmendur një event, që kaloi pa zhurmë e bujë të madhe. Ishte dasëm por ishin të ftuar miqtë e zemrës e jo numrat. Nuk ishte ndonjë sallon madhështor as ndonjë nga yjet e estradës muzikore, ishte një si bodrum ku u shtrua darka dhe rruga e sheshi ku luhej valle nën tingujt e surles dhe daulles. Dasmë tipike në ambient të hapur për të gëzuar edhe hënën e yjet. Sa pak qëndrova e sa shumë u gëzova! Kuptova se dasma nuk duhet të jetë spektakël i shpenzimeve të lekut, por burim i freskimit të dashurisë së zvetënuar mes njerëzve. I lumi ti o miku im që gjete këtë burim dhe na freskove në këtë vapë.
Në fund të flasim pak për numrat a për hieroglifet?! Edhe përkundër se kemi numra romak, hieroglife e simbole që nga parahistoria, kemi edhe numrat arabë, por të gjitha këto megjithatë nuk po mjaftojnë për ta mbajtur seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhjen e personave më të duhur për postet më të larta të vendit. Meqë jemi ndër popujt më të vjetër të botës, nuk e di se si e humbën logjikën e numërimit apo të gjetjes së numrave. Nuk ka numra që flasin shqip, as ilirisht e as pellazgjisht.
Kur numrat kalkulohen në dëm të arsyes dhe nevojave jetike të popullit, atëherë fillojnë lojërat hazardere të kumarit, po mbi kurrizin e popullit. E dini, Nasradini nuk e numëronte gomarin mbi të cilin qëndronte, andaj i ngatërronte numrat. O politikanë zbritni nga kurrizi i këtij populli dhe llogariteni edhe ekzistencën e tij, do të keni sa të doni edhe numra edhe fytyrë. Bëjeni me arsye, priruni nga dashuria dhe kuptohuni përmes solidarësisë dhe standardeve më përparimtare të kohës.
(Revista “Vlera”, nr. 23, korrik/gusht 2017, fq. 6-7)