Tehajjulat dhe Naim Frashëri
Përmbledhja e poezive lirike romantike të poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, shkruar në
persishte dhe botuar në Stamboll më 1884, nën titullin e përbashkët Tehajjulat, përbën
fazën e parë të krijimtarisë së tij. Megjithatë ajo nuk pa dritën e botimit në gjuhën shqipe,
për shkak se në atë kohë poeti ynë, i ndodhur përballë ngjarjeve të rëndësishme politike, që
po zhvilloheshin në dëm të kombit tonë, u hodh në sferën e gjerë të veprimtarisë për
përhapjen e arsimit dhe kulturës kombëtare, si detyrë urgjente që shtronte në atë kohë
lëvizja për forcimin e plotë të vetëdijes politike shqiptare në funksion të luftës për çlirimin
dhe mbrojtjen e atdheut. Për këtë qëllim patriotik ai zhvilloi veprimtari të madhe në të
përmuajshmen “Drita” – “Dituria” në Stamboll (10 gusht 1884-20 korrik 1885) në bashkë-
veprim me Sami Frashërin, Jani Vreton dhe Pandeli Sotirin, ky i fundit kryeredaktor i saj,
ku, siç dihet, Naimi filloi të shquhej si poet i madh kombëtar.
Në këto rrethana historike përmbledhja poetike Tehajjulat, pas një kohe të gjatë e
qarkulluar në Stamboll dhe sidomos në Persi, në vitin 1971 ra në dorën e poetit Vexhi
Buharaja në Tiranë, njohës i pashoq i gjuhës persiane dhe shqipërues mjeshtëror, i cili e
bëri atë të flasë në gjuhën elegante shqipe me emrin Ëndërrime.
Përmbledhja poetike Ëndërrime përbëhet prej 26 poezish, shkruar gjatë kohës së qëndrimit
të Naimit në Berat (viti 1873) nëpunës në Zyrën e tatimit të të dhjetave në Sarde (në vitet
1874-1877) nëpunës në Zyrën e doganës në Sarandë e më pas në Stamboll, ku u vendos
përfundimisht me familje, me punë kryetar i Komisionit të kontrollit të botimeve pranë
Ministrisë së Arsimit Turk, ku siç dihet, ndihmoi shumë për dhënien e lejeve të qarkullimit
të botimeve shqipe që shtypeshin në Stamboll, Bukuresht etj. në qarqe atdhetare kulturore
shqiptare.
Gjatë viteve 1873-1883, kur mbyllet ky cikël i poezive, në imazhin e frymëzimeve poetike
meditative në objekte të veçanta frymëzimi mbi natyrën, në shpjegimin e fenomeneve
botëkuptimore dualiste fetare e filozofike, janë të kristalizuara në gjerdanin e poezisë së tij
të bukur përshkruar në mendime të thella si dijetar i vërtetë. Kjo shihet qartë në poezinë
Qielli, shkruar në vitin 1875 ku hapet vëllimthi, pa ndjekur kriterin kronologjik kohor, kur
duhej të vihej më përpara vjersha Gjuha e zemrës e botuar në vitin 1874:
“Një shkëlqim që s’ka fillim e s’ka mbarim”, – shkruan poeti në vjershën Qielli – është
“Kuptim, fuqi, pasqyrë e Zotit tim”. Duke mos arritur ta shpjegojë shkencërisht këtë
fenomen, poeti pyet:
“Ç’është, ç’është kjo e paana Gjithësi?
Dhe ky rregull dhe ky libër që sheh ti?
Kjo e kaltër hapësirë e paanë?
Këto drita që kufi e numër s’kanë?
Këta yje trup argjendë e faqeartë?
Kjo natyrë dhe ky det, burim i jetës?
Këto ligje, këto pamje të së fshehtës?
Por në fund poeti, duke mos e dhënë dot kuptimin shkencor, ose edhe duke u rezervuar të
japë mendime për shkak të keqkuptimeve që mund të krijoheshin, arrin në përfundimin e
tij për këtë fenomen shkencor ende të pazgjidhur, se:
“Mençuri e Zotit shfaqet në çdo vend
Plotfuqinë e tij shikojmë në çdo send”.
Ahmet Kondo
Tiranë, mars 1996