8d96b9e76cc565e421ecf6c0f973d2b2

Disa vjersha nga Naim Frashëri

Spread the love

Megjithatë, sipas Naimit, rrugëzgjidhja shkencore e kësaj fshehtësie shprehur në vjershën
Gjuha e zemrës, botuar në vitin 1874 në këtë përmbledhje, u takon rrugënjohësve të dijes,
zbuluesve. Pra, këtë enigmë, mendon ai, duhet ta shpjegojnë dijetarët e ardhshëm.

Vjershat Qielli dhe Gjuha e zemrës dëshmojnë për rrugët kërkimore të dijes së Naimit në
atë kohë. Ato dëshmojnë se kohën e lirë Naimi në Berat dhe në Sarandë e kalonte jo “duke
luajtur domino apo tavllën”, apo “duke u marrë me gjueti”, siç pretendojnë disa studjues.
Por ai, pas punës dinte si të gjente kohën për të soditur e për t’u çlodhur në vende pitoreske
të natyrës së bukur jugore shqiptare, e si të zhytej në botën e studimeve për zgjerimin e
njohurive shkencore e letrare dhe që shumë shpejt ai do të njihet si personalitet në botën
zyrtare perandorake osmane dhe me pas si poet i madh në dobi të kombit. Pra, vepërza
Ëndërrime e shkruar në atë kohë, vlerëson kuadrin e lartë të poetit tonë në vijën e ecurisë
së tij.

Ende më i qartë del në pah formimi i tij si dijetar dhe si poet në poezinë Toka dhe
njeriu, kur fuqia krijuese e talentit të tij të veçantë shkrihet në brendinë e thellë të
mendimeve që zotëronte ai si poet dhe iluminist, që dijen dhe artin e të shkruarit i vinte në
shërbim të kombit. Dhe ja, imazhi i poetit dhe dijetarit Naim Frashëri në Toka dhe njeriu,
ku ai shkruan:

“Këjo Tokë, që aq baltë ka rrufitur,
Një yll është nga të qiellit yj të ndritur.
Nëpër qiej udhëton ajo aq mirë,
Po si zogu fluturon në hapësirë,
Ç’është veç një copëz hënë-e fenerit.
Diellin zjarrpërhapës ka si nënë
Dhe si bijë këmbëlehtn’e bukur Hënë.”

Siç shkruan më pas Naimi, toka ka si motër edhe planetë të tjera, plot me zjarrn’e Diellit
mbushur e ka gjinë, kaq të mira nxjerr nga zemra mbi siprinë. Dhe se nga ai zjarr i saj kanë
dalë bimë e xehe që nuk numërohen dot, kaq lule e drunjë e pemë plot. Por krahas tyre,
shton Naimi, bashkë me llojet e shumta të frymorëve të ndryshëm doli edhe njeriu.
Prandaj:
“Pranë Tokës rri gëzohu o njeri!
Se kjo Tokë u bë, pra për ty shtëpi
Meqë u vure si mëkëmbës o te ky Dhe
Pra, këtu kërko edhe gaz edhe hare.
Elemente të formimit të personalitetit me njohuri të gjerë e me forcë krijuese poetike
shihen kudo në poezinë e Naimit mbi natyrën, përfshirë në këtë përmbledhje me vlerë
njohëse.
“Dita jote frymëzim për vjershëtorët – shkruan ai në poezinë Hëna – Faqja jote udhëheqës
për shenjtorët
Rrotull tokës ardhur ke që prej fillimit.
Prandaj parë ke të fshehtnë e njerëzimit.
Sa përleshje, moj, në Tokë ti ke parë?
Sa trazime, sa mjerime, sa llahtarë?
Ti ke parë se ç’ka hequr njerëzimi
ke dëgjuar fjalë e klithma dëshpërimi.
Sa Sokratë na ke parë të helmuar?
Sa Jusuf, pre për ujqër të tërbuar?
E sa kombe moj ke parë ti në botë,
Sa u zhdukën krejt pa lënë shenj’ë skotë?
Sa Solonë, sa Platonë ti ke parë?
Sa Karunë, sa Timurë gjakatarë?
Sa Daranj e Aleksandër emërndjerë?
Dhe pastaj, moj sa Ruso e sa Volterë?

Pra, Hëna, kjo bukuroshe frymëzimi për poetët, nga poeti ynë bëhet objekt frymëzimi
madhështie, si dëshmitare e ngjarjeve mbi Tokë në historinë e njerëzimit dhe e fenomeneve
të natyrës në tërësi nga shekulli në shekull.
Shëtitjet buzë detit dhe buzë lumit i jepnin forcë frymëzimi poetik Naimit dhe për një çast
vargjet i dilnin nga thellësia e shpirtit, kur ndalej dhe i drejtohej hapësirës qiellore, që larg
e larg dukej sikur puthej me detin:

“O ti det që t’ep flladitje e gëzim – vargëzon poeti në vjershën Në breg të detit:
Te ti gazin më gjen zemra, shpirti im
Pika jote është mëri e ujërave
Ato Isa, kurse ti je Merjeme
Ajo që si zog mbi male ka qëndruar,
– Që më duket si fanitje-e avulluar:
Pjella jote është ujtë lart atje,
Që ta mori dielli dhe ta bëri re
Në çdo hop një ngjyrë tjetër merr ai,
Herë i bardhë, herë i kuq e herë i zi.
Zjarri i diellit e tërheq drejt lartësish,
Por shpejt koha ty ta kthen atë sërish.
Andej gumëzhim e detit valëshumë
Këtej ligjërima e të shpejtit lumë.
Natyra e gjallë dhe e bukur e Sarandës e shtang poetin, i jep gjallëri dhe frymëzim poetik.
Duke hedhur vështrimin në çast me soditje, ai shkruan:
Te livadhi po kullosin bagëtia
prapa blegërim e shqerave moria,

ndërsa:

Poshtë drunjvet, përmes kopshtesh duke çarë,
Rrëshqet kroi me të qeshur, me të qarë.
Gjithë zogjtë lart në ujë vijnë-e shkojnë,
Enden, sillen rreth e rrotull e këndojnë.

Në atë kuadër të bukur të stinës pranverore të vitit 1876, sipas vitit që na e jep vjersha, në
fund të saj, poeti e jep këtë panoramë tërheqëse jo statike, por në lëvizje soditëse të tij,.
Duke i shqitur sytë nga deti, ai vështron lumin me valë të shpejta dhe, pasi qëndron te
gumëzhima e krojit, e hedh përsëri vështrimin nga gjelbërimi i fushës ku kullosin bagëtia e
sipër ku cicërojnë me këndje muzikore zogjtë në ajër që vijnë e shkojnë, enden, sillen rreth
e rrotull e këndojnë.

Ahmet Kondo
Tiranë, mars 1996

www.dielli.net