download

Poezia Intime Elegjiake nga Naim Frashëri

Spread the love

Poezia Intime Elegjiake

Poezia e Naim Frashërit intime elegjiake shpreh dhimbje të prekshme për vdekjen e motrës, vëllezërve,
bijave e mbesave. Në poezinë Mbi trupin e bijës sime të vdekur ai qan me vaj:

“Mjeri unë vaj moj bijë, mjeri unë!
Moj e dashur, moj e ëmbëla aq shumë.
Pa ty mbeta, pa ty mbeta moj në botë
U shkretofsh o qiell, moj zuzarja Rrotë.
Dhe d’bëhet faqja jote trandafile
Dhe cullufeza e bukur si zimbile
Re për krimbat ajo dor’ai kerci,
Nën të errtin dhe në varrin ferr të zi”.

Është koha kur Naim Frashëri merr rrugën në det me familjen e tij në drejtim të Stambollit,
me punë në postin e lartë të kryetarit të Komisionit të kontrollit të botimeve në Ministrinë e
Arsimit Turk, kur, siç shkruan në vjershën Lamtumirë, në ato çaste të udhëtimit përmes
ujërave të Detit Jon, u jep lamtumirën shokëve dhe miqve për kokë, maleve dhe fushave të
blerta, burimeve, përshëndet me ndjenjë melankonie:

“Lamtumirë o qiell, diell, yj me dritë
O atdhe moj kohë, o moj nat’e ditë
Silli tokës hirin tënd o moj pranverë
Më kujto pastaj dhe mua ti një herë!”,

dhe ndërsa ai reliev tokësor i bukur vjen e zbehet larg-larg, poeti tanimë mediton, mendon
detyrën për të ardhmen e atdheut, për të cilin ai do të shkrijë jetën si qiri i ndezur.
Edhe pse larg, në Stamboll në mes të të mirave të jetës, poeti me trup dhe me shpirt jeton
në atdhe. Këtë e shohim qartë në vjershën kushtuar atdheut:

“O Atdhe më je i dashur sa më s’ka,
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.

Edhe për faktin se tek ky dhe linden, jetuan dhe vdiqën nga brezi në brez njerëzit e trungut
të tij familjar.

Ty përdite të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Numëruar ti pat lulet syri i saj,
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Pastaj me ndjenjë të permalluar vazhdon:
Ti ke parë gjysh-stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtrat tretur ua ke po ti.
Nga ti shpirt, o ata kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nena ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë.
Nënë që s’ke vdekur kurrë faqehënë.

I prekur në mendime dëshpëruese se ndoshta nuk do të kthehet më, poeti shprehet me
optimizëm se populli shqiptar kurrë nuk do të shuhet nga faqja e dheut. Përkundrazi, nga
koha në kohë do të shtohet e do të përparojë:

Dhe pse ha, o dhé ti bijt’e tu të mjerë
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.

Prandaj poeti Naim Frashëri me forcë dhe zjarr atdhetarizmi, lutet:

Begatoje o Zot këtë vend
Epu njerëzve të tij Ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithëmonë armiqtë e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme past plot me lumturi”.

Ahmet Kondo
Tiranë, mars 1996

www.dielli.net